Konispol- Një plagosje me armë ka ndodhur në orët e para të mëngjesit të sotëm (7 korrik) në fshatin Markat. Saimir Haxhi, banor i fshatit Markat, Konispol, është qëlluar me armë zjarri, çifte, dhe është plagosur në këmbë Nga burimet e para dyshohet se ky person ka tentuar për të vjedhur një shtëpi.
I plagosuri u dërgua në spitalin e Sarandës rreth orës 03:45 dhe më pas u transportua për mjekim të specializuar në spitalin e Vlorës.
Sipas njoftimit të policisë 44-vjeçari ka deklaruar se është qëlluar aksidentalisht në këmbë nga një gjuetar i paidentifikuar. Ndërkohë sipas verifikimeve të uniformave blu Saimir Haxhi rezulton i shpallur në kërkim për veprën penale “Keqtrajtim i të miturve”.
Njoftimi i policisë:
Më datë 07.07.2025, rreth orës 03:45, është paraqitur në spitalin e Sarandës shtetasi S. H., 44 vjeç, banues në fshatin Markat, i dyshuar i dëmtuar me armë gjahu në këmbë, jashtë rrezikut për jetën. Ky shtetas ka deklaruar se është qëlluar aksidentalisht në këmbë nga një gjuetar i paidentifikuar, në zonën ndërmjet fshatrave Shalës–Vagalat, Bashkia Konispol.
Nga verifikimet 44-vjeçari rezulton i shpallur në kërkim për veprën penale “Keqtrajtim i të miturve”.
Grupi hetimor vijon punën për sqarimin e plotë të rrethanave të ngjarjes, identifikimin e personave të tjerë të mundshëm të përfshirë, si dhe për verifikimin e deklarimeve të dhëna nga ky shtetas.
Komente
