Vendime gjykatash që kundërshtojnë njëra-tjetrën, dhe përplasje institucionale për ekzekutimin e vendimeve që zgjasin me vite të tëra. Konflikti për pronën në Shkodër që i mori jetën gjyqtarit Astrit Kalaja në sallën e gjyqit, rezulton të jetë një sagë e vërtetë procesesh gjyqësore. Një kalvar gati 30 vjeçar ku janë përfshirë disa palë, që nga Komisioni i Kthimit të Pronave në Shkodër, te Zyra e Përmbarimit, familja e Gjon Shkambit dhe banorët e vendosur në godinën e ish shkollës së Rezervave në Shkodër.
***
Një vendim i 05 korrikut 1996 i Komisionit të Kthimit e Kompensimit të Pronave të Shkodrës e njeh zyrtarisht familjen Shkambi si pronare të sipërfaqes 4053 m² në lagjen “Skënderbeg” të qytetit, të cilin komunizmi e kishte zaptuar dhe kishte ndërtuar aty mes të tjera edhe ish shkollën e Rezervave dhe konvikteve. Por më herët Bashkia e Shkodrës kishte vendosur aty, që prej vitit 1992, më shumë se 30 familja të pastreha. Dhe këtu nis një konflikt gati 30 vjeçar.
Vendimi i parë gjyqësor është i vitit 2002 për rregullim të vendimit të Komisionit të Kthimit dhe Kompensimit të Pronave. Një tjetër vendim po i vitit 2002 e korrigjon atë të mëparshmin duke e ndryshuar një togfjalësh shumë të rëndësishëm në të gjithë këtë proces, në lidhje me godinën nr.11 ish shkolla e Rezervës që në vetvete rezultonte me sipërfaqe 1291 m². Vendimi i parë thoshte “sot e kthyer në shtëpi banimi”, ndërsa vendimi i dytë nga e njëjta gjyqtare Valbona Durraj e përcakton “sot te kthyera në shtëpi banimi pa leje e të zëna forcërisht". Përmes këtij vendimi familjes Shkambi i njihet e drejta e parablerjes së godinës si pronare e sipërfaqes ku ajo ishte vendosur.
Vendimi i vitit 2002, banorët cilësohen si zotërues me forcë
Kryefamiljari i familjes Shkambi, Mark Shkambi, priti gjatë për ta marrë pronën dhe 8 vite më vonë në Gjykatën e Shkodrës kërkon zbatimin e vendimit të 2002-shit, përmes një urdhri ekzekutimi. Kërkesa iu rrëzua në shkallë të parë familjes Shkambi, por Gjykata e Apelit Shkodër më 28 qershor të vitit 2010 vendosi lëshimin e urdhrit ekzekutiv për zbatimin e vendimit të vitit 2002, pra që vendimi i 8 viteve më parë në favor të familjes Shkambi të zbatohej.
Vendimi i vitit 2010, jept urdhri i ekzekutimit për vendimin e vitit 2002 për lirimin e shtëpive
Dy vite më vonë në vitin 2012 familja Shkambi ushtron të drejtën e parablerjes dhe përmes një kontrate me Ministrinë e Financave e blen godinën, kontratë e cituar edhe në vendime gjykatash.
Pas këtij akti, proceset gjyqësore mes palëve vijuan intensivisht, me vendime të kundërta të institucioneve të ndryshme, si gjykatat apo përmbarimi. Çështja merr një tjetër rrjedhë të rëndësishme për shkak të një vendimmarrje në vitin 2022, kur më 13 tetor Zyra e Përmbarimit Shkodër, me përfaqësues përmbarues Tauland Muja, vendos ekzekutimin e vendimeve të 2002-shit dhe të 2010-tës. Fillimisht ai kërkon lëshimin vullnetar të godinës, pastaj pas 3 javësh vendos lirimin e detyrueshëm të pronës nga familjet që konsideroheshin zaptuese.
Banorët në godinë kërkojnë rrëzim të këtij vendimi të përmbarimit pasi sipas tyre ishte i paligjshëm. Më herët kanë marrë vendime gjykatash që në vitin 2013, për sigurim padie kur një tjetër përmbarues kishte marrë të njëjtin vendim, i cili sipas tyre i ishte rrëzuar përfundimisht nga gjykata në vitin 2014. Vendimet e shkallës së parë dhe të apelit të vitit 2013 kishin vendosur sigurim padie për pezullim ekzekutimi 6 muaj.
Gjykata e Shkodrës, ua rrëzon pretendimin banorëve, duke nënvizuar në vendimin e datës 24 nëntor 2022, se interpretimi i vendimeve të mëparshme, që shikojnë si përfitues Gjon Shkambin dhe si debitor vetëm KKKP-në Bashkia Shkodër, është tërësisht i gabuar.
