Në verën e vitit 2020, ushtarë kinezë dhe indianë u përplasën ashpër në një betejë në kufirin himalajas. Ata lanë pas dhjetëra të vrarë, duke luftuar me shkopinj, leva me gozhdë e gurë, madje edhe me grushte e duar për t’u mbytur njëri-tjetrit në një përrua. Arsyeja pse nuk u përdorën armë zjarri ishte marrëveshja e vitit 1996 – e vetmja marrëveshje e qëndrueshme në një konflikt që zgjat prej 70 vitesh – e cila ndalon përdorimin e armëve të tilla mes patrullave, për të shmangur një përshkallëzim mes dy fuqive bërthamore.
Prandaj nuk janë të parëndësishme fjalët që shkëmbyen dje Xi Jinping dhe Narendra Modi. Presidenti kinez deklaroi se dy vendet “duhet të jenë partnerë e jo rivalë dhe t’i ofrojnë njëri-tjetrit mundësi zhvillimi e jo kërcënime”. Xi shtoi edhe një shprehje tipike mes retorikës dhe poezisë së tij, duke thënë se “zgjedhja e duhur sot është të jemi fqinj të mirë e miq, shokë në kërkimin e suksesit përmes një vallëzimi të dragoit dhe elefantit” (krijesat simbolike të Kinës dhe Indisë).
Nga ana tjetër, kryeministri indian theksoi se bashkëpunimi mes Nju Delhit dhe Pekinit “i shërben interesave të dy miliardë e tetëqind milionë qytetarëve të Indisë dhe Kinës” dhe njoftoi se aktualisht mbizotëron “paqe dhe qetësi” përgjatë 3.488 kilometrave të kufirit. Ky ishte udhëtimi i parë i Modit në Kinë pas shtatë vitesh. Gjatë presidencës Biden, ai ishte afruar me Shtetet e Bashkuara për të kundërshtuar ndikimin e Pekinit, por tashmë India e tij është goditur nga Donald Trump me tarifa deri në 50% për eksportet drejt tregut amerikan. Pikërisht në këtë kuptim duhen lexuar fjalët e Xi për raporte të bazuara mbi suksesin e përbashkët dhe jo mbi kërcënimet. Shtëpia e Bardhë e ka justifikuar këtë ndëshkim me blerjen e naftës ruse nga India. Modi ka deklaruar se India dhe Kina ndjekin autonomi strategjike dhe se marrëdhëniet e tyre nuk duhen parë përmes syve të një vendi të tretë (aludim i qartë për SHBA). Ai ka ngritur edhe çështjen e deficitit tregtar me Kinën, që ka arritur në 99 miliardë dollarë, duke kërkuar një balancim.
Një lojë e ndërlikuar trekëndëshash, ku futet edhe Vladimir Putini, mysafiri tjetër i nderuar i Xi-së këto ditë. Ata zhvilluan një tjetër bisedë të gjatë. Sipas rusëve, është folur gjerësisht për samitin mes Putinit dhe Trump në Alaskë. Në një intervistë për agjencinë Xinhua, Putin ka lavdëruar “vizionin strategjik e global” të partnerit të tij, duke nënvizuar se marrëdhëniet Rusi-Kinë kanë arritur një nivel të paprecedent.
Skena e këtyre takimeve është Tianjin, një metropol mbi 100 kilometra larg Pekinit, ku zhvillohet samiti vjetor i Organizatës së Bashkëpunimit të Shangait (SCO). Ky forum ndërkombëtar u krijua në vitin 2001 nga Kina me Rusinë dhe katër ish-republika sovjetike të Azisë Qendrore (Kazakistanin, Uzbekistanin, Taxhikistanin dhe Kirgizinë). Më vonë iu bashkuan India dhe Pakistani, Irani dhe Bjellorusia. Organizata ka tani 10 anëtarë të plotë, ndërsa 16 shtete të tjera kanë status partnerësh apo vëzhguesish, mes tyre Mongolia, Turqia, Arabia Saudite dhe Egjipti. Së bashku, këto vende përfaqësojnë mbi 40% të popullsisë botërore dhe të paktën 25% të PBB globale.
Prania e Modit, Putinit dhe të tjerëve si Erdogani e presidenti iranian Pezeshkian, i dha Xi-së mundësinë të rilançojë idenë e tij për një rend botëror alternativ ndaj atij perëndimor, të dominuar nga Uashingtoni dhe i tronditur nga politikat e Trump, i cili ka ndëshkuar Bashkimin Evropian dhe ka vendosur tarifa të larta edhe ndaj aleatëve aziatikë.
Në darkën gala të mbrëmjes së djeshme, presidenti kinez theksoi idenë e konvergjencës së interesave të vendeve të “Jugut global”, duke thënë se Organizata e Bashkëpunimit të Shangait është tashmë e pjekur për të marrë “përgjegjësi të mëdha” dhe për të sjellë “përparim dhe stabilitet për qytetërimin njerëzor”, përmes “një lloj të ri marrëdhëniesh ndërkombëtare”. Putin u shpreh se në Tianjin po zhvillohej një mbledhje e “Shumicës globale”.
Sot është mbyllja e samitit në Tianjin dhe më pas shumë nga të ftuarit do të shkojnë në Pekin për paradën ushtarake të së mërkurës, që shënon 80-vjetorin e fitores së Kinës mbi Japoninë pushtuese. Në tribunë do të jetë Putin, jo Modi: edhe kjo ka domethënien e vet./ Corriere della Sera
Komente
