Saga e zgjedhjeve të 11 majit, do të përfundojë sot në KQZ për 4 qarqe. Pasi Kolegji Zgjedhor certifikoi zgjedhjet në Kukës, Gjirokastër, Korçë e Lezhë, Ilirjan Celibashi pritet të shpërndajë mandatet sot në orën 14:00.
Ndërkohë, Kolegji Zgjedhor rrëzoi këtë të martë, 24 qershor, ankimimet e PD-së për Shkodrën, Dibrën dhe Beratin duke thënë se në zgjedhje nuk ka pavlefshmëri dhe ato nuk përsëriten. Për Vlorën, trupa e gjyqtarëve do të vendosë më 26 qershor.
Kështu, Kolegji i hap rrugën ndarjes së mandateve nga Ilirjan Celibashi edhe për këto qarqe duke çimentuar përfundimisht rezultatin e 11 majit.
Më e gjatë rruga e shpërndarjes së mandateve, që është hapi i fundit që KQZ të certifikojë zgjedhjet, duket për 4 qarqet e tjera ku me kërkesë të PD është vendosur hapja e kutive të votimit.
Për Elbasanin, verifikimi i fletëve të votimit është mbyllur, ndërsa në pallatin e Sportit Fahrie Hoti vijon të numërohet Tirana dhe më pas do të vijohet me Fierin e Durrësin.
Komente
