Foto ilustruese

Bota

Lufta në Ukrainë/ Tre Mig rusë shkelin hapësirën ajrore estoneze, qëndrojnë 12 minuta! BE: Ndërprerje e importit të gazit rus nga 1 janari 2027

19 Shtator, 08:04| Përditesimi: 19 Shtator, 16:53

  • Share

Hapësira ajrore e Estonisë është shkelur nga 3 avionë luftarakë rusë. E shkruan Reuters në faqen e saj duke cituar deklaratat e qeverisë estoneze sipas së cilës tre avionë luftarakë rusë MiG-31 kanë hyrë në hapësirën ajrore estoneze pa autorizim dhe kanë qëndruar aty për një total prej 12 minutash.

Bëhet fjalë për shkeljen e tretë ruse të hapësirës ajrore të NATO-s në një kohë të shkurtër, pas inkursioneve të dronëve rusë në Poloni dhe Rumani.

Komisioni Evropian ka propozuar që Bashkimi Evropian të përshpejtojë ndalimin e importeve të gazit nga Rusia, bëri të ditur Përfaqësuesja për politikën e jashtme të bllokut, Kaja Kallas. «Qëllimi ynë është të përshpejtojmë eliminimin gradual të GNL rus nga tani deri më 1 janar 2027», ka shkruar ajo në X. 

Ndërkohë, Komisioni Evropian ka miratuar paketën e 19-të të sanksioneve kundër Rusisë. Presidentja e KE-së, Von der Leyen njoftoi sanksione dhe ngrirje të aseteve të Gazprom dhe Rosneft. Masa kundër kriptovalutave janë ndërmarrë gjithashtu për herë të parë. Aktualisht, 8 vende të Evropës, Belgjika, Holanda, Franca, Spanja, Portugalia, Greqia, Sllovakia dhe Hungaria importojnë ende gaz natyror rus, ndërsa për naftën nuk njoftohet një listë e tillë. 

Po ashtu, raportohet se SHBA-të kanë miratuar një shitje prej 780 milionë dollarësh të raketave dhe sistemeve lëshuese antitank Javelin për Poloninë, në hapësirën ajrore të së cilës hynë disa dronë rusë.

"Kjo shitje e propozuar do të mbështesë politikën e jashtme dhe sigurinë kombëtare të Shteteve të Bashkuara duke rritur sigurinë e një aleati të NATO-s që është një forcë për stabilitet politik dhe ekonomik në Evropë", tha në një deklaratë Agjencia e SHBA-së për Bashkëpunim dhe Siguri të Mbrojtjes (DSCA).

Ky vendim është dërguar në Kongres, që pritet të japë edhe miratimin përfundimtar për transaksionin.

Rusia vijoi sulmet gjatë natës në Ukrainë, duke përdorur 86 dronë Shahed, Gerbera dhe të tjerë. 71 prej këtyre dronëve u rrëzuan nga njësitë e mbrojtjes ajrore, ndërsa 15 të tjerët goditën objektivat e tyre. Sipas raportimeve, në Kiev, sulmet dëmtuan rrjetin e trolejbusëve të kryeqytetit ukrainas. 

Presidenti Volodymyr Zelensky reagoi për sulmet, teksa tha se Moska po shënjestron gjithnjë e më shumë civilët, dhe se bota duhet të marrë një "vendim vendimtar" për ta detyruar të ulet për diplomaci.

"Në tryezë janë marrëveshjet për dronët dhe prokurimin e armëve që Ukraina i ka propozuar Shteteve të Bashkuara. Nevojitet veprim vendimtar që edhe Rusia të pranojë më në fund diplomacinë.", tha Zelensky.

Ora 16:40
Tre avionë rusë shkelin hapësirën ajrore estoneze, hera e tretë që Moska cenon NATO-n

1758292938_68cd679cb6a88.rd.4862897422.jpeg

Hapësira ajrore e Estonisë është shkelur nga 3 avionë luftarakë rusë. E shkruan Reuters në faqen e saj duke cituar deklaratat e qeverisë estoneze sipas së cilës tre avionë luftarakë rusë MiG-31 kanë hyrë në hapësirën ajrore estoneze pa autorizim dhe kanë qëndruar aty për një total prej 12 minutash.

