Bota

Samiti për sigurinë e Europës dhe luftën në Ukrainë/ Scholz: Mbështetje për Kievin, jo paqe me diktat nga Rusia! SHBA-BE të punojnë së bashku

17 Shkurt, 18:57| Përditesimi: 17 Shkurt, 19:49

  • Share

1739815125_ëebsite1.jpg

Olaf Scholz pas samitit informal mbi sigurinë evropiane dhe luftën në Ukrainë

Kancelari gjerman Olaf Scholz ka hedhur poshtë çdo diskutim mbi dërgimin e trupave paqeruajtëse në Ukrainë, duke e quajtur një debat të parakohshëm dhe të gabuar.

"Mendoj se është krejtësisht e parakohshme të flasim për këtë tani. Madje, jam disi i irrituar nga ky debat," tha Scholz në përgjigje të një pyetjeje mbi këtë çështje.

"Po diskutojmë për negociata paqeje që nuk kanë ndodhur ende, për të cilat ukrainasit nuk kanë thënë po dhe nuk janë ulur në tryezë," shtoi ai.

Duke folur pas samitit informal të liderëve evropianë në Paris, Scholz theksoi se lufta vazhdon dhe se nuk është koha për të diskutuar tema të tilla.

"Ky është debati i gabuar, në momentin e gabuar dhe mbi çështjet e gabuara. Nuk jemi në paqe, por në mes të një lufte që Rusia vazhdon ta zhvillojë," tha ai para se të nisej për në Berlin.

Gjithashtu, kancelari gjerman përsëriti angazhimin e Evropës për të mbështetur Ukrainën dhe kundërshtoi idenë e një paqeje të imponuar.

"Jo një paqe të diktuar për Ukrainën," u shpreh ai.

"Ukraina nuk mund të pranojë gjithçka që i paraqitet, pa kushte. Ukraina mund të ketë besim tek ne, sepse Evropa do të vazhdojë ta mbështesë Kievin",- tha Scholz.

Për më tepër, kancelari gjerman deklaroi Evropa dhe Shtetet e Bashkuara duhet të vazhdojnë të "veprojnë së bashku" për të siguruar sigurinë kolektive. 

"Nuk duhet të ketë ndarje të sigurisë dhe përgjegjësisë midis Evropës dhe Shteteve të Bashkuara," tha Scholz.

"NATO bazohet në faktin që ne gjithmonë veprojmë së bashku dhe ndajmë rreziqet. Kjo nuk duhet të vihet në pikëpyetje",- nënvizoi ai.


Lajmi kryesor:

Udhëheqës të BE-së e NATO-s mblidhen në Paris me kërkesë të presidentit Macron! Diskutojnë për 4 orë mbi sigurinë evropiane dhe luftën në Ukrainë


K.M/ReportTv.al
  • Sondazhi i ditës:

    Grupi i PS në listë të hapur, përveç drejtuesve politikë, si iu duket?