Skafi i bllokuar nga Policia Kufitare dhe gjoba e vendosur pronarit

Kronikë

Sarandë/ Shkeli perimetrin e sigurisë dhe rrezikoi pushuesit në plazhin e Borshit, Policia bllokon skafin dhe gjobit pronarin me 100 mijë lekë

5 Korrik, 17:49| Përditesimi: 5 Korrik, 17:56

  • Share

Sarandë- Shkeli perimetrin e sigurisë duke lundruar me mjet lundrues dhe u kthye në rrezik për pushuesit që frekuentonin plazhin në Borsh, bllokohet skafi nga shërbimet e Policisë Kufitare dhe Njësisë Policore Detare në Sarandë.

Gjithashtu u ndëshkua me masë administrative gjobë 100 mijë lekë drejtuesi i mjetit lundrues.

Aksioni erdhi menjëherë pas denoncimit në rrjetet sociale me anë të pamjeve filmike, se një mjet lundrues kishte shkelur perimetrin e sigurisë ujore për plazhistët, duke vënë në rrezik jetën e tyre.

“Shërbimet e Policisë Kufitare pas lokalizimit dhe bllokimit të mjetit lundrues që shfaqej në pamjet e publikuara, kanë ndëshkuar drejtuesin e këtij mjeti, A. Ll., me masën administrative 100 000 lekë, për shkelje të nenit 24/1/c “Zhvillimi i aktiviteteve jashtë zonave të kufizuara”, të ligjit nr. 43/2020”, njoftoi policia vendore.

Policia Kufitare apeloi për të gjithë përdoruesit e mjeteve lundruese, që të respektojnë me rigorozitet perimetrin e sigurisë ujore për pushuesit, të zbatojnë rregullat për përdorimin e mjeteve lundruese dhe të respektojnë zonat e përcaktuara për lundrim me këto mjete.

“Gjithashtu, ftojmë qytetarët që për çdo rast të shkeljes së perimetrit të sigurisë dhe të përdorimit të mjeteve lundruese në mënyrë të parregullt, të denoncojnë në numrin 112, duke iu garantuar reagim të menjëhershëm”, përfundon policia.

A.Q/ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Rama paralajmëron aksion për lirimin e hapësirave publike, si e vlerësoni?