Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit Ilir Proda, inspektoi zbatimin e masave të posaçme për sezonin turistik në Sarandë. I shoqëruar nga drejtorët e kufirit në Sarandë dhe Vlorë, Proda i porositi të monitorojnë perimetrin e sigurisë, hapësirat publike si dhe të marrin masa për sigurinë rrugore gjatë sezonit.
Proda theksoi se “siguria është pasaporta jonë” dhe kërkoi monitorim të vazhdueshëm të plazheve, kontrolle rigoroze ndaj mjeteve lundruese, tolerancë zero për zaptimin e hapësirave publike, si dhe reagim të menjëhershëm ndaj ndotjes akustike.
“Siguria është pasaporta jonë për qytetarët, vizitorët dhe turistët, ndaj kërkohet më shumë angazhim, profesionalizëm dhe kujdes për çdo pushues e turist, me qëllim që këtë sezon të kemi parametra sigurie akoma më të larta se më parë”, tha Proda.
Ai shtoi se nuk do të ketë asnjë tolerim ndaj atyre që cenojnë perimetrin e sigurisë për pushuesit.
“Do të zhvillohen kontrolle rigoroze ndaj mjeteve lundruese, për dokumentacionin, kapacitetin dhe masat e sigurisë, jelekët e shpëtimit”, nënvizoi Proda.
Kreu i policisë u shpreh se “për zaptuesit e hapësirave publike nuk do të tolerohen. Çdo rast të referohet dhe të ndëshkohet sipas ligjit si dhe të intensifikohen veprimet në kuadër të operacionit “Plazh i lirë”, në bashkëpunim edhe me policitë bashkiake në zonat bregdetare”.
Ai gjithashtu kërkoi rritje të masave në pikat kufitare për të shmangur radhët dhe rritje të sigurisë në akset rrugore përmes përdorimit të teknologjisë inteligjente.
Drejtori i Policisë kërkoi që punonjësit e uniformave blu të jenë shembull në sjellje e komunikim, pasi janë pika e parë e kontaktit me turistët.
Komente
