Një makinë në flakë pas sulmeve ruse

Bota

Lufta/ Rusia bombardon Ukrainën me 700 dronë dhe 50 raketa, Zelensky: SHBA-ja dhe BE-ja duhet të veprojnë për të ndaluar Putin

5 Tetor, 08:23| Përditesimi: 5 Tetor, 15:44

  • Share

Rusia nisi një nga sulmet më të mëdha gjatë mbrëmjes së djeshme në rajonin perëndimor të Lvivit, duke përdorur më shumë se 700 dronë, rreth pesëdhjetë raketa Kh-101, bombardues Tu-95MS, anije të Detit të Zi dhe dy raketa balistike Kinzhal të lëshuara nga avionët MiG-31K. Të paktën 5 persona vdiqën dhe dhjetëra të tjerë u plagosën, ndërsa dhjetëra mijëra qytetarë kanë mbetur pa energji elektrike.

Në një postim në X lideri i Ukrainës i bëri thirrje Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe BE-së që duhet të veprojnë për të ndaluar Vladimir Putin.

“Sot, rusët kanë shënjestruar përsëri infrastrukturën tonë, gjithçka që siguron një jetë normale për popullin tonë. Ne kemi nevojë për mbrojtje më të madhe dhe zbatim më të shpejtë të të gjitha marrëveshjeve të mbrojtjes, veçanërisht për mbrojtjen ajrore, për ta privuar këtë terror ajror nga çdo kuptim. Amerika dhe Evropa duhet të veprojnë për të ndaluar Putinin”, shkroi Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky në X.

Nga ky sulm shpëtuan mrekullisht mbi 110 aktivistë italianë që po ktheheshin me tren nga Kharkiv në kuadër të misionit të dhjetë të Lëvizjes Evropiane për Veprim Jo të Dhunshëm.

Mbrojtja ajrore polake është vendosur në gatishmëri për të siguruar hapësirën ajrore të vendit pas sulmeve të Rusisë në territoret e Ukrainës.

Kjo gatishmëri vjen pas vendosjes së trupave të sigurisë së NATO-s duke rritur patrullimin ajror në të gjithë rajonin pas ndërhyrjeve të dyshuara nga Rusia me dronë në shtetet fqinje.

“Avionët polakë dhe aleatë po operojnë në hapësirën tonë ajrore, ndërsa sistemet e mbrojtjes ajrore tokësore dhe të zbulimit me radar janë sjellë në gjendjen më të lartë të gatishmërisë.

Këto veprime janë parandaluese në natyrë dhe synojnë sigurimin e hapësirës ajrore dhe mbrojtjen e qytetarëve, veçanërisht në zonat ngjitur me rajonin e kërcënuar”, tha komanda operacionale e Polonisë në një postim në X ditën e sotme.

Në fund të shtatorit, Polonia u detyrua të mbyllte përkohësisht një pjesë të hapësirës së saj ajrore në juglindje të kryeqytetit, Varshavë, pasi Rusia nisi një sulm të madh në të gjithë Ukrainën.

Më herët atë muaj, forcat polake dhe të NATO-s gjithashtu kapën dronë rusë që hynë në hapësirën ajrore të Polonisë, duke shënuar angazhimin e tyre të parë të drejtpërdrejtë ushtarak me Moskën që nga fillimi i pushtimit të plotë të Ukrainës nga Kremlini   në vitin 2022.

Gjithashtu sot, Lituania, një anëtare e NATO-s, rihapi aeroportin e saj kryesor pasi e mbylli atë për orë të tëra pas shikimit të një “serie balonash” në hapësirën e saj ajrore.

Aeroportet në Gjermani, Danimarkë, Norvegji dhe Poloni kanë pezulluar gjithashtu kohët e fundit fluturimet për shkak të dronëve të paidentifikuar, ndërsa Rumania dhe Estonia e kanë drejtuar gishtin nga Rusia, e cila i ka hedhur poshtë akuzat.

Ora 15:38
Rusia: Janë goditur objektet e mbrojtjes dhe energjisë së Ukrainës, kemi pushtuar një fshat në Donbas

1759671786_aa.JPG

Ministria ruse e Mbrojtjes ka deklaruar se janë goditur objektet e mbrojtjes dhe infrastruktura energjetike e Ukrainës në sulmet masive të nisura gjatë natës në Ukrainë.

