Paqja duhet bërë me armiqtë. Nëse kjo thënie është e vërtetë, atëherë nga mungesat në ceremoninë e djeshme në Sharm el Sheikh kuptohet se sa e ndërlikuar do të jetë të shndërrohet suksesi i arritur nga presidenti Trump me fazën e parë të marrëveshjes për Gazën, dhe lirimin prekës të pengjeve, në paradigmën e re mbi të cilën ai synon të ndërtojë të ardhmen e gjithë Lindjes së Mesme si “qendra gjeografike e botës dhe kryqëzimi i kulturave dhe tregtisë”.
Në sallë ishte gjysma e botës, dhe kjo është një dëshmi e qartë jo vetëm për rezultatin praktik tashmë të arritur nga presidenti amerikan, por edhe për premtimet që mund të mbajë për të ardhmen: “Lufta e Tretë Botërore nuk do të fillojë këtu. Shpresoj të mos fillojë fare, nëse do të jemi të zgjuar, por sigurisht jo këtu”. Putin dhe Xi janë të paralajmëruar, sepse dy frontet e tjerë potencialë janë Rusia me Ukrainën dhe Kina me Tajvanin. Megjithatë, për arsye të ndryshme mungonin kryeministri izraelit Netanyahu dhe përfaqësuesit e Hamasit – çelësat për realizimin e fazës së dytë në Gaza – si dhe Irani, nga i cili kalon mundësia për të ndërtuar një paqe gjithëpërfshirëse dhe të qëndrueshme në të gjithë rajonin, edhe sikur të gjitha vendet arabe sunite të vendosin të bashkohen me Marrëveshjet e Abrahamit, siç shpreson kreu i Shtëpisë së Bardhë.
Trump ka zgjedhur një strategji të pazakontë dhe pragmatike, siç dëshmon drita jeshile për takimin ballë për ballë midis të dërguarve të tij Steve Witkoff dhe Jared Kushner me delegacionin e Hamasit, për të dhënë garanci se do ta pengonte Netanyahun të rifillonte luftën pas lirimit të pengjeve dhe për të mbyllur marrëveshjen. E njëjta gjë ndodhi kur, ndërsa Air Force One e çonte nga Izraeli në Sharm, ai deklaroi se grupi përgjegjës për sulmin e 7 tetorit tani dëshiron “të ndalë problemet”, prandaj “ne dhamë miratimin për një periudhë kohe” që forcat e tij të sigurisë të vendosen në disa zona të Rripit për të shmangur boshllëqet e pushtetit. Megjithatë, detajet e fazës së dytë mbeten të paqarta, si çarmatimi i Hamasit, internimi i udhëheqësve të tij dhe përfundimi i tërheqjes izraelite.
Për të mos folur pastaj për mënyrat e rindërtimit dhe perspektivat për krijimin e një shteti palestinez. Kreu i Autoritetit Palestinez, Abu Mazen, ishte i pranishëm në Sharm dhe është gati të luajë një rol, por vendimet e vërteta u takojnë Netanyahut dhe grupit terrorist, të cilët mungonin. Kryeministri, sepse nuk donte të ndodhej në të njëjtën dhomë me Abbasin, por edhe sepse Turqia dhe Iraku kishin vendosur veton ndaj pranisë së tij. Hamasi, nga ana tjetër, sepse askush nuk dëshironte ta legjitimonte, meqë marrëveshja i mohon çdo rol politik në të ardhmen e Gazës. Kjo tregon sa e vështirë mbetet të përcaktohen dhe zbatohen detajet e fazës së dytë.
Ndoshta kurthe edhe më të rrezikshme kërcënojnë projektin për paqen e përgjithshme në Lindjen e Mesme. Gjatë fjalës së tij në Knesset, vetë Trump tha se “sa bukur do të ishte nëse Irani do të hynte në Marrëveshjet e Abrahamit”, por reagimi i izraelitëve nuk ishte entuziast. Presidenti ka deklaruar se “tani po qëndrojnë në radhë për t’u bashkuar”, por analistët janë të njëzëri në paralajmërimin se pas dy vitesh lufte në Rrip dhe mijëra viktimave palestineze, për vetë Arabinë Saudite është bërë e vështirë të njohë Izraelin, të paktën derisa Netanyahu të jetë ende kryeministër – dhe në çdo rast do të ishte e pamundur ta bënte pa të paktën fillimin e një rruge drejt zgjidhjes me dy shtete. Nëse kjo është e vërtetë për Riadin, imagjinoni për Teheranin.
Trump është i sinqertë kur thotë se do ta dëshironte Iranin në Marrëveshje dhe se është i gatshëm të heqë sanksionet, por përfitimi ekonomik nuk është kurrë arsyeja e vetme që udhëheq zgjedhjet në Lindjen e Mesme. Hamasi, në rast refuzimi, rrezikonte asgjësimin ushtarak, por pas sulmeve ndaj programit bërthamor iranian, kreu i Shtëpisë së Bardhë ka mohuar se dëshiron të shkojë më tej. Përveç nëse nuk e ndryshon mendjen, duhet diçka më shumë për të sjellë në tryezë edhe ajatollahët. /La repubblica
Komente