Sipas Gjykatës “Kjo për shkak se paditësit janë posedues të paligjshëm të pasurive, të cilët krahas të tjerash rezultojnë t'i mbajnë këto pasuri me dhunë apo forcë. Kjo formë e posedimit të pasurisë nuk gëzon asnjë mbrojtje ligjore, aq më pak përkundrejt pretendimeve të pronarit të pasurisë”
Pjesë nga vendimi i Gjykatës 24 nëntor 2022, i jep të drejtë familjes Shkambi
Ky vendim ka marrë formë të prerë më 30 janar 2023.
MBROJTJA E GJON SHKAMBIT, VENDIMET E GJYKATAVE NE VITET 2002, 2010 DHE 2022
Pas këtij vendimi, vjen çështja që i mori jetën edhe gjyqtarit Astrit Kalaja, edhe pse jo thelbësore për konfliktin sepse lidhet vetëm me gjobat. Në datën 3 tetor 2023, Zyra Përmbarimore Shkodër ka gjobitur Ragip Kurtajn, Gjok Martinin, Seladin Brankajn, Dukate Lekën, Palë Rrethajn, Gjelosh Sufajn, Pashko Pepnikun, Mark Colajn, Ndue Pllumbin, Ndoc Ndocіn, Petrit Kerrçin, Mirash Pepajn dhe Mitër Thaçinajn me nga 500 mijë lekë të vjetra gjobë për shkak të mbajtjes forcërisht të pronës.
Të gjithë të gjobiturit, 13 familje, i janë drejtuar Gjykatës së Shkodrës me "kërkesëpadi”, ku kanë kërkuar anulimin e gjobave përmbarimore. Në cilësinë e "personit të tretë” në këtë proces gjyqësor ka qenë edhe Gjon Shkambi. Shkalla e parë ka vendosur pranimin e kërkesës së banorëve dhe anulimin e gjobës, vendim të cilin edhe gjyqtari Kalaja e ka lënë në fuqi, e që rezultoi edhe i fundit për të.
Kundërshtimi i gjobës nga familjet
Çështja ishte dërguar në Apel nga Gjon Shkambi, si palë e tretë, dhe në parashtrimet e tij pretendon se është pronar i ligjshëm i truallit dhe tokës, i të dyja pronave me letra edhe në Kadastrën e Shkodrës. Shkambi thotë se edhe pse pronar ligjor i këtyre dy pronave, prej më shumë se 12 vitesh nuk ka mundur t’i disponojë ato për shkak të sagës gjyqësore dhe paaftësisë së institucioneve për të zbatuar vendimet e gjykatave. Mbi 30 herë thotë Gjon Shkambi ka kërkuar përmes policisë dhe përmbarimit lirimin e pronës por sipas tij nuk ka gjetur mbështetje edhe për shkak të ndërhyrjeve të banorëve në polici.
Qëndrimet e Gjon Shkambit në Gjykatë
Në fakt drejtorisë së Policisë së Shkodrës i është kërkuar mbështetje për lirimin e pronave, edhe nga vetë Zyra e Përmbarimit Shkodër. Por blutë e Shkodrës e kanë kundërshtuar ndërhyrjen e tyre aty dhe përmes një shkresë i janë drejtuar me një ankesë edhe Drejtorisë së Përgjithshme të Përmbarimit.
Kjo e fundit e ka vlerësuar vendimin e vartësve të tyre, Përmbarimit Shkodër, të datës 31.10.2022, si të gabuar që në momentin e regjistrimit dhe pranimit për ekzekutim të kërkesës së paraqitur nga Gjon Shkambi.
Si rrjedhojë më 28 tetor të vitit të kaluar, Zyra Përmbarimore Shkodër ka vendosur të pezullojë procedurat e ekzekutimit të lirimit të pronave, duke i dhënë një goditje të fortë pretendimeve të familjes Shkambi. Përmbarimi e kishte marrë këtë vendim duke e argumentuar me vendimet gjyqësore që bien në kundërshtim me njëri-tjetrin, me vendimin administrativ të Drejtorisë së Përgjithshme të Përmbarimit, si dhe me faktin që do duhej pritur një vendim i formës së prerë mbi një tjetër çështje në gjykatë, ku banorët kishin interpretim të vendimeve të vitit 2022.
Ky vendim i Përmbarimit Shkodër është ankimuar nga Gjon Shkambi në Gjykatën e Shkallës së Parë të Shkodrës. Shkambi kërkoi shfuqizimin e pezullimit dhe që përmbaruesi të detyrohet të vijojë ekzekutimin e vendimit të Gjykatës.
