Sarandë- Policia e Sarandës vijon me kërkimet për gjetjen e një shtetasi portugez 57-vjeçar, i cili u zhduk pasditen e djeshme pasi hyri për t’u larë në det dhe nuk doli më.
Ngjarja ka ndodhur në zonën pranë lagunës së Butrintit, në vendin e njohur si “Buka e Vivarit”, ku Antonio Manuel Antunes Gonçalves po qëndronte për drekë me miqtë e tij.
Sipas dëshmive të shoqëruesve, rreth orës 18:00, Gonçalves është ngritur dhe është futur në det për not, por nuk është rikthyer më. Prej atij momenti, ai ka humbur çdo kontakt me miqtë dhe nuk është parë më as nga banorët apo pushuesit e zonës.
Që prej mëngjesit të sotëm, një mjet lundrues i Policisë Kufitare ka nisur kërkimet në detin e zonës përreth, ndërsa forcat e Komisariatit të Policisë Sarandë po kërkojnë nga toka.
Gjithashtu, është ngritur një grup hetimor që po punon për të zbardhur rrethanat e ngjarjes, ndërsa çdo informacion që mund të ndihmojë në lokalizimin e 57-vjeçarit po trajtohet me prioritet.
Turisti portugez kishte ardhur në Sarandë për pushime me disa miq.
Komente
