Kronikë

'Saranda është gati', Kryebashkiaku Gurma për Report Tv: Presim t'i afrohemi numrit 800 mijë turistë si në 2019-n

28 Qershor 2021, 16:19| Përditesimi: 28 Qershor 2021, 16:35

  • Share

SARANDË-Saranda është gati dhe pret që në 2 muaj në vijim të ketë një fluks të madh turistësh dhe të mund t'i afrohet vitit më të mirë që ka pasur deri më tani, vitit 2019 kur e vizituan rreth 800 mijë turistë. Kryetari i Bashkisë së Sarandës, Adrian Gurma, në një intervistë dhënë për Report Tv shprehet se ky qytet i ofron të gjitha dimensionet për turistët dhe pritet një fluks nga i gjithë rajoni por edhe vendet e Evropës lindore.

"Në Sarandë fundjavat janë gjithmonë të tejmbushura me turistë nga i gjithë rajoni, por edhe nga vendet lindore si Serbia, Ukraina, Bjellorusia etj. Nga kontaktet që kam pasur edhe me operatorë turistikë presim që të vijnë me çartera edhe rusë. Situata është mjaft e mirë dhe shpresojmë që në vijim të kemi prurje të reja edhe nga vendet e tjera. Investime e fundit e kanë bërë Sarandën një vend mjaft të kërkuar. Saranda nuk ka nevojë për reklamë. Ajo ofron në të gjithë dimensionet e saj më të mirën e mundshme për turistët. Megjithatë edhe pushteti lokal por edhe operatorët turistikë janë kujdesur që këtë vit paketat të jenë jo vetëm më e zgjatur në kohë por edhe e përmirësuar në cilësi. Kemi pasur një gamë të madhe eventesh gjatë gjithë sezonit. Korriku dhe gushti do të jenë të mbushur me një larmi aktivitetesh. Referencat patjetër që ne i bëjmë me vitin 2019, ka qenë një vit shumë i mirë me rreth 800 mijë turistë. Ne shpresojmë që këtë vit t'i afrohemi, pse jo edhe ta arrijmë. Shpresojmë që korriku dhe gushti do të ketë prurje dhe fluks turistësh. Ne do të ishim të lumtur nëse i afrohemi shifrës së para 2 viteve", tha Gurma.

Një vendim i marrë nga bashkia synon eliminimin sa më shumë të jetë e mundur të zhurmave për të pasur sa më shumë qetësi në qytet.

"Ne kemi kufizim dhe ndërprerje të plotë të aktiviteteve që prodhojnë zhurma pasi prioritet absolut merr turizmi. Sektori  e turizmit është kryesor në sezonin e verës kështu që patjetër ka prioritet maksimal. E kemi nxjerrë këtë urdhër shumë më parë se të hyjë në fuqi në datën 1 korrik. Ndërgjegjësohen edhe qytetarët që e kanë pritur shumë mirë por edhe bizneset që merren me biznesin e ndërtimeve", tha kreu i Bashkisë Gurma.  

Sa i përket një problematike të vënë re në disa bashki bregdetare, menaxhimi i mbetjeve, Adrian Gurma thotë se Saranda është bashkia e parë që bën grumbullimin e mbetjeve të riciklueshme në burim.

"Kemi inauguruar vetëm para 2 javësh me ministrin por kishim edhe ambasadorin gjerman. Sa i përket mbetjeve të riciklueshme është vërë edhe qendra e grumbullimit dhe riciklimit të tyre. Në të njëjtën kohë është bërë edhe shpërndarja e kontejnerëve dhe situata këtë vit do të jetë shumë herë më e mirë", tha ndër të tjera në intervistën për Report Tv, kryetari i Bashkisë së Sarandës, Adrian Gurma.

K.T./ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?