Dita e 4 e barrikadave në veri të Kosovës/ Escobar pas takimit me Kurtin: SHBA në krah të Kosovës nëse cënohet siguria! Stoltenberg: NATO është gati

13 Dhjetor 2022, 07:24| Përditesimi: 13 Dhjetor 2022, 22:53

  • Share

SERBI- Për të katërtën ditë me radhë, në veri të Kosovës, disa rrugë vazhdojnë që të jenë të bllokuara. Kamionë të rëndë dhe mjete të tjera vazhdojnë të bllokojnë rrugën në fshatin Rudarë, në Zveçan. Që nga 10 dhjetori, serbët lokalë kanë ngritur barrikada në shenjë pakënaqësie me arrestimin e një ish-pjesëtari serb të Policisë së Kosovës. Po ashtu shkollat vazhdojnë të jenë të mbyllura.

I dërguari i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë - Sebi, Mirosllav Lajçak, ka thënë se preferon rrugën diplomatike për heqjen e barrikadave në veri të Kosovës, dhe jo atë të përshkallëzimit të tensioneve. Ai i ka bërë këto deklarata pas një takimi që ka zhvilluar në Prishtinë me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti dhe të dërguarin e Shteteve të Bashkuara për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar.

Nga ana e tij përfaqësuesi i SHBA tha se situata në veri dhe Asociacioni i Komunave me shumicë serbe, ishin disa prej temave që duket se janë diskutuar në këtë takim. Gabriel Escobar, u takua me presidenten e Kosovës Vjosa Osmani dhe kryeministrin Albin Kurti. Sipas njoftimeve zyrtare, palët kanë dalë në përfundimin se barrikadat duhen hequr në mënyrë urgjente. Në kulmin e tensioneve, Albin Kurti mblodhi qeverinë, ku ka shmangur deklaratat për tensionet, por bëri me dije se brenda javëve do të aplikohet për anëtarësim në BE.

Barrikadat në veri të Kosovës, vijojnë të jenë të pranishme, ndërsa Serbia po këmbëngul në lirimin e ish-efektivit serb në policinë e Kosovës, Dejan Pantiç. Kryeministrja Ana Bërnabiç i bëri thirrje bashkimit Evropian që të ndihmojë për lirimin e Pantiç nga paraburgimi. Bërnabiç tha se kohët e fundit janë arrestuar disa njerëz të pafajshëm dhe vlerësoi se kriza në veri është shkaktuar nga Albin Kurti për të bërë presion mbi Beogradin.

Brnabiç tha se nuk mund t'u bëjë thirrje serbëve që të heqin barrikadat nga veriu i Kosovës nëse forcat speciale të armatosura bastisin kopshtet e fëmijëve të tyre. Nga ana tjetër, Predrag Pantiq, djali i të arrestuarit Dejan Pantiç ka kërkuar që babait të tij t’i dërgohen ilaçe pasi ka 4 ditë pa mjekim, dhe që familjarët të lejohen ta vizitojnë.

Nga ana tjetër, kryetarja e UNMIK-ut ka shprehur sot “shqetësimin serioz” për situatën e brishtë të sigurisë në veri të Kosovës dhe i ka dënuar si të papranueshme “veprimet provokuese” që çojnë në përshkallëzim. Edhe Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, ka bërë thirrje që palët të përmbahen nga përshkallëzimi i retorikës dhe të ndihmojnë në uljen e tensioneve.

Si u përshkallëzua konflikti në veri të Kosovës
Disa serbë në veri të Kosovës, që nga data 10 dhejtor ngritën barrikada dhe bllokuan rrugët që të çojnë drejt pikave kufitare me Serbinë, Jarinjë dhe Bërnjak. Këto veprime i ndërmorën pasi policia e Kosovës arrestoi ish-pjesëtarin e këtij institucioni, Dejan Pantiç, nën dyshimet se ishte përfshirë në sulmet kundër zyrtarëve të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve në veri të Kosovës dhe atyre policorë.

