Sarandë- Një incident i pazakontë ka ndodhur në qendër të Sarandës, në hyrje të rrugës “Skënderbeu” mbrëmjen e sotme (4 Nëntor).
Një automjet, i cili po lëvizte në drejtim nga sheshi qendror i qytetit, ka humbur kontrollin për arsye ende të paqarta dhe ka goditur katër vazo dekorative që ndodheshin në anë të rrugës, duke shkaktuar dëmtimin e tyre.
Më tej, automjeti ka goditur një motor të parkuar në trotuar, duke i shkaktuar dëme të konsiderueshme edhe këtij mjeti.
Ngjarja ka ndodhur para pak minutash (rreth orës 21:30) dhe për fat të mirë, nuk ka pasur të lënduar, megjithëse dëmet materiale janë të dukshme.
Gazetari i Report TV, Limos Didani, informon se sipas dëshmitarëve, automjeti është larguar nga vendngjarja menjëherë pas aksidentit, pa ndaluar për të parë dëmet e shkaktuara. Banorët dhe kalimtarët në zonë janë alarmuar nga zhurmat e përplasjes, duke thirrur menjëherë policinë për ndihmë.
Policia ka mbërritur në vendngjarje dhe ka nisur hetimet për zbardhjen e rrethanave dhe autorit, teka do verifikojë edhe pamjet e kamerave të sigurisë.