Samiti i Diasporës/ Rama: Dita e Alfabetit do jetë festë kombëtare në Shqipëri! Osmani: Shqiptarët në Preshevë diskriminohen! Begaj: Të realizohet vota e emigrantëve

23 Nëntor 2023, 10:14| Përditesimi: 23 Nëntor 2023, 17:11

  • Share

TIRANË- Samiti i Tretë i Diasporës, mblodhi në Tiranë shqiptarë nga çdo cep i botës. Nga politikanë, e deri në emigrantë me histori suksesi. Në këtë ditë bashkimi kryeministri Edi Rama propozoi shpalljen e ditës së Alfabetit, si festë kombëtare. Një mesazh i çoi edhe Albin Kurtit, i cili nuk ishte i pranishëm ndonëse ishte parashikuar të merrte pjesë. Kosova u përfaqësua nga Presidentja Vjosa Osmani.

"Është e çuditshme por prapë e Arbën Xhaferrit i cili nuk jeton më, por pati vizionin të kërkojë që dita e alfabetit të jetë një ditë e njohur si festë kombëtare për shqiptarët e Maqedonisë së Veriut. Tani mendoj se është koha që kjo të jetë një ditë feste kombëtare edhe në Shqipëri dhe patjetër unë besoj se edhe presidentja e Kosovës t’ja japë këtë sugjerim kryeministrit të vetë", tha Rama.

Falënderues për kontributin e tyre, presidenti Bajram Begaj, kërkoi që diasporës t’i shlyhet borxhi për të drejtën e votës.

“Vota, duhet të kenë mundësi të ushtrojnë të drejtën e tyre pa ardhur në Shqipëri. Diaspora të ketë përfaqësim politik për t’u dhënë zë shqiptarëve jashtë vendit. Ju jemi borxhlinj. Në aspektin e remitancave, ideve dhe nismave të ndryshme”, tha Begaj.

Kosova e ka arritur votën e diasporës dhe gjithçka që kërkon është t’i qëndrohet pranë Preshevës që po përballet me spastrim etnik nëpërmjet mjeteve administrative. Të njëjtën thirrje pati edhe kreu i kësaj komune, Shqiprim Arifi.

“Vëllezërit e motrat në Presheve përballen me spastrim etnik. Nuk jeni vetëm, jemi bashkë. Mërgata qëndroi në ballë të luftës për shtet të pavarur. Kontributi e ka shndërruar në krah të fortë ekonomik. Mërgata më në fund do ta ketë të drejtën e votës në ambasada e konsullatat tonë ku jetojnë. Kurrë nuk do të ishim këtu sikur të mos ishit ju” , tha Osmani.

“Po kalon një situatë të pabesueshme. Çdo qytetar mbytet ngadalë nëpërmjet një procesi të spastrimit etnik e burokratik. Kemi front të padukshëm me Serbinë. Të jemi të unifikuar. Çdo ditë që humbim, është një humbje e një qytetari shqiptar në vend autokton. Investoni më shumë kohë", u shpreh Arifi. 

Për kreun e Këshillit të Diasporës Mark Gjonaj, samiti i ardhshëm duhet mbajtur në Kosovë, ndërsa një thirrje e pati për Aleksandar Vuçiç.

“Samiti i diasporës 4 në Kosovë, më pas në Mal të zi edhe në preshevë. Jepja votën e diasporës se e meriton, që të mos shtyhet procesi. Merrni ligjin e Kosovës të votohet në zgjedhjet e ardhshme. Shembuj: 1. U bë Kosova shtet i pavarur. Serbisë një mesazh: Mos na ngacmo Kosovën e kosovarët ma. Të vazhdojnë jetën që meritojnë. 2.Fitorja e kombëtares", tha ai. 

Kryetari i BDI-së në Maqedoninë e Veriut Ali Ahmeti, iu shpreh falënderues kryeministrit Rama, i cili sipas tij e ka ngritur i vetëm zërin për shqiptarinë.

“Vendet tona mund ‘ti kemi shpejt në BE, Europa s’mund të jetë e qetë pa Kosovë, Shqipëri, Mal i Zi e RMV. Një hap para anëtarësimit, duhet edhe më fort ta ngresh zërin., Na ke në krah", u shpreh Ahmeti. 

Mesazhe pati edhe nga zv.kryeministri i Malit të zi dhe Dritan Abazoviç.

