Saranda ka çelur zyrtarisht sezonin turistik me edicionin e dytë të “Saranda Fish Festival”, një event kulinar që po kthehet në një traditë të dashur për qytetin bregdetar. Nën tingujt e muzikës dhe aromën karakteristike të kuzhinës së detit, bulevardi i Sarandës u mbush me qytetarë dhe turistë të shumtë, të ardhur për të shijuar atmosferën e festës.
Këtë vit, festivali mori një vëmendje të veçantë falë pjesëmarrjes së një delegacioni zyrtar nga qyteti francez i Mentonit, një ndër qytetet më të njohura të rivierës franceze, me të cilin Saranda ka nisur procesin e binjakëzimit. Delegacioni përfshinte figura të larta të pushtetit vendor dhe disa nga shefat më të mirë të kuzhinës franceze.
Në fjalën e tij, Kryetari i Bashkisë Sarandë, Oltion Çaçi, theksoi rëndësinë e këtij bashkëpunimi.
“Saranda Fish Festival nuk është vetëm një festë e kulinarisë lokale, por edhe një mundësi konkrete për të ndërtuar ura bashkëpunimi me qytete të tjera mesdhetare. Jemi të përkushtuar që përmes këtij binjakëzimi me Mentonin, të rrisim cilësinë e shërbimeve, të shkëmbejmë eksperienca dhe të promovojmë Sarandën si një destinacion turistik të nivelit europian.”
Ndërsa nënkryetari i Bashkisë së Mentonit, i emocionuar nga mikpritja, u shpreh se Saranda është një qytet me potencial të jashtëzakonshëm.
“Sa herë vij në Shqipëri, e kam zemrën kuq e zi. Ndihem i emocionuar dhe i impresionuar nga Saranda, një qytet me potencial të jashtëzakonshëm.”
Në festival morën pjesë një pjesë e madhe e restoranteve të qytetit, të cilët prezantuan pjata të ndryshme me bazë peshkun dhe produktet e detit. Pronarët e lokaleve e shohin këtë ngjarje si një mundësi të vlefshme për të promovuar gastronominë vendase dhe për të tërhequr turistë të rinj.
“Për ne është një vitrinë ideale për të treguar cilësinë e ushqimit që ofrojmë dhe për të promovuar prodhimet tona,” tha një nga bizneseve të sektorit të kulinarisë lokale.
Gjatë gjithë mbrëmjes, bulevardi i Sarandës pulsoi nga gjallëria e vizitorëve vendas dhe të huaj, që shijuan jo vetëm pjatat e përgatitura me pasion, por edhe atmosferën e një qyteti që po ngrihet gjithnjë e më shumë në hartën turistike të Mesdheut.
Komente

SARANDA DUHET TE KETE...LULISHTE...SHATERVANE...FUSHA TENISI..BASKETBOLLI..FUTBOLLI...EDHE NJE FUSHE GOLFI..ATEHERE BEHET QYTET TURISTIK.....
Përgjigju