Sulmet ndodhën teksa KQZ-ja po bënte përgatitje për zgjedhjet lokale në komunat veriore: Leposaviç, Zveçan, Mitrovicë e Veriut dhe Zubin Potok. Zgjedhjet u shpallën pasi kryetarët e komunave dhe përfaqësues të tjerë serbë u larguan nga vendet e punës në fillim të nëntorit, duke kundërshtuar një vendim të Qeverisë së Kosovës për të mos lejuar qarkullimin e makinave me targa të lëshuara nga Serbia.

Përfaqësuesit serbë, të mbështetur nga Beogradi zyrtar, i kundërshtuan edhe zgjedhjet, që fillimisht u planifikuan për datën 18 dhjetor. Për shkak të situatës së tensionuar, presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, i shtyu ato për në prill të vitit të ardhshëm. Autoritetet e Kosovës akuzuan “bandat kriminale serbe, të udhëhequra nga Beogradi”, për disa incidente me armë zjarri dhe shok-bomba që ndodhën ditëve të fundit në veri. Zyrtarët serbë thanë se udhëheqësit e Kosovës po përpiqen “t’i dëbojnë” serbët nga veriu.

Ora 22:52
Stoltenberg paralajmëron Rusinë, çdo përdorim i armëve bërthamore në Ukrainë do ketë pasoja, njësoj edhe Serbia për dhunën ndaj Kosovës

1670345154_kosove.JPG

Stoltenberg paralajmëroi se çdo përdorim i armëve bërthamore në Ukrainë do të kishte "pasoja të rënda, dramatike për Rusinë", duke e quajtur retorikën bërthamore të presidentit rus Vladimir Putin "të pamatur dhe të rrezikshme".

Ai e quan strategjinë e ndjekur nga Rusia si të dhunshme, duke vendosur dëmtimin e rrjetit energjitik dhe si pasoje helmimin dhe vdekjen e popullsisë ukrainase. Po e përcjellim me vëmendje situatën në Kosovë. Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s më pas komentoi edhe tensionet mes Kosovës dhe Serbisë.

"NATO është shumë e fokusuar në Kosovë, në Ballkanin Perëndimor. Ne kemi një histori të gjatë, kemi ndihmuar në ndalimin e dy luftërave etnike. Fillimisht në Bosnje dhe Hercegovinë, e më vonë në Kosovë. Natyrisht, ne jemi ende të pranishëm atje, forcat e KFOR-it janë më shumë prej 4000 ushtarësh dhe ata luajnë një rol kyç në stabilizimin e situatës. Forcat tona janë të afta dhe të gatshme. Ushtarët po monitorojnë situatën me vëmendje të madhe. NATO dhe BE bashkëpunojnë shumë ngushtë dhe mesazhi im për të dyja palët është që të përmbahen nga përshkallëzimi shtesë dhe retorika provokuese. U bëj thirrje atyre për të ulur tensionet në Kosovë”, ka shtuar Stoltenberg.

Ora 21:34
Tensionet dhe konflikti, KFOR-i: Jemi në kontakt me autoritetet e sigurisë së Kosovës dhe Serbisë

1670831333_FjtlvQX0AEjuoS.jpg

KFOR është në gatishmëri për çdo zhvillim në veriun e Kosovës dhe përfaqësues të KFOR-it në kanë thënë se janë në kontakt të ngushtë me përfaqësues të forcave të Kosovës dhe ato të Serbisë. Në një përgjigje për Reporterin, KFOR-i nuk janë deklaruar nëse do të ndërhyjnë për heqjen e barrikadave në veri ose jo, mirëpo, theksojnë se janë në koordinim të ngushtë me Policinë e Kosovës dhe EULEX-in.