“Integrimi i shqiptarëve në Mal të zi Ska ardh rastësisht, por faktorizimi i shtetit amë në drejtimin e Ramës. Për herë të parë anëtarë i GJK është një shqiptar", tha Nik Gjekoshaj. 

(Kliko këtu për të parë axhendën)

Ora 14:24
Pas samitit të diasporës, Rama drekë me Ali Ahmetin, Artan Grubin e Shqipërim Arifin

 

Kryeministri Edi Rama pas samitit të diasporës në Tiranë është parë teksa shkon për drekë me Ali Ahmetin, Artan Grubin e Shqipërim Arifin.

Ora 12:25
Abazoviç në Samitin e Diasporës: Shqipëria ka ndryshuar nga 20 vite më parë! Sot po i tregon botës si krijohet një shoqëri perëndimore

 

Gjatë fjalës së tij në Samitin e Tretë të Diasporës në Tiranë, Dritan Abazoviç tha se Shqipëria ka bërë një transformim të madh shoqëror. Ai tha se sot vendi ynë mban fjalën para tërë botës dhe tregon se si do të krijohet një shoqëri perëndimore dhe moderne.

Sakaq, Abazoviç theksoi se e shikon të ardhmen e politikës paqësore dhe në samitin e katërt që do të mbahet nuk do të ketë asnjë problem.

“Sfida më e madhe për ne është që të mundim vetveten dhe kur ke besim gjithçka arrihet. Vetëm kujtoni si ka qene Shqipëria 20 vite më parë dhe si është tani. Nuk kam menduar se do të pësonte një transformim kaq të madh shoqëror. Unë nuk do të flas vetëm si shoku dhe miku i kryeministrit, por do të them që sot Shqipëria mban fjalën para tërë botës dhe tregon se si do të krijohet një shoqëri perëndimore dhe moderne.

Si qytetar, si shqiptar, si europian jam i gatshëm të ballafaqohem me të gjithë sepse ideja e kombit tonë është që të gjendemi së bashku në koncept, në ligj. Unë e shoh të ardhmen e politikës paqësore, qofshin sfidat që kemi dhe bashkëpunim në shumë fusha.

Jam i sigurt që ky samit i treti tregon një sfidë të madhe që një herë kishim probleme me veten, më pas me të tjetër dhe jam i bindur që kur të vij samiti i katërt nuk do të kemi probleme të tjera. Dje ka qene Dita e Arbëreshëve dhe ai popull ka treguar superioritetin dhe ruajtjen e kulturës së vetë, dhe ka dhënë një kontribut se si një kulturë e madhe italiane mburret me ta. Unë jam i sigurt që në BE ne të gjithë së bashku kemi për të krijuar një vlerë dhe një kontribut më të lartë që e presin kombin tonë në gjeneratat ndër vite”, tha Abazoviç.

Ora 11:55
Dita e Alfabetit të Gjuhës Shqipe, Rama: Unë e dëgjoj presidentin, data 22 nëntor do të jetë festë kombëtare

 

Kryeministri Edi Rama tha ditën e sotme gjatë fjalës së tij në samitin e tretë të Diasporës se 22 nëntori që njihet si Dita e Alfabetit të Gjuhës Shqipe që njihet si festë kombëtare në Maqedoninë e Veriut, të njihet si e tillë edhe në Shqipëri.

Ai i kërkoi presidentes Vjosa Osmani, që këtë t’ja propozonte edhe Albin Kurtit.

“Me një sugjerim shumë të arsyeshëm të presidentit, dua ta kornizoj këtë fjalë edhe në funksion të ftymës së këtij samiti por edhe në funksion të asaj që ka rëndësi të jemi bashkë të ndihmojmë njëri tjetrin. Është e çuditshme por prapë e Arbën Xhaferrit i cili nuk jeton më, por pati vizionin të kërkojë që dita e alfabetit të jetë një ditë e njohur si festë kombëtare për shqiptarët e Maqedonisë së Veriut. Tani mendoj se është koha që kjo të jetë një ditë feste kombëtare edhe në Shqipëri dhe patjetër unë besoj se edhe presidentja e Kosovës t’ja japë këtë sugjerim kryeministrit të vetë. Unë e dëgjoj presidentin për veten time”- u shpreh Rama.

