Sociale

'Sa shpejt ikën'! Pushimeve po u vjen fundi, rikthimi i vështirë në shkollë...Jo më lojëra e zgjim herët! Ekspertët: Jo stres fëmijëve

28 Gusht, 16:25| Përditesimi: 28 Gusht, 16:47

  • Share

Pushimet verore po shkojnë drejt fundit dhe në shumë familje kanë nisur “ethet e përgatitjeve” për vitin e ri shkollor. Fëmijëve, tashmë do t’u duhet të përgatiten emocionalisht për vitin e ri shkollor, ndërsa prindërit përballen me një barrë jo të vogël financiare.

“Jemi duke u përpjekur sepse jemi duke dalë pak nga zona e pushimeve edhe tani në shtator normalisht do fillojmë me blerjen e librave, me çantat e reja dhe me çdo gjë. Është pak vështirë me thënë të vërtetën, por mundohemi që t'i realizojmë me aq sa kemi mundësi normalisht”, thotë një prind.

“Po kancelaritë që janë për fletore kështu sepse librat i marrin në shkollë. Tani çmime normale se nuk është se po blen përditë”, tregon një tjetër.

“Kam blerë vetëm çantën se për mjetet edhe për gjëra për të veshur do dalë një ditë tjetër. Po libra, lapsa, fletore, gjëra që të nevojiten për në shkollë”, flet një fëmijë.

“I kam porositur te TEMU. Vetëm me lepurusha sepse ashtu i kam zgjidhur unë”, thotë një tjetër nxënës.

Pas një vere të gjatë me lojëra e zgjim të vonë, shumë prej nxënësve ndjejnë pasiguri për atë që i pret.

“Të them të drejtën kam pak frikë sepse jam klasë gjashtë dhe kam frikë si do mësohem me mësuese të reja. Pushimet mu dukën sikur ikëm vërtetë shumë shpejt”, tregon një nxënës.

“Mirë ja kalova në pushime, por ja që edhe shkolla do fillojë”, thotë një tjetër fëmijë.

Sipas psikologes Renisa Beqiri, kjo është diçka normale. Ajo sqaron se rikthimi në një jetë me ritëm, orare dhe pritshmëri është shpesh një burim stresi për fëmijët.

“Ata do të kthehen në një jetë që kërkon një lloj rutine fikse, që kërkon një lloj angazhimi, që kërkon një performancë dhe kjo performancë do të fillojë dhe do të matet. Dhe rrjedhimisht kur kthehen fëmijët në shkollë kjo është një element që ata i mbush me ankth, i mbush me stres dhe është diçka e padëshiruar”, thekson psikologia.

Por si mund t’i ndihmojnë prindërit fëmijët e tyre të përgatiten emocionalisht për rikthimin në shkollë?

“Përgatitja duhet të fillojë që në dy javët e fundit të gushtit, fëmijëve t'u flitet për shkollën, t'u flitet t'ju bëhet një lloj përsëritje, një lloj vetëdijësimi në mënyrë të vazhdueshme që do të vijë shkolla dhe rutina e tyre do të fillojë të ndryshojë dhe në tre ditë përpara se sa fëmija të shkojë në shkollë është e rëndësishme që të fillohen dhe të rregullohen oraret e gjumit, mëngjesi, dreka si dhe aktivitetet sociale", pohon Beqiri.

Sipas Beqirit, fëmijët e përjetojnë drejtpërdrejt edhe ankthin e vetë prindërve.

Qëllimet dhe pritshmëritë nga fëmijët duhet të jenë të arsyeshme, të përshtatura me aftësitë e fëmijëve.

 “Gjithmonë prindërit duhet të kenë parasysh se cilat janë arritjet që ka pasur fëmija në vitin e kaluar dhe gjithmonë të përpiqen për pak më mirë. Pra, nëse kemi pasur një fëmijë që në vitin e kaluar ka pasur një sjellje të shkëlqyer, patjetër që pritshmëritë do të jenë të njëjta. Nëse kemi pasur një fëmijë që nota e tij mesatare ka qenë gjashtë apo shtatë, nuk mund të pretendojmë dhe t'i ushtrojmë fëmijës që patjetër të jetë performanca në notën 10, por të pretendojmë që nga shtatë të bëhet në tetë. Pra objektivat që të vendosen të jenë në rritje progresive, por në përputhje me kapacitetet e fëmijës”, thotë Renisa Beqiri, psikologe.

Viti i ri shkollor për arsimin bazë dhe të mesëm do të nisë më 8 shtator dhe do të zgjasë deri më 12 qershor. Ndërkohë, të hënën ka nisur edhe shpërndarja e librave falas për rreth 236 mijë nxënës në të gjithë vendin.

G.M./SI.E./ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Aksidentet e rënda rrugore, a duhen ashpërsuar dënimet në Kodin Penal?