Sarandë- Policia Rrugore e Sarandës arreston shoferin që dyshohet se është shkaktari i aksidentit të ndodhur dje në plazhin e Borshit, me bilanc vdekjen e dy bashkëshortëve që udhëtonin me një furgon.
I ndaluari është 29-vjeçari me inicialet Myfit Qevani, banues në Vlorë, që dyshohet se udhëtonte me shpejtësi. Nga aksidenti pati edhe dy persona të plagosur, mes të cilëve edhe vetë i arrestuari, që po mjekohen te QSUT në Tiranë.
“Në vijim të veprimeve për dokumentimin e aksidentit të ndodhur më 30 korrik 2025, në rrugën e Plazhit, Borsh, ku humbën jetën dy shtetas dhe u plagosën dy të tjerë, u arrestua në flagrancë, për veprën penale “shkelja e rregullave të qarkullimit rrugor”, drejtuesi i automjetit tip “Benz”, shtetasi M. Q., 29 vjeç, banues në Vlorë”, bëri me dije policia vendore.
Nga veprimet hetimore ka rezultuar se duke drejtuar automjetin tip “Benz”, ka humbur kontrollin mbi drejtimin e mjetit dhe është përplasur me një furgonin që drejtohej nga viktima Kujtim Mehmeti, 66 vjeç, i cili së bashku me gruan e tij pasagjere, D.P., 70 vjeçe, ka humbur jetën në vendngjarje.
Drejtuesi Qevani dhe pasagjeri në automjetin e tij, P. A., 23 vjeç, janë transportuar në QSUT Tiranë, për ndihmë mjekësore të specializuar.
Aksidenti i rëndë ndodhi rreth orës 13:40. Si pasojë humbi jetën drejtësi i furgonit Kujtim Mehmeti dhe gruaja pasagjere. Drejtuesi i 'Benz'-it, Myfit Qevani, dhe miku i tij morën plagë të rënda.
Komente
