Me iniciativë të presidentit Emmanuel Macron, një samit informal mbi sigurinë evropiane dhe luftën në Ukrainë, u zhvillua në Paris, pasditen e kësaj të hëne (17 shkurt 2025).
Në takimin që zgjati më shumë se 4 orë, në Elysée, morën pjesë 11 liderë evropianë, mes tyre kryeministrin britanik Keir Starmer, kancelarin gjerman Olaf Scholz, kryeministrin spanjoll Pedro Sanchez dhe Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, Mark Rutte. Kryeministri polak, Donald Tusk, mbërriti me vonesë, ndërsa e fundit që iu bashkua samitit ishte kryeministrja italiane Giorgia Meloni.
Qëllimi kryesor i takimit ishte forcimi i unitetit evropian përballë lëvizjeve të presidentit amerikan Donald Trump, i cili ka rënë dakord me presidentin rus Vladimir Putin për nisjen e negociatave, nga të cilat për momentin duket se janë lënë jashtë si evropianët, ashtu edhe vetë Ukraina.
Një nga çështjet e diskutuara ishte mundësia e dërgimit të trupave paqeruajtëse në Kiev.
Scholz, i pari që u largua nga Pallati Élysée, deklaroi qartë se një debat i tillë është "i papërshtatshëm dhe i parakohshëm". Të njëjtin qëndrim mbajtën edhe kryeministri Sánchez, kryeministri Tusk dhe kryeministrja Meloni.
Nesër në Riad do të zhvillohet një takim mes ministrit të Jashtëm të Rusisë, Sergei Lavrov, dhe Sekretarit amerikan të Shtetit, Marco Rubio, ndërsa të mërkurën atyre do t’u bashkohet edhe presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky.
Ndërkohë, presidenti amerikan Donald Trump deklaroi se një takim mes tij dhe presidentit rus Vladimir Putin mund të ndodhë së shpejti.
Ai shtoi se si Kremlini, ashtu edhe Zelensky, duan që lufta të përfundojë sa më parë.
“Ata duan që lufta të marrë fund dhe sa më shpejt” tha ai, duke mohuar se Putin ka synimin të pushtojë të gjithë Ukrainën.
“Jo, mendoj se ai dëshiron të ndalet,” u shpreh Trump.
Në këtë kohë, Ukraina kërkon që Evropa të caktojë sa më shpejt një përfaqësues për negociatat e mundshme të paqes me SHBA-në dhe Rusinë.
Zëvendësshefi i kabinetit të Zelenskyt, Ihor Zhovkva, theksoi se ky vendim duhet të merret menjëherë pas takimit në Paris.
Mark Rutte
"Gati dhe e vendosur. Ky është përfundimi im nga takimi i sotëm në Paris. Evropa është e gatshme dhe e vendosur të bëjë më shumë. Të ofrojë garanci sigurie për Ukrainën. Është e gatshme dhe e vendosur të investojë shumë më tepër në sigurinë tonë. Detajet do të duhet të përcaktohen, por angazhimi është i qartë."
Kështu shkroi Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, në X pas përfundimit të samitit në Paris.
Pedro Sanchez pas samitit informal mbi sigurinë evropiane dhe luftën në Ukrainë
"Fatkeqësisht, ende jemi në luftë" dhe "ende nuk ka kushte për paqe që të na lejojnë të fillojmë të mendojmë" për një mision në Ukrainë.
Kështu u shpreh Kryeministri spanjoll Pedro Sánchez në një konferencë për shtyp pas përfundimit të samitit në Paris, duke iu përgjigjur një pyetjeje mbi mundësinë e vendosjes së trupave në Ukrainë.
"Evropa duhet të përcaktojë, një herë e përgjithmonë, sigurinë dhe mbrojtjen e saj si një e mirë publike dhe nëse, siç beson qeveria spanjolle, kjo është e domosdoshme, atëherë duhet të krijojmë një mekanizëm të përbashkët të BE-së për të financuar dhe rritur kapacitetin tonë të sigurisë dhe mbrojtjes."
"Fleksibiliteti është një lajm i mirë, por nuk është masa e mjaftueshme për të rritur sigurinë dhe mbrojtjen tonë", tha lideri socialist.
Gjatë konferencës për shtyp, Sánchez gjithashtu përsëriti se angazhimi i Spanjës për shpenzimet e mbrojtjes mbetet në nivelin 2% të PBB-së.
Ursula von der Leyen
“Sot në Paris ripohuam se Ukraina meriton paqe përmes forcës. Një paqe që respekton pavarësinë, sovranitetin dhe integritetin e saj territorial, me garanci të forta sigurie. Europa po merr përsipër plotësisht pjesën e saj në ndihmën ushtarake për Ukrainën. Në të njëjtën kohë, kemi nevojë për një forcim të mbrojtjes në Evropë.”
Kështu shkroi Presidentja e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen, në platformën X pas përfundimit të samitit në Paris.