Në procesin gjyqësor me gjyqtare Arta Llazarin, përmbaruesi jep një tjetër argument për pezullimin e urdhrit për lirimin e godinës, me vendimmarrjen e 11 korrikut 2024 të Gjykatës së Shkallës së parë e cila kishte shfuqizuar gjobën ndaj 13 familjeve debitore të vendosur më herët nga përmbarimi. Konkretisht gjykata arsyetonte se i vetmi debitor ndaj Gjon Shkambit është Komisioni i Kthimit dhe Kompensimit të Pronave në Shkodër. Madje Gjykata e Shkodrës në korrik 2024 ka thënë se nuk i takon përmbaruesit gjyqësor që të vendosë me interpretim të zgjeruar se çfarë duhet bërë me pronën, kur nuk ka një vendim themeli dhe konflikti për pasurinë duhet të zgjidhet me një gjykim themeli mes këtyre palëve.
“Për sa kohë nuk ka një vendim të tillë që të detyrojë paditësit të kryejnë një veprim të caktuar, përmbaruesi gjyqësor nuk mund të ndërhyjë vetë dhe të vendosë që paditësit duhet të kryejnë veprime të cilat nuk rezultojnë nga ndonjë titull ekzekutivit”, thuhet në vendimin e Gjykatës së Shkodrës.
Qëndrimet e përmbarimit në Gjykatë
VENDIMI I PLOTË I VITIT 2024, QE I JEP TË DREJTË BANORËVE DHE LË NË FUQI PEZULLIMIN E EKZEKUTIMIT
Gjyqtarja Llazari vendosi të mos e pranojë ankimin e Gjon Shkambit dhe la në fuqi vendimin e përmbarimit për pezullim. Për këtë vendim dhe për vonesën e zbardhjes së tij Gjon Shkambi i është drejtuar Avokatit të Popullit dhe ambasadave ndërsa ka kërkuar edhe masë disiplinore ndaj gjyqtares në Inspektorin e Lartë të Drejtësisë. Vetë ILD kërkoi shkarkim ndaj Llazarit por KLGJ vendosi vetëm pezullim për 6 muaj.
Letra që Gjon Shkambi i dërgoi Avokates së popullit, ILD dhe disa ambasadav
Pas zbardhjes së këtij vendimi, kur kishin kaluar plot 10 muaj, në shtator të vitit 2025, Gjon Shkambi e ka bërë një tjetër ankimim. Çështja por pret në Apel, në të njëjtën godinë ku të hënën nipi i tij i mori jetën gjyqtari Astrit Kalaja.
Komente

Shtet vari K
PërgjigjuEdhe pse nuk èshtè fakt aspak dhe e kundèrta èshtè vendim gjykate ,por le ta marrèm si tè kryer qè pronèsia e kèsaj familjeje Shkambi qènkèsh e provuar me vendim gjykate. Nè godinat mbi truallin banojnè familje shqiptare, tè vendosur aty nga bashkia Shkodèr. Kètu, fillon keqkuptimi shqiptar mbi "PRONÈN". Pèr kèta qè mendojnè se dhuna, deri edhe vrasja qènkèsh e justifikuar pèr tè bèrè me atè pronè çfarè duan kèta, qoftè edhe duke nxjerrè nè rrugè qindra banorè qè banojnè aty,,,,duhet tu tregohet me vepra se me shtetin,,,TRIMÈRIA E KAÇAKUT TÈ ÇON NÈ HUMNERÈ DHE TRAGJEDI FAMILJARE. Ky kaos vendimesh, nè vetvete kondradiktore dhe kundèr çdo logjike njerèzore dhe lère mè juridike,,,,èshtè stani ku gatuhet ky bulmet, qè pèrfundon nè mènyrè tè tillè tragjike. Familja Shkambi,,,,NUK KA TÈ DREJTÈ AS LIGJORE DHE AS SHOQÈRORE.
PërgjigjuTani ju qe komentoni jo prona eshte e shenjte... Gjyqtari i shkrete paska pas vetem vendimin e gjobave dhe jo pronesine... si ndiheni tani?
PërgjigjuFamilja Shkambi ka pasur te drejten e zotit te marre proben qe i takon e njohur nga komisioni i kthimit te pronave. Gjyqtaret me vendimet koruptive qe kane dhene duhet te vihen para ligjit. Asnje shtet ne bote nuk i mohon pronen pronarit. Turp per shtetin tone. Edhe gjermani mbas mbarimit te kuftes megjse i perndoqi hebrejte probat ja u ktheu.
Përgjigju