Kuvendi ka publikuar projekt-rezolutën e dorëzuar nga mazhoranca për përkujtimin dhe nderimin e viktimave të gjenocidit në Srebrenicë për seancën që do të mbahet më 7 korrik. Në projekt rezolutë konfirmohet qëndrimi i Shqipërisë se mohimi i gjenocidit të kryer ndaj popullatës boshnjake nga forcat serbe të Bosnjës përbën shkelje të ligjit ndërkombëtar.
"Nxit fenomenin e pandëshkueshmërisë ndaj krimeve të luftës si dhe shkel mbi dinjitetin e më shumë se 8 mijë civilëve që u masakruan në Sreberenicë, të mbijetuarave dhe familjeve të tyre, por edhe ndaj rreth 10 mijë shqiptarëve të vrarë gjatë spastrimit etnik në Kosovë dhe 20 mijë grave të dhunuara nga regjimi serb i Slobodan Miloshevicit;", thuhet në projektrezolutë.
Ndër të tjera theksohet se dënohet fuqimisht çdo prirje dhe veprim për të mohuar publikisht me qëllim ose jo, gjenocidin e kryer në Srebenicë, fshehjen e motiveve, lavdimin e autorëve, ideatorëve dhe mbështetësve të këtij gjenocidi.
Gjithashtu konsiderohet e papranueshme e tejet të rrezikshme vazhdimin dhe përshkallëzimin e retorikës politike nacionaliste, nxitjen e urrejtjes etnike si pasojë e mohimit të gjenocidit të kryer në Srebrenicë, masakrave dhe krimeve të tjera kundër njerëzimit kryer në të gjithë hapësirën e ish Jugosllavisë nga disa individë, grupime, e aktorë politikë e mediatikë brenda e jashtë rajonit të Ballkanit.
Në projektrezolutë, mazhoranca kërkon që të nderojë viktimat e gjenocidit në Srebrenicë dhe, duke iu referuar vendimit të Parlamentit Evropian, të shpallë datën 11 korrik si Ditën e Përkujtimit të gjenocidit në Srebrenicë.
(Kliko këtu për të lexuar dokumentin e plotë, Projekt rezolute për genocidin në Srebenicë )
Kreu i grupit parlamentar të PS, Taulant Balla ka folur për projektrezolutën për gjenocidin në Srebrenicë duke thënë se kanë ftuar përfaqësues zyrtar të Bosnje Hercegovinës që të jenë në Kuvend në seancën që mbahet më 7 korrik.
"Është një dokument që i referohet 3 rezolutave që ka miratuar Parlamenti Europian . Sikurse e dini, PE ka shpallur 11 korrikun si datën e përkujtimit të gjenocidit në Srebreicë dhe përmes diplomacisë parlamentare kemi ftuar përfaqësues zyrtar të Bosnje Hercegovinës që të jenë prezent. Seanca do të zhvillohet më 7 korrik. Unë mendoj që solemniteti i kësaj seance që zhvillohet me 7 korrik. Shqipëria është anëtare e përkohshme e Këshillit të Sigurimit në OKB dhe në qëndrime konseguente të qëverisë së Shqipërisë. Në dokument thesohet qartë qëndrimi i qeverisë shqiptare.
Dua t'ju informoj se dokumenti është punuar nga ekspertët më të mirë dhe në komunikim me institucionet zyrtare. Kuvendi i Shqipërisë nuk do të lejohet të përdoret për axhenda personale të dikujt tjetër dhe të luajnë për kredibilitet apo përfitime personale. Ne do të ecim me një axhendë më komplekse. Në ditët në vjim do të kemi një dokument tjetër që lidhet me luftën në Kosovë, me krimet në Kosovë.
PS ka mbështetur 11 rezoluta dhe deklarata, në 2 prej të cilave është përcaktuar dënimi i gjenocidit serb në Kosovë, por kurrë nuk do të lejoj që ata që kanë mbështetur makinërinë e luftës me naftë kontrabandë, të kërkojnë të lajnë fajet e tyre me rezolutat, prandaj duroni. Në ditët në vijim do të keni dhe dokumentin tjetër e do ju përgjigjem dhe atë ditë", tha Balla.