”KFOR vazhdon të jetë jashtëzakonisht vigjilent dhe plotësisht të aftë të implementojë mandatin e saj të OKB’së për të mundësuar një ambient të sigurt dhe liri të lëvizjes për të gjitha komunitetet që jetojnë në Kosovë. Kjo përfshin patrullat e zgjeruara në veri të Kosovës, në koordinim të ngushtë me Policinë e Kosovës dhe EULEX-in”, thuhet në përgjigjen e KFOR-it.

Përpos Policisë dhe EULEX-it, për ta parandaluar eskalimin e situatës, KFOR thekson se është në kontakt me forca të sigurisë të të dy palëve, ato të Kosovës e të Serbisë.

”Komandanti i KFOR-it vazhdon të jetë në kontakt me homologët e tij, përfshirë përfaqësues të institucioneve në Kosovë dhe Organizatave të Sigurisë të Kosovës, si dhe me shefin e Forcave të Armatosura të Serbisë”, thuhet tutje.

Ora 20:10
SHBA ndaj Vuçiç: Presim t'i vendosësh sanksione Rusisë

1670951020_escobar.JPG

Gabriel Escobar, i dërguari i SHBA për Ballkanin Perëndimor pret që Serbia t'i vendosi sanksione Rusisë.

Këtë e ka thënë ai vet në një intervistë për Radio Evropa e Lirë.

 “Mendoj se kanë disa obligime që dalin nga procesi i anëtarësimit që të përshtaten me Bashkimin Evropian dhe ky është diskutimi që ata po e zhvillojnë me Evropën. Unë i inkurajoj që ta bëjnë një gjë të tillë. Ne kemi një diskutim të vazhdueshëm me presidentin Vuçiç për nismat rajonale, stabilitetin botëror dhe për integritetin territorial evropian. Dhe, më duhet të them, nuk kemi qëndrime shumë të ndryshme sa i përket asaj që po ndodh në Ukrainë”, tha ndër të tjerash ai.

Ora 20:03
Tensionet në veri të Kosovës, reagon Lajçak: Unë jam pro diplomacisë dhe marrëveshjes politike, jo eksavatorëve

1670310242_lajcak.JPG 

Lajçak ka folur për mediat pas takimit me presidentin Kurti. I dërguari i Posaçëm i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi tha se barrikadat në veri të Kosovës nuk duhet të hiqen me eksavatorë, por me diplomaci.

Sipas Lajçak, situatat duhet të zgjidhen marrëveshje politike.

“Jam diplomat. Për mua mënyra më e mirë për t’i larguar barrikadat është si rezultat i një marrëveshjeje politike, jo me ekskavatorë", tha ai.

Ai gjithashtu konfirmoi se do të takohet edhe me komandantin e KFOR’it dhe me shefin e EULEX’it.

Ora 17:40
Serbia kërkon të sjellë ushtrinë në Kosovë, SHBA: Jemi kundër, nëse kjo ndodh, Kosova ka mbështetje nga SHBA

1670923326_w57339112.jpg

Gabriel Escobar, i dërguari i SHBA për Ballkanin Perëndimor kundërshton në mënyrë të ashpër kërkesën e presidentit serb Vuçiç, i cili kërkon të kthejë ushtrinë serbe sërish në Kosovë. I pyetur në një intervistë për REL për qëndrimin e SHBA për këtë situatë të tensionuar në veri të Kosovës dhe për kërkesën e Vuçiç-it, ai ka thënë se SHBA është totalisht kundër kësaj kërkese dhe nëse do jetë e nevojshme ndërhyrja, do jetë në mbështetje për Kosovën.

“ E parë nuk e pres që Serbia të sjellë ushtrinë në Kosovë. E dyta, nëse kjo do ndodhi, Kosova ka garanci të forta sigurie nga SHBA”, tha Gabriel Escobar, i dërguari i SHBA për Ballkanin Perëndimor

Ora 16:40
Kryeministrja e Serbisë i kërkon ndihmë BE për ish-policin serb në paraburgim: Kurti po i bën presion Beograditit

Kryeministrja e Serbisë, Ana Brnabiç i bëri thirrje BE-së që të ndihmojë ish-policin serb Dejan Pantiçin të lirohet nga paraburgimi. Ajo shton se ai ndihet i kërcënuar nga tensionet në veri të Kosovës dhe nga çfarë po ndodh me të.

