Samiti/ Ministri Hasani: Diaspora rol të pazëvendësueshëm në avancimin e kauzës kombëtare! Borxhlinj ndaj shqiptarëve jashtë kufijve

23 Nëntor 2023, 10:25| Përditesimi: 23 Nëntor 2023, 12:51

  • Share

 

Ministri i Jashtëm Igli Hasani ka mbajtur fjalën në Samitin për Diasporën. Hasani tha se nuk ka mesazh më të bukur bashkimi se salla e mbushur plot. Ministri theksoi se Diaspora ka rol të pazëvendësueshëm në avancimin e kauzës kombëtare, ndërsa u shpreh se jemi borxhlinj ndaj shqiptarëve jashtë kufijve.

S’ka mesazh më të bukur bashkimi se kjo sallë e mbushur plot, kjo mbledhje e shqiptarëve nga mbarë rajoni e bota. Ky samit vjen në një moment kur në shqiptarët më shumë se kurrë kemi arsye të ndihemi mirë me atë çfarë kemi arritur. Kemi shumë për të bërë së bashku për ti çuar më tej e zhvilluar vendet tona, për të konsoliduar ato që kemi arritur. Ajo që mund të bëjë Shqipëria e vetme, Kosova e vetme, vëllezërit në Maqedoni e Mal të Zi, është fare pak krahasuar me atë se çfarë mund të arrijmë të gjithë së bashku. Ky samit është një moment për të forma konkret bashkëpunimi. Sfida është se si të përkthejmë në nisma konkrete atë dëshirë dhe pasion që na bashkon për kombin.

Fjala e plotë

Është vërtet një kënaqësi t’ju mirëpresim në Tiranë, kaq të shumtë, nga çdo anë e kënd i botës. Nuk ka mesazh më të qartë e më të bukur bashkimi sesa kjo sallë e mbushur plot. Sesa kjo mbledhje e madhe e shqiptarëve nga mbarë hapësira shqiptare në rajon – Shqipëria, Kosova, Maqedonia e Veriut, Mali i Zi, Presheva – por edhe nga mbarë bota. Ky Samit vjen në një moment kur ne shqiptarët më shumë se kurrë kanë arsye të ndihen mirë me atë çka kanë arritur. Nga Shqipëria në Kosovë, nga Maqedonia e Veriut në Malin e Zi, nga politika e diplomacia e deri te arti e sporti, kurrë më parë nuk kanë gëzuar shqiptarët një emër e reputacion më të mirë se sot.

Por ky është po ashtu një moment sfidash të paprecedent. Ne sot jetojmë në një botë shumë më të pasigurt sesa një dekadë më parë. Rajoni ynë përballet sot me më shumë pasiguri sesa në çdo moment tjetër në 2 dekadat e fundit. Në këtë kontekst pasigurie globale, ne shqiptarët kemi ditur të konsolidojmë rolin tonë si garantë të orientimit euro-atlantik të rajonit. Kemi ditur po ashtu të promovojmë në sytë e të gjithë botës një model bashkëjetese e dialogu, mikpritje e tolerance që ka bërë që shqiptarët të fitojnë respektin e admirimin e aleatëve, miqve e partnerëve. Por patjetër kemi ende shumë për të bërë. Kemi ende shumë për të bërë së bashku për t’i zhvilluar më tej vendet tona, për të konsoliduar përpara ato që kemi arritur.

Dhe nuk duhet të harrojmë: ajo që mund të bëjë Shqipëria e vetme, Kosova e vetme, vëllezërit e motrat tonë në Maqedoninë e Veriut apo në Malin e Zi të vetëm, është fare pak, krahasuar me ato që mund të arrijmë të gjithë së bashku. Ajo që mund të bëjmë pa vëllezërit e motrat tanë nëpër botë, gjithashtu është fare pak. Sepse Diaspora ka një rol të pazëvendësueshëm në avancimin e kauzës kombëtare. E vërteta është se pa diasporën, shumëçka në historinë tonë do të kishte qenë shumë ndryshe. Që nga roli i arbëreshëve në mbajtjen gjallë të gjuhës e kujtesës, që nga roli i diasporës në rrëzimin e komunizmit apo në luftën çlirimit të Kosovës, e deri tek roli i  gjithë shqiptarëve ne mërgim, në mbijetesën ekonomike, të vendeve tona gjatë viteve të errëta të tranzicionit, ne të gjithë i detyrohemi një borxh të pashlyeshëm bashkatdhetarëve tanë që jetojnë jashtë kufijve të hapësirës shqiptare në rajon.

Prandaj ky Samit, nuk është thjesht një moment simbolik bashkimi. Ky Samit është mbi të gjitha një moment për të eksploruar bashkarish ide e forma konkrete bashkëpunimi. Sfida që kemi përpara është sesi të përkthejmë në projekte e nisma konkrete gjithë atë dëshirë e pasion për kombin që na bashkon. Për këtë arsye ne kemi organizuar disa panele tematike diskutimi, për të arritur së bashku tek ato ide e ato nisma që do të duam të vëmë në jetë, qoftë për sa i përket forcimit të marrëdhënieve midis diasporës dhe vendit amë dhe ruajtjes së identitetit gjuhësor e kulturor, qoftë për sa i përket dimensionit ekonomik, atij social, kulturor e kështu me radhë. Unë s’dua të marr më shumë kohë, por dua ta mbyll fjalën time me një zotim, që rrjeti i përfaqësive të Republikës së Shqipërisë, do të jetë gjithmonë e kudo, dora e shtrirë e shtetit shqiptar ndaj diasporës. Ne do të jemi sytë dhe veshët e shtetit shqiptar, dera jonë e hapur për çdo burrë e grua, të ri e te re në diasporë, që do të punojë e të kontribuojë që punët e shqiptarëve të ecin përpara.


Lajmi kryesor:

Samiti i Diasporës/ Rama: Dita e Alfabetit do jetë festë kombëtare në Shqipëri! Osmani: Shqiptarët në Preshevë diskriminohen! Begaj: Të realizohet vota e emigrantëve


SI.E.//ReportTv.al
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?