Ora 11:44
‘Dua Lipa e Mira Murati’, Rama: Shqiptarët në botë na kanë mësuar se ëndrrat nuk janë të paarritshme

 

Në Samitin e Diapsorës, kryeministri Edi Rama u ndal teksa shqiptarët e suksesshëm në botë si Dua Lipa, Ermonela Jaho apo Mira Mirati, për të cilët tha se na kanë mësuar se asnjë ëndërr sado e madhe të jetë, kur njerëzit e shohin me sy hapur nuk është e paarritshme.

“Mira Murati, Dua Lipa, Ermonela Jaho, Rita Ora, Igli Tare, Lorik Cana e me radhë. Janë emra të cilët kanë rrugë të ndryshme dhe i kanë arritur në maja të ndryshme të botës, por të përbashkët kanë fuqinë për ti shkuar deri në fund me çdo çmim realizmit të ëndrrës së tyre. Keta janë ata që ne njohim, por sa janë të panjohurit që në jetën e tyre kanë bërë të mundur atë që mundësitë e tyre nuk ua këshillonin ta kërkonin se ishte e pamundur. Nëse ka një mësim nga suksesi i shqiptarëve në diasporë, është mësimi se asnjë ëndërr sado e madhe kur njerëzit e shohin me sy hapur nuk është e paarritshme përderisa e shohin, por sa janë të gatshëm ta synojnë ta arrijnë dhe të paguajeni të gjithë kostot e asaj përpjekje, te ngrihen nga gjitha rrëzimit, ti rezistojnë gjitha lodhjeve dhe zhgënjimeve në atë rrugë”, tha Rama.

Ora 11:34
Rama në Samitin e Diasporës: Udhëkryq që na mbledh bashkë pavarësisht bindjeve politike! Nëse jemi të bashkuar, s'ka objektiv të paarritshëm!

 

Kryeministri Edi Rama ka mbajtur fjalën e tij në Samitin e Tretë të Diasporës, të mbajtur në Tiranë. Ai tha se samiti bashkon të gjithë shqiptarët kudo që ndodhen pavarësisht bindjeve politike.

“Përtej smbolikës ky takim dy ditor vjen edhe me vetëdijen e plotë se në punimet e samitit të cilat zhvillohen intensivisht jashtë këtyre seancave të mëdha plenare, na është besuar mundësia që të komunikojmë së bashku për të shkruar një tjetër faqe të re për Shqipërinë dhe shqiptarët. Samiti është një udhëkryq ku bashkohen të gjithë pavarësisht bindjeve apo përkatësive politike”- u shpreh kryeministri.

Mes të tjerash, kreu i ekzekutivit, përmendi edhe rastin e kualifikimit të kombëtares shqiptare në Euro 2024 si shembull të suksesit të arritur si pasojë e bashkimit të shqiptarëve nga Shqipëria, Kosova dhe Maqedonia e Veriut.

“Nuk mund ta lë pa përmendur se ky samit, ndodh pak ditë pasi njëshat e Shqipërisë dhe Kosovës e Maqedonisë së Veriut së bashku në një skuadër jo vetëm e çuan Shqipërinë në Europë në kuptimin e plotë të fjalës por na treguan se çfarë mund të bëjmë kur bashkojmë forcat dhe kemi një strategji për të fituar. Së bashku, asnjë objektiv nuk e kemi të paarritshëm dhe asnjë ëndërr nuk është e pamundur nëse jemi të vendosur. Nëse ka një mësim të madh që të gjithë mund të marrim në të gjitha nivelet, nga të gjithë ata emra që na bëjnë ne krenar si shqiptarë sepse përmenden me shumë admirim, është mësimi se të gjithë ata kanë pasur një ëndërr shumë më të madhe sesa çfarë mundësitë e tyre mund t’ua këshillonin dhe e kanë bërë realitet”-tha Rama.

Ora 11:16
Samiti i Diasporës, Ali Ahmeti: Edi ngrije zërin fort, na ke në krah! Ballkani Perëndimor e ka vendin në BE

Kryetar i Bashkimit Demokratik për Integrim në Maqedoninë e Veriut, Ali Ahmeti ka folur në samitin e Diapsorës. Ahmeti tha se me punë dhe përkushtim vendet e Balkanit Perëndimor shumë shpejt mund të bëhen anëtare të BE.

