Për kryetarin e Partisë Demokratike, Sali Berisha, fushata e tij për zgjedhjet e 11 majit, e ka një yll: militantin Ilir Vrenozi, i cili nga një takim në Korçë ofendoi edhe kryeministrin Edi Rama. Në një konferencë për mediat, Berisha tha se Vrenozi nuk shitet, ndërsa shtoi se ai e dërrmoi Ramën.
Ai e cilësoi ‘përplasjen’ e tij me kryeministrin Edi Rama si “epik”, ndërsa e krahasoi atë me betejën biblike mes Davidit dhe Goliathit.
“Basha u vu në funksion njëlloj si brava me çelësin, kurse Ilir Vrenozi ishte epik. Ai zhvilloi një betejë si Davidi me Golian. E kllaposi Ramën. E dërrmoi. Mos e pyet. Nuk ka marrë kush përgjigje publike më të trishtë, po të them të vërtetën më poshtëruese.
Se shkon me atë mentalitetin anadollak se do e blej atë. Kur kam blerë ata, do e blej edhe këtë unë. Ai dha një përgjigje.... po kujt t’i japësh se duhet të kesh turp që të turpërohesh. Ky nuk ka turp. Megjithatë Vrenozi është stari i kësaj fushate sepse Vrenozi përfaqëson qytetarin me hallet e tij, por që nuk shitet. Imagjino ti se çfarë oferte do i bënte Rama atij sikur t’i shkonte në podcastin e tij. Kështu që Vrenozi është stari i kësaj fushate. E përgëzova në Korçë, e përgëzoj prapë. Por Ramën e poshtëroj, për aq sa e ndjen Rama poshtërimin”, tha Berisha.
Vrenozi është një personazh që mori vëmendje gjatë periudhës së fushatës, pas lajmeve se kryeministri Rama donte t'ua ‘rrëmbente’ demokratëve, por më pas u shfaq në takimin e Berishës në Korçë. Në fakt, Vrenozi vetëm një muaj në një video shante Berishën për listat e kandidatëve për zgjedhjet e 11 majit.
Lajmi kryesor:
Mziu e nipi denoncohen për dhunë nga zyrtari në Bulqizë, Berisha i del në mbrojtje: Ishte kurth, provokim i Blendi Klosit
SI.E./ReportTv.al