Seanca për prokurorin Bujar Memia, Artur Metani-KLP-së: Ka shkelje në 4 procese gjyqësore

16 Mars 2021, 11:22| Përditesimi: 16 Mars 2021, 18:21

  • Share

Inspektori i Lartë të Drejtësisë Artur Metani paraqiti në këto momente para Këshillit të Lartë të Prokurorisë parashtresën lidhur me kërkesën për fillimin e procedimit disiplinor ndaj magjistratit Bujar Memia me detyrë Prokuror në Prokurorinë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Krujë.

Metani është shprehur se nga analiza ligjore e fakteve të konstatuara gjatë hetimit disiplinor rezulton se nga ana e magjistratit Bujar Memia janë ndërmarrë veprime apo mosveprime të cilat kanë të bëjnë me mospërmbushjen e pajustifikuar  e funksioneve gjatë dhe pas gjykimit, që kanë sjellë përfitim të padrejtë për palët në një proces gjyqësor në kundërshtim me ligjin, si dhe mosrespektim të rëndë dhe të vazhduar të legjislacionit material dhe procedural penal, akte të konstatuara në 4 procese gjyqësore.

Argumentet e ILD, Artur Metani:

-              nga ana e magjistratit subjekt hetimi disiplinor janë ndërmarrë veprime/mosveprime të cilat kanë të bëjmë me mosrespektim të rëndë dhe të vazhduar të legjislacionit material dhe procedural penal

-              nuk është kërkuar marrja e provave vendimtare për zgjidhjen e çështjes dhe nuk është ushtruar ankim ndaj vendimit pavarësisht mungesës së marrjes së një prove të tillë kryesisht nga gjykata duke mospërmbushur funksionet e veta gjatë gjykimit në ligjshmëri dhe paanësi të prokurorit në mbikqyrjen e ekzekutimit të vendimeve penale

-              mosdhënien e asnjë mendimi/shpjegimi/informacioni/ apo qëndrimi mbi udhëzimin jodetyrues të drejtuesit të prokurorisë për paraqitjen e ankimit nga prokurori i çështjes për shkak të mosmarrjes së provës me ekspert mjeko- ligjor

-              nuk janë respektuar dispozitat penale me karakter urdhërues, të cilat parashikojnë kritere me karakter objektiv, ndalues dhe me një përmbajtje të drejtpërdrejtë dhe lehtësisht të kuptueshme për lirimin e të dënuarit, ku përvoja e gjatë profesionale në detyrë e magjistratit e lejon të interpretojë dhe zbatojë drejt këto dispozita;

-              njohja e cilësisë së dhënë nga gjykata si i paraburgosur të të dënuarit për një periudhë gjatë të cilës, ai ka patur cilësinë e të dënuarit në kundërshtim me parashikimet ligjore

-              qëndrimi pasiv gjatë gjykimit të lirimit me kusht të të dënuarit, megjithëse mori dijeni në këtë gjykim mbi dy vendime të dhëna nga e njëjta gjykatë, e cila gjatë periudhave të njëjta i ka njohur të dënuarit dy cilësi: si i paraburgosur dhe si i dënuar, në funksion të pranimit të çdo kërkese të paraqitur nga ana e tij, të cilat sollën dhe rritje fiktive të periudhës së dënimit të llogaritur për efekt lirimi

-              mosrespektimi i kritereve ndaluese për përfitim amnistie

-              qëndrimet e prokurorit në këto gjykime për pranim kërkese apo lënien e tyre në çmim të gjykatës

-              mosankimi i vendimeve gjyqësore duke passjellë pamundësinë e ushtrimit të kontrollit gjyqësor të vendimeve të dhëna në kundërshtim me ligjin.


Lajmi kryesor:

Bashkëpunoi me gjyqtaren Enkelejda Hoxha për lirimin e Hekuran Billës, zhvillohet seanca në KLP për shkarkimin e prokurorit Bujar Memia


K.T.//ReportTv.al
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?