Duke iu drejtuar kryeministrit Rama, ai shprehet se duhet ta ngrejë edhe më shumë zërin sesa e ka ngritur deri më tani dhe se të gjithë do i ketë në krah.

“Luftërat i fituam edhe politikisht e ushtarakisht dhe diplomatikisht, sot kemi një luftë të re dhe më të fortë, ti bëjmë të begatë atdheun tonë. Të organizohemi më shumë se fort sesa jemi të organizuar dhe këtë mundësi mërgata e ka. Të gjithë të përkushtohemi, të gjithë të rinjtë të kapin universitetet më të mira të Europës e SHBA dhe ti kthehen atdheu të tyre. Sot me dituri e mençuri në vendet tona mund ti kemi shumë shpejt anëtare të BE, ashtu siç jemi në NATO. Nesër duhet të jemi në BE. Europa nuk duhet të jetë e qetë pa Shqipërinë, Maqedoninë, Kosovën, malin e zi. Nuk mund të ketë paqe, stabilitetit e siguri pa Ballkanin Perëndimor, djepi i Europës është Mesdheu, prandaj ne vendin e kemi aty. Me përkushtim duhet punuar dhe asgjë e parealizueshme nuk mund të jetë. I dashur Edi mendoj që ne jemi një hap para anëtarësimit. Edhe pak duhet edhe më fort të ngresh zërin, ashtu siç e ke ngrit deri tani, në tjerët s’na ke pas, por na ke në krah”, tha Ahmeti.

Ora 10:51
Samiti III i Diasporës në Tiranë, Osmani: Shqiptarët e Preshevës, Bujanovcit dhe Medvegjës po përballen me spastrim etnik nëpërmjet mjeteve administrative

 

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka mbajtur fjalën e saj në samitin e tretë të Diasporës në Tiranë. Ajo tha se pavarësisht se shqiptarët janë shpërndarë anembanë globit, ata ruajnë vlerat dhe traditat e tyre.

Ndërsa duke folur për rolin e madh të Diasporës shqiptare, Vjosa Osmani nuk la pa përmendur edhe shqiptarët e Preshevës, Medvegjës dhe Bujanovcit, duke thënë se ata të cilët banojnë në këto treva, po përballen me spastrim etnik nëpërmjet mjeteve administrative.

“Përderisa jemi mbledhur sot të gjithë këtu, mos të harrojmë se vëllezërit tonë në Medvegjë, Preshevë dhe Bujanovc ende po përballen me diskriminim etnik dhe përballen me spastrim etnik nëpërmjet mjeteve administrative. Sot iu them nga këtu: ju nuk jeni vetëm. Ne jemi me ju për mbrojtjen e të drejtave tuaja. Roli historik i mërgatës shqiptare është i jashtëzakonshëm. Përgjatë kohës sfiduese ata ishin përkrahës të vendosur të aspiratave tona kombëtare. Është shtylla për lëvizjen kombëtare për liri dhe pavarësi të shqiptarëve. Kanë qenë burim force për ne. Në vitet e 90-ta, mërgata jonë ishte zëri ynë në të gjitha qendrat e vendimmarrjes”- u shpreh Osmani.

Më tej, ajo dha edhe lajmin se shqiptarët e Kosovës të cilët kanë emigruar në vende të ndryshme, së shpejti do kenë mundësinë të votojnë në ambasadat dhe zyrat konsullore nga vendet ku jetojnë.

“Mërgata jonë do ta ketë të drejtën të votojë në ambasadat dhe konsullatat tona në vendet ku ata jetojnë”- shtoi presidentja e Kosovës.

Ora 10:40
Samiti i Diasporës, Begaj: Të realizohet e drejta e emigrantëve për të votuar, e drejtë kushtetuese

 

Në samitin për Diasporën, presidenti Bajram Begaj tha se shqiptarëve që jetojnë në botë duhet t’iu mundësohet e drejta kushtetuese për të votuar në Shqipëri.

