Sarandë-Gjykata e Sarandës ka liruar 17-vjeçarin, që plagosi me thikë bashkëmoshatarin e tij, ndaj të cilit ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në shtëpi”.
17- vjeçari u godit tre herë me thikë në stomak dhe ije dhe u transportua drejt Spitalit të Vlorës për mjekim të specializuar, ndërkohë që autori u ndalua nga policia. Në konflikt ishte i përfshirë edhe një person i tretë, shok i personit që u plagos, i cili u shoqërua në Komisariat për të dhënë deklarime.
Pas hetimeve, Prokuroria e Sarandës konstatoi se ngjarja kishte rrjedhë tjetër nga sa u raportua fillimisht. Dyshohet se i plagosuri ka tentuar të godasë i pari, ndërsa autori ka reaguar në kushtet e vetëmbrojtjes. Për këtë arsye, prokurorja Esmeranda Basho ndryshoi akuzën ndaj tij në “Plagosje e rëndë në kapërcim të kufijve të mbrojtjes së nevojshme” dhe kërkoi vlerësimin e ligjshmërisë së arrestimit në flagrancë, si dhe caktimin e masës “Arrest në shtëpi”.
Gjykatësja e hetimeve paraprake, Edona Vajushi, pranoi kërkesën e Prokurorisë, duke vendosur të njëjtën masë sigurie për autorin, i cili brenda shtatë muajsh mbush moshën madhore. Sipas vendimit, ai duhet të qëndrojë në banesën e tij në lagjen nr. 4, rruga “Guri Nazifi”, Sarandë, me përjashtim të orareve të shkollës dhe aktiviteteve edukative, të cilat duhet të miratohen nga Prokuroria.
Si ndodhi ngjarja?
Ngjarja ndodhi më 27 mars në lagjen nr.1 të Sarandës, në rrugën “Bilal Golemi”, ku si pasojë e një konflikti mes adoleshentësh, 17 vjeçari, goditi me thikë në stomak dhe dy herë në ije një 17- vjeçar tjetër. Sipas burimeve, i plagosuri ishte i shoqëruar nga një shok i tij kur është përfshirë në konflikt me bashkëmoshatarin e tij. Pas ngjarjes i mituri u dërgua në spital për të marr ndihmë mjekësore në Spitalin e Vlorës.
Komente