Në një takim të organizuar nga Oda Ekonomike Amerikane, kryeministrja serbe i është përgjigjur pyetjeve të gazetarëve  dukë i kujtuar ata për situatat që janë degraduar në veri të Kosovës, ku sipas saj njërëz të pafajshëm janë arrestuar.  Madje, ajo fajëson kryeministrin Kurti për situatën e krijuar mes dy vendeve duke thënë se kriza dhe tensioni në veri të Kosovës është një zgjedhje e qëllimshme nga kryemnistri Kurti, me qëllim që t;i bëjë presion Beogradit dhe të ketë mbrojtje nga ndërkombëtarët.

Sipas saj, në Kosovë çdo gjë do të ishte ndryshe nëse do të zbatohej Marrëveshja e Brukselit, sepse situata do të ishte më e qëndrueshme dhe më paqësore, do të vazhdonin bisedimet me Prishtinën dhe do të ktheheshin serbët në institucionet e Prishtinës.

Ora 16:12
Ministria e Brendshme e Kosovës hedh poshtë pretendimet e Vuçiç: Asnjë marrëveshje nuk ndalon forcat tona speciale të vendosen në veri

Asnjë marrëveshje nuk ndalon forcat speciale të Kosovës që të vendosen në veri të vendit pavarësisht se është një zonë e banuar me shumicë nga serbët. Kjo ka qenë deklarata e bërë nga ministria e Brendshme e Kosovës pas këmbënguljes së vazhdueshme të Aleksandër Vuçiç dhe Ana Bërnabiç të cilët deklaronin se Kosova nuk ka të drejtë të bëjë diçka të tillë sepse sipas tyre, ua ndalon vetë marrëveshja e Brukselit e firmosur në 2013-tën.

“Qëllimi i Vuçiqit është që, përmes dezinformimit, të shkaktojë konfuzion dhe pasiguri te qytetarët serbë në Kosovë. Nuk ka asnjë marrëveshje, asnjë dokument apo dakordim për atë që thotë Vuçiq, që Njësia Speciale [e Policisë së Kosovës] nuk mund të shkojë në veri të vendit”, ka deklaruar për REL, Nora Fetoshi, këshilltare për media e ministrit të Brendshëm të Kosovës, Xhelal Sveçla.

Ora 14:47
Tensionet në veri të Kosovës, Kurti takon pasdite Escobarin dhe Lajçakun

1670939325_ccnc.GIF

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, pritet të takohet pasditen e 13 dhjetorit me të dërguarin e Shteteve të Bashkuara për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, si dhe me të dërguarin e Bashkimit Evropian për këtë rajon, Mirosllav Lajçak.

Kurti është takuar me Escobarin edhe një ditë më parë, dhe sipas Zyrës së kryeministrit, palët kanë biseduar për nevojën e heqjes së menjëhershme të barrikadave në veri.

Më 12 dhjetor, kryediplomati evropian, Josep Borrell, ka thënë se i ka kërkuar Lajçakut që të vizitojë rajonin e Ballkanit me qëllim të ofrimit të ndihmës për ulje të tensioneve në veri.

Ora 13:37
Ministrat e BE-së i kërkuan Kosovës të vazhdojë përpjekjet për luftë kundër krimit të organizuar

1670935094_dd.GIF

Procesi i zgjerimit të Bashkimit Evropian dhe situata në vendet e përfshira në këtë proces, përfshirë ato të Ballkanit Perëndimor, janë tema kryesore e takimit të Këshillit të çështjeve të përgjithshme të BE-së, që mbahet të martën në Bruksel. Në këtë takim, ministrat e bllokut miratuan disa konkluzione për përparimin e vendeve në procesin e zgjerimit.

