Rezerva Materiale

Sasia e mallrave të rezervës shtetërore do varet nga numri i popullsisë! Pr/ligji: Strukturë e posaçme për emergjencat, plan 3-vjeçar për planifikimin e rezervave

19 Qershor, 13:34| Përditesimi: 19 Qershor, 13:43

  • Share

Pas 16 vitesh në fuqi ligji “Për Rezervat Materiale të Shtetit’, do të shfuqizohet për t’i lënë rrugë një plani të ri.

Në draftin e ri të hedhur në Konsultim Publik thuhet se rol me rëndësi në planifikimin e rezervës materiale do të ketë edhe numri i popullsisë dhe lëvizjet demografike.

“Shpërndarjen territoriale të rezervave materiale të shtetit – planifikimin e shpërndarjes së rezervës materiale në strukturat e vartësisë, bazuar në numrin e popullsisë, riskun e prekjes së popullsisë së një territori të caktuar nga situata që sjellin nevojën për furnizim”, thuhet në relacionin e projektligjit.

Duke qenë popullsia e vendit nga viti 2008 deri në vitin 2023 ka rënë me afro 200 mijë banor, edhe përllogaritja e sasisë dhe nevojës për mallra rezervë do të varet nga popullsia. Për të bërë planifikimin e ri, ndihmë do të jenë edhe rezultatet e CENS-it të popullsisë që do publikohen këtë muaj.

Numri i popullsisë do të jetë vendimtar edhe për kufirin minimal dhe maksimal të rezervës shtetërore.

“Sasia minimale e mallrave, sipas llojit, do të vlerësohet sasia që duhet të jetë gjithnjë në gjendje për nevoja të furnizimit në raste të situatave të gjendjes së luftës, gjendjes së jashtëzakonshme, fatkeqësisë natyrore apo fatkeqësive të tjera, veprimeve terroriste. Për përcaktimin e këtij limiti sasior do të merren në konsideratë lëvizjes demografike dhe shpërndarja e popullsisë”, thuhet në relacion.

Në projektligj është theksuar që për të menaxhuar situatat e jashtëzakonshme apo gjendjet luftës do të ngrihet ‘Struktura e posaçme’, për menaxhimin e situatave të gjendjes se luftës dhe akteve të ndryshme terroriste, të gjendjes së jashtëzakonshme, të fatkeqësive natyrore apo fatkeqësive të tjera.

Po ashtu do të miratohet edhe ‘Plani Strategjik Afatmesëm i Rezervave Materiale të Shtetit’ i cili është dokumenti bazë i planifikimit dhe zhvillimit të rezervave materiale të shtetit, të vendvendosjes, infrastruktura magazinuese, sistemi i sigurisë të rezervave materiale të shtetit. Ky plan miratohet me vendim të Këshillit të Ministrave dhe rishikohet çdo 3 vjet.

Ndryshe nga ligji i vjetër i cili do të shfuqizohet pasi të hyjë në fuqi drafti i propozuar, fondet për krijimin, plotësimin dhe administrimin e rezervave materiale të shtetit nuk do të përballohen nga buxheti i shtetit, por edhe nga donacionet apo burime të tjera të ligjshme siç është bashkëpunimi me privatin.

Po ashtu sqarohet që rezerva do të përdoret edhe për nevojat e pushtetit vendor.

“Drejtoria e Përgjithshme e Rezervave Materiale të Shtetit vlerëson dhe shpërndan mallra rezervë shteti me kërkesë të prefektit të qarkut, në situatat e emergjencave civile vendore apo emergjenca civile rajonale, ku të përcaktohet lloji i fatkeqësisë, përmbledhje e situatës emergjente aktuale, duke shprehur dhe pamundësinë e pushtetit lokal në mbështetjen e popullsisë, si dhe listën e nevojave për mbështetje”, thuhet në pikën 2 të nenit 7 të projektligjit.

K.T./ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?