‘Gjatë natës, Forcat e Armatosura Ruse nisën një sulm masiv ndaj ndërmarrjeve ushtarako-industriale të Ukrainës dhe infrastrukturës së gazit dhe energjisë elektrike, duke përdorur armë precize me rreze të gjatë veprimi të bazuara në tokë, në ajër dhe në det, duke përfshirë raketat balistike hipersonike Kinzhal dhe dronë sulmues. Të gjitha objektivat e përcaktuara u goditën’, thuhet në raportin e cituar nga Tass.

Ndërkohë, forcat ruse kanë pushtuar vendbanimin Kuzminovka në Donetsk, tha Ministria Ruse e Mbrojtjes.

‘Pas veprimeve aktive dhe vendimtare, njësitë e Grupit Jugor të Betejës kanë çliruar lokalitetin Kuzminovka në Republikën Popullore të Donetskut", tha Ministria e Mbrojtjes së Rusisë.  

Ora 14:50
Bombardimet në Ukrainën Perëndimore, raketat ruse për pak goditën trenin me 110 aktivistë italianë

Sulmi masiv ajror i Rusisë në Ukrainë me mbi 50 raketa dhe 700 dronë sulmues goditi rajonet e Kharkivit, Khersonit, Odesës, Lvivit dhe Zaporizhzhias.

Teksa pesë persona vdiqns nga sulmi shpëtuan mrekullisht mbi 110 aktivistë italianë që po ktheheshin me tren nga Kharkiv në kuadër të misionit të dhjetë të Lëvizjes Evropiane për Veprim Jo të Dhunshëm (MEAN).

"Bombardimet filluan rreth tre orë pasi treni u nis nga Kievi në zonën e Zythomire," shpjegoi për LaPresse Marco Bentivogli, një zëdhënës i MEAN, i cili ishte pasagjer.

"Më pas, shpërthime shumë të forta u panë edhe në zonën e Lvivit, jo shumë larg trenit," shtoi Bentivogli.

Ora 12:56
Putin: Dërgimi i raketave Tomahawk do të prishte marrëdhëniet me SHBA-në

1759255269_132928382gettyimages2071909768.jpg

Foto: Vladimir Putin

Furnizimi i Ukrainës me raketa Tomahawk mund të rrezikojë përparimin e mirë të marrëdhënieve dypalëshe Rusi-SHBA. Kështu u shpreh presidenti rus Vladimir Putin gjatë një interviste televizive.

"Ka probleme në lidhje me dërgesat e sistemeve të reja të armëve, duke përfshirë ato me rreze të gjatë veprimi dhe precizion të lartë, Tomahawk e kështu me radhë. Thashë se kjo do të prishte marrëdhëniet tona me SHBA, pavarësisht trendit pozitiv që po shfaqet", paralajmëroi Putin.

Ora 12:39
Lufta në Ukrainë, Zelensky: SHBA-ja dhe BE-ja duhet të veprojnë për të ndaluar Putin

1759395884_volodymyrzelensky.JPG

Teksa Rusia vijon me bombardimet në Ukrainë, presidenti Volodymyr Zelensky ka reaguar duke thënë se vendi i tij ka nevojë për më shumë mbrojtje.

Në një postim në X lideri i Ukrainës i bën thirrje Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe BE-së që duhet të veprojnë për te ndaluar Vladimir Putin.

“Sot, rusët kanë shënjestruar përsëri infrastrukturën tonë, gjithçka që siguron një jetë normale për popullin tonë. Ne kemi nevojë për mbrojtje më të madhe dhe zbatim më të shpejtë të të gjitha marrëveshjeve të mbrojtjes, veçanërisht për mbrojtjen ajrore, për ta privuar këtë terror ajror nga çdo kuptim.

Një armëpushim i njëanshëm në qiell është i mundur dhe pikërisht kjo mund të hapë rrugën për diplomaci të vërtetë. Amerika dhe Evropa duhet të veprojnë për të ndaluar Putinin”, shkroi Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky në X.

K.B/S.B/ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    PD pritet të mbështesë kandidatë të pavarur në 6 Bashki, si e vlerësoni?