Sazan, Karaburun dhe plazhet e mrekullueshme brenda gjirit të Vlorës vijojnë të mbeten destinacionet më të kërkuara nga turistët edhe këtë sezon turistik. Jo vetëm shqiptar, por edhe të huajt, pavarësisht se janë një numër mjaft vogël, nuk i kanë munguar këtyre atraksioneve.
"Jemi nga Tirana. Kjo është hera e parë në Karaburun. Do ta përsërisim sërish këtë aventurë."
"Është hera e dytë që vij. Kam ngelur i kënaqur. Ftoj të gjithë shqiptarët që të pushojnë shqip. Të ushqehemi me gjërat e bregdetit tonë. Është një atraksion i mirë. Edhe ne kënaqemi dhe bizneset private fitojnë".
"Sot do të shkojmë në Sazan-Karaburun. Më kanë thënë se është shumë bukur".
"Jam nga Belgjika. Nuk është hera e parë që vij këtu. Jam shumë i kënaqur. Është shumë bukur. Njerëzit janë të mirë."
Vetë administratorët e mjeteve lundruese në Vlorë pranojnë se COVID-19 ka ndikuar negativisht edhe në aktivitetin e tyre, por shpresojnë që gjatë ditëve në vijim numri i turistëve të rritet dhe situata të stabilizohet.
"Po punohet edhe gjatë javës. Fluksi është gjatë fundjavës. Kryesisht janë shqiptar. Të huajt janë më të pakët. Pritet që pas 20 korrikut të ketë prurje edhe nga jashtë. Sazan-Karaburun janë më të kërkuarat nga të huajt. Gjithë këto bukuri gjynah mos të shfrytëzohen.
Kjo periudhë nuk ka qenë si vitet e huaja. Frika i ka stepur njerëzit. Shpresojmë që për më mirë. që të filloje jeta normale".
Sazan-Karaburun, i vetmi park detar kombëtar i Shqipërisë, ofron atraksione të shumta natyrore, kulturore, historike dhe turistike. Udhëtimi me anije turistike në këto destinacione, i cili bëhet pothuajse çdo ditë, ka nisur prej 2 javësh, kjo për shkak të ngërçit që ka shkaktuar pandemia COVID.