Qytetarët shqiptarë jashtë vendit duhet të kenë të drejtën për të votuar, sipas një modeli që shumë vende të tjera e aplikojnë me sukses. Kjo do të kthejë diasporën në aktore të drejtpërdrejtë, duhet të këtë përfaqësim politik që do i japë zë shqiptarëve jashtë vendit, nuk janë objektiva të pa arritshëm, janë nisma të domosdoshme që ne si shqiptarë të jemi bashkë edhe pse larg. Ne u jemi borxhlinj për kontributin e madh që ju jepni. Shqiptarët që kanë jetuar jashtë ndër vite janë kthyere kontribuojnë me ide e nisma të reja në fusha të ndryshme, iniciativa me shumë suksese, studentë, sportistë e profesionistë të shkëlqyer që jetojnë e punojnë jashtë Shqipërisë bëjnë çdo ditë promovimin më të mirë që mund ti bëjnë një vendi.

Ora 10:36
Samiti i Diasporës, Begaj: Promotorë të identitetit tonë, mos harroni gjuhën shqipe

 

Presidenti Bajram Begaj në fjalën e tij në samitin e Diasporës vlerësoi rolin e shqiptarëve jashtë kufijve duke thënë se janë promotorë të kulturës dhe identitetit të Shqipërisë. Begaj tha se nuk duhet harruar gjuha shqipe dhe se prindërit duhet të kenë rol parësor për të përcjellë gjuhën shqipe tek të gjithë ata fëmijë që jetojnë në trevat shqiptare apo në botë.

Kënaqësi që jemi mbledhur nga gjithë anët e botës për të diskutuar për të ardhmen e Shqipërisë sonë. Shqipëria është një vend i vogël, por ju i keni dhënë një shtrirje globale shumë më të madhe se përmasat e saj. Sot qindra e mijëra shqiptarë të diasporës janë shndërruar në histori suksesi, promotorë të kulturës dhe identiteti tonë, kartëvizita e shqiptarisë në botë. Në rrugën tuaj të mbushur me sakrifica se keni harruar kurrë Shqipërinë. Shqipëria nuk e ka luksin ta neglizhojë diasporën, s’duhet ta shohim si pjesë të shkëputur, por si zgjatim të identitetet tonë. Vendi ynë vetëm ka përfituar nga bijtë e saj jashtë. Kemi akoma shumë për të bërë. Do mbështes punën për shpërndajnë e librave shqip, por kjo nuk mjafton, fëmijët duhet të kenë më shumë mundësi për të mësuar shqip. Përdorimi i gjuhës shqipe s’mund të bëhet me urdhër. Roli i prindërve në përcjelljen e gjuhës shqipe është parësor. Mësimi i gjuhës shqipe duhet të jenë prioritet që na bashkojnë.

Ora 10:25
Samiti/ Ministri Hasani: Diaspora rol të pazëvendësueshëm në avancimin e kauzës kombëtare! Borxhlinj ndaj shqiptarëve jashtë kufijve

 

Ministri i Jashtëm Igli Hasani ka mbajtur fjalën në Samitin për Diasporën. Hasani tha se nuk ka mesazh më të bukur bashkimi se salla e mbushur plot. Ministri theksoi se Diaspora ka rol të pazëvendësueshëm në avancimin e kauzës kombëtare, ndërsa u shpreh se jemi borxhlinj ndaj shqiptarëve jashtë kufijve.

S’ka mesazh më të bukur bashkimi se kjo sallë e mbushur plot, kjo mbledhje e shqiptarëve nga mbarë rajoni e bota. Ky samit vjen në një moment kur në shqiptarët më shumë se kurrë kemi arsye të ndihemi mirë me atë çfarë kemi arritur. Kemi shumë për të bërë së bashku për ti çuar më tej e zhvilluar vendet tona, për të konsoliduar ato që kemi arritur. Ajo që mund të bëjë Shqipëria e vetme, Kosova e vetme, vëllezërit në Maqedoni e Mal të Zi, është fare pak krahasuar me atë se çfarë mund të arrijmë të gjithë së bashku. Ky samit është një moment për të forma konkret bashkëpunimi. Sfida është se si të përkthejmë në nisma konkrete atë dëshirë dhe pasion që na bashkon për kombin.

Fjala e plotë

Është vërtet një kënaqësi t’ju mirëpresim në Tiranë, kaq të shumtë, nga çdo anë e kënd i botës. Nuk ka mesazh më të qartë e më të bukur bashkimi sesa kjo sallë e mbushur plot. Sesa kjo mbledhje e madhe e shqiptarëve nga mbarë hapësira shqiptare në rajon – Shqipëria, Kosova, Maqedonia e Veriut, Mali i Zi, Presheva – por edhe nga mbarë bota. Ky Samit vjen në një moment kur ne shqiptarët më shumë se kurrë kanë arsye të ndihen mirë me atë çka kanë arritur. Nga Shqipëria në Kosovë, nga Maqedonia e Veriut në Malin e Zi, nga politika e diplomacia e deri te arti e sporti, kurrë më parë nuk kanë gëzuar shqiptarët një emër e reputacion më të mirë se sot.

