Jugu i Madh global i mbledhur rreth Xi Jinping është një pasqyrë e largët e asaj që dikur quhej “Bota e Tretë”, të cilën një tjetër udhëheqës kinez, Zhou Enlai, e drejtonte me fjalime në Bandung (Indonezi) 70 vjet më parë. Në atë kohë, Kina maoiste synonte të udhëhiqte vendet “jo të rreshtuara” që refuzonin logjikën e dy blloqeve të Luftës së Ftohtë. Ishte një Kinë shumë e varfër, e ngjashme me shumë vende të pazhvilluara që sapo kishin dalë nga kolonializmi. Bashkimi Sovjetik, në vitin 1955, shihte me armiqësi konkurrencën ideologjike të maoizmit.
Sot, Kina është ekonomia e dytë më e madhe në botë dhe në organizatat ndërkombëtare që udhëheq, shumë vende e shohin si model për t’u ndjekur. Rusia është detyruar të pranojë të hyjë në orbitën ekonomike të Pekinit. Për disa liderë të Jugut global, toni anti-perëndimor risjell kujtimin e vitit 1955. Por realiteti ekonomik sot është krejt tjetër.
Klubi i vitit 2001
Organizata e Bashkëpunimit të Shangait (SCO), samitin e së cilës po e kryeson Xi Jinping në Tianjin, u krijua në vitin 2001 si një klub rajonal mes Kinës, Rusisë dhe disa republikave të Azisë Qendrore. Në fillim të mijëvjeçarit, pesha e tyre ekonomike ishte e vogël: së bashku përbënin vetëm 5% të PBB-së botërore. Një çerek shekulli më vonë, panorama është transformuar rrënjësisht: pjesërisht falë zgjerimit të SCO-së, por sidomos për shkak të rritjes ekonomike të disa vendeve anëtare.
Me hyrjen e Indisë, Pakistanit, Iranit dhe më pas Bjellorusisë, sot SCO përfaqëson gati një të katërtën e ekonomisë botërore: 24,7% të PBB-së globale. Ky është një hap i madh që reflekton dy zhvillime paralele: rritjen e Kinës dhe Indisë, si dhe zgjerimin e një organizate që Pekini e sheh si kundërpeshë ekonomike dhe gjeopolitike ndaj Perëndimit.
Marrëdhëniet e brendshme
Megjithatë, rëndësia e bllokut nuk matet vetëm në raport me botën, por edhe nga kohezioni i brendshëm. Të dhënat tregojnë një realitet më të ndërlikuar. Shkëmbimet tregtare mes vendeve të SCO-së po rriten, por mbeten ende të kufizuara dhe të pabarabarta. Çifte të caktuara udhëheqin këtë dinamikë: tregtia Kinë–Rusi ka arritur në 245 miliardë dollarë në vitin 2024; Kina–Indi mbi 138 miliardë; Rusi–Indi rreth 70 miliardë. Në total, tregtia brenda hapësirës së SCO-së arrin 700–900 miliardë dollarë në vit.
Krahasuar me varësinë e madhe që kjo organizatë ka nga Perëndimi, shifrat janë të dobëta. Vendet e SCO-së tregtojnë shumë më tepër me vendet e industrializuara të OECD-së (kryesisht Perëndim, plus Japoni e Kore e Jugut) sesa me njëra-tjetrën. Vetëm Kina ka me Bashkimin Evropian mbi 730 miliardë dollarë shkëmbime në vit dhe me SHBA edhe 582 miliardë të tjera. Pra, tregtia e Kinës me këto dy qendra perëndimore është më e madhe se gjithë tregtia brenda SCO-së.
Krahasimet
Edhe brenda vetë Jugut global ka ndodhur një “tërmet” në ekuilibrat ekonomikë. Në vitin 2001, peizazhi ishte ndryshe. Kina prodhonte një PBB prej 1.339 miliardë dollarësh, vetëm katër herë më shumë se Rusia (307 miliardë). Por në atë kohë rusët kishin të ardhura mesatare dy herë më të larta se kinezët: 2.100 dollarë kundrejt 1.000 dollarëve për frymë. Kjo i jepte Moskës ende njëfarë prestigji.
Sot situata është përmbysur. Në vitin 2025, Kina ka kaluar 19.000 miliardë dollarë PBB, ndërsa Rusia ndalet pak mbi 2.000 miliardë. Raporti është 9 me 1. Diferenca e të ardhurave mesatare pothuajse është zhdukur: kinezët kanë arritur në 13.600 dollarë për frymë, rusët janë në 14.400.
India
Krahasimi me Indinë tregon një tjetër histori. Në vitin 2001, ekonomia kineze ishte trefishi i asaj indiane: 1.339 miliardë kundrejt 476. Një kinez prodhonte më shumë se dyfishin e një indiani. Sot, hendeku është zgjeruar. Me PBB rreth 4.000 miliardë dollarë, India ka një ekonomi katër herë më të vogël se Kina. Në të ardhura për frymë, diferenca është bërë edhe më e madhe: kinezët fitojnë gati pesëfishin e indianëve, 13.600 kundrejt 2.950 dollarëve.
Anti-amerikanët
Në vitin 2001, SCO ishte një klub me dy aktorë kryesorë – Rusinë dhe Kinën – dhe disa vende të vogla të Azisë Qendrore. Sot, Kina është një gjigant që e errëson si Moskën, ashtu edhe Nju Delhin. Rritja e Kinës i ka shtyrë të tjerët në role dytësore, edhe pse organizata preferon të paraqitet si multipolare.
Në këtë ekuacion, marrëdhëniet me Shtetet e Bashkuara mbeten vendimtare. Boshti Xi–Putin ka si element bashkues antagonizmin strategjik ndaj Amerikës. India, nga ana tjetër, është parë shpesh nga kinezët si një partner i pasigurt, madje si një “agjent filo-amerikan” brenda SCO-së. Rreth kësaj mbetet për t’u parë nëse tensionet aktuale tregtare e politike mes Narendra Modit dhe Donald Trump do të mjaftojnë për të kapërcyer dallimet e thella të interesave mes Pekinit dhe Delhit./ Corriere della Sera
Komente

Keta qe jane mbledhur aty do te komandojne boten ne vitet qe do te vijne kurse cfare jane ato G7 do te ngelen e shkuara e historise , bota ndryshoj shume shpejt po ashtu edhe fuqia qe iku nga vendet perendimmore
Përgjigju