SARANDË- Një anije veliere, 15 metra e gjatë me mbishkrimim “Bavaria 50”, që nuk dihet kujt i përket është gjetur më 10 qershor në ujërat neutralë, rreth 51 milje larg ishullit të Siçilisë në Itali.
Veliera e braktisur është kontastuar nga anija e peshkimit "Rozafa", ekuipazhi i së cilës ishte duke peshkuar në atë hapësirë detare.
Veliera e braktisur nuk kishte njerëz në bord ndërkohë që brenda janë gjetur bidona uji dhe ambalazhe të ndryshme ç’ka ngre dyshime se mund të jetë përdorur për trafikimin e klandestinëve të Lindjes së Mesme.
Burime për Report TV thanë se veliera mund të ketë pësuar defekt dhe më pas është braktisur nga trafikantët.
Kapiteni i anijes së peshkimit “Rozafa” ka njoftuar Kapitenerine e Siçilisë dhe Delta Forcen e Policisë Italiane, të cilët kanë kryer kontrollin fizik, gjatë të cilit nuk kanë konstatuar sende të kundraligjshme.
Në bazë të së drejtës ndërkombëtare të detit, velieren ia kanë dhënë kapitenit të anijes "Rozafa". Mëngjesin e kësaj të mërkure, 14 qershor, mjeti lundrues mbërriti në portin e Limjonit në Sarandë, i sekuestruar nga Policia kufitare e cila po kryen verifikime për itenerarin dhe pronarët e mjetit lundrues.