Ministri i Mbrojtjes i vendit e ka cilësuar incidentin “të një brutaliteti të paparë” dhe qeveria synon të dërgojë një notë proteste tek diplomati më i lartë rus në Estoni. Bëhet fjalë për shkeljen e tretë ruse të hapësirës ajrore të NATO-s në një kohë të shkurtër, pas inkursioneve të dronëve rusë në Poloni dhe Rumani

Ora 15:03
Presidentja e KE: Vendet anëtare duhet të miratojnë sanksionet shpejt; është një shans për paqe

1757491908_1536x864cmsv2b3393c94afde5b9a9246d1e66f849a839458490.webp

Presidentja e KE-së, Ursula Von der Leyen iu bëri thirrje shteteve anëtare të Unionit të miratojnë shpejt sanksionet kundër Moskës. Sipas diplomates, kjo është një mënyrë efektive për të larguar Moskën nga fusha e betejës në Ukrainë dhe për ta ulur atë në tryezën e negociatave. 

"Tani u bëj thirrje Shteteve Anëtare që të miratojnë shpejt këto sanksione të reja. Ne duam që Rusia të largohet nga fusha e betejës dhe të ulet në tryezën e negociatave. Kjo është mënyra për t'i dhënë paqes një shans të vërtetë. Ne po i përafrojmë sanksionet tona me ato të partnerëve tanë të G7, të udhëhequr nga Presidenca Kanadeze. Dhe për të mbështetur Ukrainën në luftën e saj për liri, ne po bashkëpunojmë ngushtë edhe me Koalicionin e të Gatshmëve. Evropa i ka qëndruar pranë Ukrainës që nga fillimi. Përballë përshkallëzimit të situatës nga Rusia, Evropa është përballur me sfidën. Ne do të vazhdojmë të përdorim të gjitha mjetet që kemi në dispozicion për t'i dhënë fund kësaj lufte brutale", shtoi ajo. 

Ora 14:43
'Koha të mbyllim rubinetat e gazit rus', Von der Leyen: Të gjitha asetet e Rosneft dhe Gazprom janë ngrirë, masa edhe për kriptomonedhat

1757492334_vonderleyen.webp

Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, në një konferencë për mediat, prezantoi paketën e re të sanksioneve kundër Moskës,  të miratuar sot nga ekzekutivi evropian. Diplomatja evropiane tha se Rosneft dhe Gazprom do t'i nënshtrohen një ngrirjeje të plotë të transaksioneve. 

"Kompanitë kryesore të tregtimit të energjisë Rosneft dhe Gazpromneft tani do t'i nënshtrohen një ngrirjeje të plotë të transaksioneve, dhe kompani të tjera gjithashtu do t'i nënshtrohen ngrirjes së aseteve. Ne tani po ndjekim ata që nxisin luftën e Rusisë duke blerë naftë në shkelje të sanksioneve, duke synuar rafineritë, tregtarët e naftës dhe kompanitë petrokimike në vendet e treta, përfshirë Kinën. Në tre vjet, të ardhurat ruse nga nafta në Evropë kanë rënë me mbi 90%, dhe tani më në fund po e kthejmë rrugën", shpjegoi ajo.

Ajo tha masat ndëshkuese do të prekin edhe platformat e kriptomonedhave 

"Ne po synojmë boshllëqet financiare që Rusia po i shfrytëzon për të shmangur sanksionet. Po vendosim një ndalim transaksionesh për banka të tjera në Rusi dhe ato në vendet e treta. Po intensifikojmë goditjen tonë kundër anashkalimit. Ndërsa taktikat e anashkalimit bëhen më të sofistikuara, sanksionet tona do të përshtaten për të qëndruar përpara të rejave. Prandaj, për herë të parë, masat tona kufizuese do të synojnë platformat e kriptomonedhave dhe do të ndalojnë transaksionet me kriptomonedha. Ne po listojmë bankat e huaja të lidhura me sistemet alternative të pagesave ruse. Dhe po kufizojmë transaksionet me subjektet në zonat e veçanta ekonomike", shtoi diplomatja evropiane. 

Sipas Von der Leyen, sanksionet kanë rezultuar një mjet efektiv i presionit ekonomik ndaj Moskës. 