Por ky është po ashtu një moment sfidash të paprecedent. Ne sot jetojmë në një botë shumë më të pasigurt sesa një dekadë më parë. Rajoni ynë përballet sot me më shumë pasiguri sesa në çdo moment tjetër në 2 dekadat e fundit. Në këtë kontekst pasigurie globale, ne shqiptarët kemi ditur të konsolidojmë rolin tonë si garantë të orientimit euro-atlantik të rajonit. Kemi ditur po ashtu të promovojmë në sytë e të gjithë botës një model bashkëjetese e dialogu, mikpritje e tolerance që ka bërë që shqiptarët të fitojnë respektin e admirimin e aleatëve, miqve e partnerëve. Por patjetër kemi ende shumë për të bërë. Kemi ende shumë për të bërë së bashku për t’i zhvilluar më tej vendet tona, për të konsoliduar përpara ato që kemi arritur.

Dhe nuk duhet të harrojmë: ajo që mund të bëjë Shqipëria e vetme, Kosova e vetme, vëllezërit e motrat tonë në Maqedoninë e Veriut apo në Malin e Zi të vetëm, është fare pak, krahasuar me ato që mund të arrijmë të gjithë së bashku. Ajo që mund të bëjmë pa vëllezërit e motrat tanë nëpër botë, gjithashtu është fare pak. Sepse Diaspora ka një rol të pazëvendësueshëm në avancimin e kauzës kombëtare. E vërteta është se pa diasporën, shumëçka në historinë tonë do të kishte qenë shumë ndryshe. Që nga roli i arbëreshëve në mbajtjen gjallë të gjuhës e kujtesës, që nga roli i diasporës në rrëzimin e komunizmit apo në luftën çlirimit të Kosovës, e deri tek roli i  gjithë shqiptarëve ne mërgim, në mbijetesën ekonomike, të vendeve tona gjatë viteve të errëta të tranzicionit, ne të gjithë i detyrohemi një borxh të pashlyeshëm bashkatdhetarëve tanë që jetojnë jashtë kufijve të hapësirës shqiptare në rajon.

Prandaj ky Samit, nuk është thjesht një moment simbolik bashkimi. Ky Samit është mbi të gjitha një moment për të eksploruar bashkarish ide e forma konkrete bashkëpunimi. Sfida që kemi përpara është sesi të përkthejmë në projekte e nisma konkrete gjithë atë dëshirë e pasion për kombin që na bashkon. Për këtë arsye ne kemi organizuar disa panele tematike diskutimi, për të arritur së bashku tek ato ide e ato nisma që do të duam të vëmë në jetë, qoftë për sa i përket forcimit të marrëdhënieve midis diasporës dhe vendit amë dhe ruajtjes së identitetit gjuhësor e kulturor, qoftë për sa i përket dimensionit ekonomik, atij social, kulturor e kështu me radhë. Unë s’dua të marr më shumë kohë, por dua ta mbyll fjalën time me një zotim, që rrjeti i përfaqësive të Republikës së Shqipërisë, do të jetë gjithmonë e kudo, dora e shtrirë e shtetit shqiptar ndaj diasporës. Ne do të jemi sytë dhe veshët e shtetit shqiptar, dera jonë e hapur për çdo burrë e grua, të ri e te re në diasporë, që do të punojë e të kontribuojë që punët e shqiptarëve të ecin përpara.

SI.E.//ReportTv.al
Komento

Komente

  • Kuqezi: 23/11/2023 18:14

    Mire e the shqiptaret ne bote, se ne Shqiperi zi e me zi, pa te kuq fare!

    Përgjigju
  • S’ka problem: 23/11/2023 12:25

    Me ne fund e kuptuat qe jua ka bere mutin populli qe banon ne shqiperi , qe votojne vetem administrata duke i marre ne telefon ,shkurt me zor arritet 30 % Besoj se ky eshte shou i radhes .

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?