Sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, deklaroi sot se arritja e objektivit të ri për të çuar shpenzimet e mbrojtjes në 5% të Prodhimit të Brendshëm Bruto (PBB) nuk do të kishte qenë e mundur pa presidentin amerikan, Donald Trump.
“Kur u bë president në vitin 2016–2017, ai i detyroi evropianët dhe kanadezët të paguajnë më shumë. Rezultati i asaj faze ishte një rritje e përgjithshme prej 1 mijë miliardë dollarësh në shpenzimet për mbrojtjen nga ana e vendeve evropiane dhe Kanadasë,” tha Rutte gjatë një deklarate për mediat në Hagë, në krah të presidentit amerikan, në ditën e dytë të samitit të NATO-s.
Ai shtoi se në fazën e dytë, kur Trump u rikthye në detyrë në janar të vitit të kaluar, të gjitha vendet që nuk e kishin arritur ende pragun e 2% të PBB-së, tani janë angazhuar për ta realizuar atë. “Ky ishte objektivi i vendosur në Uells në vitin 2014. Shtatë vende nuk e kishin arritur ende dhe disa mendonin se do ta arrinin rreth vitit 2030. Tani, këtë vit, të gjithë – përfshirë Kanadanë, Italinë dhe Belgjikën – janë zotuar ta arrijnë këtë objektiv.”
Rutte deklaroi se: “NATO do të vendosë në mënyrë unanime që vendet të rrisin shpenzimet e mbrojtjes në 5% të prodhimit të brendshëm bruto.”
Ai theksoi gjithashtu se kjo nismë synon një ndarje më të drejtë të barrës financiare brenda aleancës: “Kjo ka të bëjë me faktin që evropianët dhe kanadezët të paguajnë më shumë, dhe jo taksapaguesit amerikanë.”
“Ne do të vendosim sot të arrijmë në 5%. Kjo është për të garantuar sigurinë tonë dhe për t’u mbrojtur nga kundërshtarët, por edhe për të qenë të barabartë me Shtetet e Bashkuara,” theksoi Rutte. “Me këtë 5%, evropianët dhe kanadezët do të përputhin shpenzimet e tyre të mbrojtjes me ato të SHBA-ve. Pra, nuk bëhet fjalë që të paguajnë më shumë taksapaguesit amerikanë, por evropianët dhe kanadezët", tha Rutte.
“Disa mund të më kritikojnë për këtë,” tha ai, “por kur flas me ta, të gjithë më thonë: po, ke të drejtë. Kjo nuk do të kishte ndodhur nëse Trump nuk do të ishte zgjedhur në 2016, rizgjedhur vitin e kaluar dhe nuk do të ishte kthyer në detyrë në janar.”
Lajmi kryesor:
Samiti i NATO-s/ Presidenti amerikan Trump: Sulmet në Iran si Hiroshima, i dhanë fund luftës
SI.E./ReportTv.al