KORÇË – Një 28-vjeçar është arrestuar nga flagrancë nga policia ditën e sotme, si dhe një tjetër është vënë nën hetim, pasi u kapën teksa transportonin 530 kilogramë produkte ushqimore (fruta të thata).
Dyshohet kjo sasi ushqimore është kontrabanduar nga Greqia, pasi blutë nuk gjetën asnjë faturë blerje në automjetin që po drejtohej nga 28-vjeçari i identifikuar me inicialet A.Sh. (i arrestuar) dhe me pasagjer të riun me inicialet A.Xh., (i vënë nën hetim).
Të rinjtë u ndaluan në në aksin rrugor "Miras-Bilisht" në afërsi të fshatit Kuç, Devoll, teksa po transportonin frutat e thata me një automjet tip "Mitsubishi".
“Në vijim të punës për goditjen e aktivitetit të paligjshëm të kontrabandimit me mallra, informalitetit, si dhe falë inteligjencës policore dhe bashkëpunimit të specialistëve për Hetimin e Krimit Ekonomik-Financiar të DVP Korçë, AMP Korçë-Elbasan dhe shërbimet e Komisariatit të Policisë Devoll, u godit një tjetër rast. Si rezultat u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit A. Sh., 28 vjeç dhe u referuan materialet në Prokurori ku filloi procedimi penal në gjendje të lirë për shtetasin A. Xh., 28 vjeç, të dy banues në fshatin Vidohovë, Devoll.
Shërbimet e Komisariatit të Policisë Devoll, në aksin rrugor "Miras-Bilisht" në afërsi të fshatit Kuç, Devoll, gjatë kontrollit të ushtruar në automjetin tip "Mitsubishi", me drejtues shtetasin A. Sh., dhe pasagjer shtetasin A. Xh., gjetën 530 kg produkt ushqimor (fruta të thata), i cili dyshohet të jetë kontrabanduar nga Greqia”,- njofton policia.
Sasia e produktit ishte e ndarë në kuti, me mbishkrime në gjuhët greke dhe angleze.