Keir Starmer pas samitit informal mbi sigurinë evropiane dhe luftën në Ukrainë
Fati i Ukrainës “nuk është thjesht një çështje e së ardhmes” së Kievit, por “një çështje ekzistenciale për gjithë Evropën” si kontinent.
Kështu deklaroi kryeministri britanik Keir Starmer për BBC pas samitit në Paris, duke e cilësuar situatën si një "pikë kthese gjeneruese për sigurinë kolektive evropiane dhe britanike". Ai theksoi se vetëm një "paqe e qëndrueshme, që garanton sovranitetin e Ukrainës", mund të shërbejë si një faktor frenues ndaj agresioneve të ardhshme nga Putin.
Njëkohësisht, Starmer mbrojti qasjen e SHBA-së, duke deklaruar se nuk mund të jetë "një surprizë" fakti që Trump kërkon një angazhim më të madh nga Evropa për "sigurinë e saj".
Ai pranoi se Evropa duhet të marrë më shumë përgjegjësi për sigurinë e saj, por shtoi se një "ombrellë sigurie amerikane" mbetet e nevojshme për të garantuar një marrëveshje paqeje në Ukrainë, pasi "vetëm një garanci nga SHBA mund ta ndalojë efektivisht Rusinë e Vladimir Putinit nga një sulm i ri ndaj Kievit".
Kryeministri britanik tha gjithashtu për mediat britanike se javën e ardhshme në Uashington dëshiron të "diskutojë me Donald Trump" mbi vlerësimet e dala nga samiti në Paris, në kuadër të një takimi të ardhshëm evropian.
Po ashtu, ai shprehu dëshirën për të biseduar me Volodymyr Zelensky në ditët në vijim.
Donald Tusk pas samitit informal mbi sigurinë evropiane dhe luftën në Ukrainë
Kryeministri polak Donald Tusk deklaroi se të gjithë pjesëmarrësit në samitin evropian për Ukrainën, i mbajtur në Paris, shprehën "kënvështrime të ngjashme" mbi situatën. Në një konferencë për shtyp pas bisedimeve, ai theksoi se nuk u morën vendime detyruese, por samiti ishte një mundësi e rëndësishme për të harmonizuar qëndrimet mes aleatëve.
Tusk theksoi gjithashtu se marrëdhëniet mes Bashkimit Evropian dhe Shteteve të Bashkuara kanë hyrë në një "fazë të re", pas rizgjedhjes së Donald Trump si president i SHBA.
Ai përsëriti se Ukraina duhet të jetë pjesë e çdo negociate paqeje dhe se një zgjidhje përfundimtare duhet të jetë "e drejtë dhe e qëndrueshme".
Kryeministri polak nënvizoi gjithashtu rëndësinë e bashkëpunimit të ngushtë midis BE-së dhe SHBA-së për hapat e ardhshëm në raport me luftën në Ukrainë, një pikë mbi të cilën të gjithë liderët e pranishëm në takim ishin dakord.
Olaf Scholz pas samitit informal mbi sigurinë evropiane dhe luftën në Ukrainë
Kancelari gjerman Olaf Scholz ka hedhur poshtë çdo diskutim mbi dërgimin e trupave paqeruajtëse në Ukrainë, duke e quajtur një debat të parakohshëm dhe të gabuar.
"Mendoj se është krejtësisht e parakohshme të flasim për këtë tani. Madje, jam disi i irrituar nga ky debat," tha Scholz në përgjigje të një pyetjeje mbi këtë çështje.
"Po diskutojmë për negociata paqeje që nuk kanë ndodhur ende, për të cilat ukrainasit nuk kanë thënë po dhe nuk janë ulur në tryezë," shtoi ai.
Duke folur pas samitit informal të liderëve evropianë në Paris, Scholz theksoi se lufta vazhdon dhe se nuk është koha për të diskutuar tema të tilla.
"Ky është debati i gabuar, në momentin e gabuar dhe mbi çështjet e gabuara. Nuk jemi në paqe, por në mes të një lufte që Rusia vazhdon ta zhvillojë," tha ai para se të nisej për në Berlin.
Gjithashtu, kancelari gjerman përsëriti angazhimin e Evropës për të mbështetur Ukrainën dhe kundërshtoi idenë e një paqeje të imponuar.
"Jo një paqe të diktuar për Ukrainën," u shpreh ai.
"Ukraina nuk mund të pranojë gjithçka që i paraqitet, pa kushte. Ukraina mund të ketë besim tek ne, sepse Evropa do të vazhdojë ta mbështesë Kievin",- tha Scholz.
Për më tepër, kancelari gjerman deklaroi Evropa dhe Shtetet e Bashkuara duhet të vazhdojnë të "veprojnë së bashku" për të siguruar sigurinë kolektive.
"Nuk duhet të ketë ndarje të sigurisë dhe përgjegjësisë midis Evropës dhe Shteteve të Bashkuara," tha Scholz.
"NATO bazohet në faktin që ne gjithmonë veprojmë së bashku dhe ndajmë rreziqet. Kjo nuk duhet të vihet në pikëpyetje",- nënvizoi ai.
Komente
