Shoferët e taksive në Sarandë protestuan sërish përpara bashkisë duke kërkuar ndërprerjen e dhënies së liçensave të reja; forcimin e kontrolleve ndaj taksive të palicensuara, të cilat po dëmtojnë konkurrencën e ndershme.
“Kërkesat tona janë: Ndalja e licencave të reja, rikthimi i vendeve të parkimit, kontrolli mbi taksitë nga jashtë territorit dhe njohja e të drejtës së trashëgimit të shërbimit taksi”, shprehen protestuesit.
Po kështu kërkojnë vendosjen e stacioneve të dedikuara për taksitë në zona kyçe të qytetit, për të shmangur kaosin dhe vështirësitë që hasin në parkim.
Taksistët e vetëpunësuar paralajmëruan se, nëse kërkesat e tyre nuk do të merren parasysh, ata do të vijojnë protestat dhe do të përshkallëzojnë reagimin e tyre deri përpara kryeministrisë.
“Bashkia po injoron kërkesat tona. Kemi kërkuar disa herë takim, nuk na presim. Ne nuk do ndalemi, do protestojnë dhe në Kryeministri”, thanë ata.
Përfaqësues të bashkisë ende nuk kanë dhënë deklaratë lidhur me kërkesat e shoferëve të taksive, të cilët protestojnë për herë të dytë brenda një muaji.
Komente
