Sarandë- Plagosën rëndë duke i dhunuar 26-vjeçarin dhe prindërit e tij pas një sherri mes dy familjeve në Sarandë, arrestohen dy vëllezërit e dyshuar të krimit.
Burime zyrtare nga Komisariati bënë me dije ditën e sotme se prangosën të dyshuarit Romeo dhe Fatjon Laze për ngjarjen e ndodhur ditën e diel (17 gusht), në lagjen nr. 4 të qytetit bregdetar.
Krimi ndodhi pas një konflikti për parkimin, kur vëllezërit Romeo dhe Fabion Laze, 45 dhe 39 vjeç, goditën me sende të forta N. A , E. A dhe B. A. Ngjarja ndodhi rreth orës 17:45, ku në konflikt u përfshinë të paktën 6 persona.
Gazetari i report Tv, Limos Didani, informon se ata u goditën me grushte, shkopinj e sende të forta, duke marrë plagë të rënda. Tre personat janë transportuar me autoambulancë drejt Spitalit të Sarandës, ku kanë marrë ndihmën e parë, pasi kishin marrë goditje të shumta në kokë e trup, por fatmirësisht jashtë rrezikut për jetën.
Policia shoqëroi fillimisht 4 persona, ndërsa pas hetimeve arrestoi në flagrancë dy prej tyre për veprën penale “plagosje e rëndë me dashje në bashkëpunim”.
Njoftimi i Policisë Sarandë:
“Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Sarandë arrestuan në flagrancë, për veprën penale “Plagosje e rëndë me dashje”, kryer në bashkëpunim, shtetasit F. L., 39 vjeç, dhe R. L., 45 vjeç, banues në lagjen nr. 4, Sarandë.
Këta shtetas, më datë 17.08.2025, gjatë një konflikti për motive të dobëta, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, kanë goditur me sende të forta dhe plagosur rëndë shtetasit E. A., 26 vjeç, N. A., 59 vjeçe, dhe B. A., 62 vjeç, banues në Sarandë.
Materialet procedurale u referuan në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Sarandë”.
Komente

Duke pare moshen e ketyre te dyve eshtte vertet per te ardhur keq qe arrijne deri ne ate pike paer nje vend parkimi , shume injorance dhe jo tolerrance
Përgjigju