"Analiza jonë ekonomike është e qartë: sanksionet tona po ndikojnë rëndë në ekonominë ruse. Norma e interesit është në 17%. Inflacioni është vazhdimisht i lartë. Qasja e Rusisë në financa dhe të ardhura është në rënie të vazhdueshme. Dhe ekonomia e luftës e Rusisë po arrin kufijtë e saj. Edhe më interesante është se, duke folur drejtpërdrejt me partnerët që po i drejtohen Rusisë, ata thonë se një nga kërkesat e para të Rusisë është heqja e sanksioneve. Ne e dimë se sanksionet tona janë një mjet efektiv i presionit ekonomik. Dhe ne do të vazhdojmë t'i përdorim ato derisa Rusia të ulet për të negociuar me Ukrainën për një paqe të drejtë dhe të qëndrueshme", shtoi ajo. 

Ora 13:27
KE miraton paketën e 19 të sanksioneve kundër Rusisë

Komisioni Evropian ka miratuar një paketë të re sanksionesh kundër Rusisë. Zëdhënësja e Komisionit, Paula Pinho, e konfirmoi lajmin. "Presidentja e Komisionit, Ursula von der Leyen dhe Përfaqësuesja e Lartë e BE-së për Politikën e Jashtme, Kaja Kallas, do të përshkruajnë detajet në një njoftim për shtyp më vonë", njoftoi ajo.

Reuters raporton duke cituar një zyrtar të BE-së, se Komisioni Evropian ka diskutuar një propozim për të “goditur” gazin natyror të lëngshëm rus në paketën e re të sanksioneve kundër Moskës,  Nxitja e re vjen pas një telefonate midis shefes së Komisionit Evropian Ursula von der Leyen dhe Presidentit të SHBA-së Donald Trump të martën.

SHBA-të kanë rritur presionin mbi Evropën për të luajtur një rol më të fuqishëm për t'i dhënë fund luftës së Rusisë në Ukrainë, me një marrëveshje paqeje që duket e pamundur pavarësisht bisedimeve të përsëritura. Një ditë më parë Donald Trump bëri thirrje që shtetet evropiane duhet të ndalojnë së bleri naftën ruse nëse duan që edhe SHBA të shpallë sanksione ndaj Moskës.

Ora 10:12
Zelensky: Rusia vazhdon të shënjestrojë civilët, duhet një vendim vendimtar që të pranojë diplomacinë

1756997433_AA.JPG

Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky ka bërë sërish thirrje për më shumë presion ndaj Moskës, e cila vazhdon të shënjestrojë civilë në Ukrainë.  Sipas tij, Putin nuk po e merr parasysh qëndrimin e Donald Trump, duke shtuar se ‘nevojitet veprim vendimtar që edhe Rusia të pranojë më në fund diplomacinë’.

"Edhe një herë, rusët po synojnë civilët në një kohë kur e gjithë bota - dhe veçanërisht SHBA-të - po bëjnë thirrje për paqe. Ne kemi dëgjuar qëndrimin e Presidentit Trump për t'i dhënë fund vrasjeve dhe kemi pranuar të gjitha propozimet për të zhbllokuar diplomacinë. Por duket se ky qëndrim nuk po merret parasysh në Rusi. Ne duhet të zbatojmë më aktivisht gjithçka që na forcon: programin e financimit të armëve PURL, bashkëprodhimin dhe finalizimin e garancive të sigurisë. Në tryezë janë marrëveshjet për dronët dhe prokurimin e armëve që Ukraina i ka propozuar Shteteve të Bashkuara. Nevojitet veprim vendimtar që edhe Rusia të pranojë më në fund diplomacinë.", tha Zelensky.

Ora 07:14
Trump: Presidenti rus nuk e respekton udhëheqjen amerikane! Jemi pranë një lufte botërore

1758194838_putindhetrump.jpg

Foto: Vladimir Putin dhe Donald Trump

Presidenti Donald Trump gjatë konferencës për shtyp me kryeministrin britanik një ditë me parë tha se Putin nuk e ka respektuar udhëheqjen e Shteteve të Bashkuara.

"Jemi shumë pranë një lufte botërore. Kam folur shumë herë me Presidentin Putin, por ai nuk ka bërë kurrë atë që më tha, ai kurrë nuk e ka respektuar udhëheqjen e Shteteve të Bashkuara", tha Trump.

Xh.D/K.M/ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Opozita pengon Ramën të prezantojë programin qeverisës, si iu duket?