Sipas tekstit, ministrat përshëndetën përparimin që ka bërë Kosova në procesin e reformave, në forcimin e demokracisë dhe sundimit të ligjit, si dhe në luftën kundër korrupsionit, ndërsa kërkuan nga vendi që të vazhdojë përpjekjet për luftë kundër krimit të organizuar.

Kosovës iu shpreh, po ashtu, mirënjohje për mbështetjen e qëndrimeve të BE-së ndaj agresionit të Rusisë në Ukrainë.

Në konkluzion u shpreh mbështetja edhe për liberalizimin e vizave për Kosovën, si dhe pritja që çështja të përmbyllet sa më shpejt, shkruan Rel

Nga Kosova, sikur edhe nga Serbia kërkohet që t’i shtojnë përpjekjet në kuadër të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve me, siç thuhet, “besim të mirë dhe frymë të kompromisit”, për të arritur një marrëveshje ligjërisht obliguese.

Kërkohet që të dyja palët, pa vonesa, t’i respektojnë në tërësi të gjitha obligimet nga dialogu dhe të përmbahen nga veprimet apo deklaratat që nxisin tensione.

Ora 13:28
Tensionet në Veri të Kosovës, ekspertja e SHBA-së: BE duhet ta kuptojë që Serbisë duhet t’i vihen disa kufij

Ivana Stradner, bashkëpunëtore shkencore në Fondacionin për Mbrojtjen e Demokracisë në Uashington, në një intervistë për REL, thotë se thotë se Bashkimi Evropian duhet të jetë sa më i ashpër me Beogradin.

“Bashkimi Evropian duhet ta kuptojë që Serbisë duhet t’i vihen disa kufij. Pra, ndihma më e paktë financiare apo masa të tjera shtesë. Serbia ende nuk i ka vendosur sanksione Rusisë. Pra, nuk është e mjaftueshme që Bashkimi Evropian vetëm të nisë një plan të tillë dhe të mendojë se çështja do të zgjidhet. Vetëm t’ua përkujtoj se para disa javësh (kryediplomati i Bashkimit Evropian, Josep) Borrell tha hapur se shpreson që ky është fundi i situatave intensive ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Nuk kanë kaluar as disa javë dhe ja, tashmë jemi, siç ka thënë ambasadori rus, buzë konfliktit”, është shprehur ajo.

Strander thotë po ashtu se Rusisë i konvenon konflikti në Ballkan” dhe aty po zhvillon luftë hibride.

“Rusisë, për ta destabilizuar Perëndimin, nuk i duhet që t’i shtyjë tanket në Uashington ose Bruksel, por i mjafton që të krijojë vatra të reja, në mënyrë që pesha e përqendrimit të zhvendoset plotësisht në veprimet tjera. Dhe, këtu nuk bëhet fjalë vetëm për Kosovën”, thotë Stradner.

Ora 13:00
Petkoviç i drejtohet EULEX dhe Lajçakut: Ish efektivit serb në burg i rrezikohet jeta! Shihni barrikadat dhe jo të drejtën e tij të mjekimit

1670932885_dddj.GIF

Drejtori i Zyrës për Kosovë dhe Metohi, Petar Petkoviç, përmes llogarisë së tij në Twitter, i është drejtuar EULEX-it dhe Miroslav Lajçakut lidhur me shkeljen e të drejtave të njeriut të të arrestuarit Dejan Pantiq dhe i ka bërë thirrje që të reagojnë.

"Dejan Pantiq për të katërtën ditë nuk ka ilaçe, prandaj është në rrezik jeta! Albin Kurti për të katërtën ditë nuk e lejon një pacient të rëndë të zemrës, i cili së fundmi i është nënshtruar operacionit, të marrë terapinë e nevojshme! Familja e tij nuk mund të kontaktojë me të.

A ka të drejtë të jetojë Dejani? A ka Dejani të drejtën e mjekimit? Apo i mohohen të gjitha këto të drejta vetëm pse është serb? Lejo që ilaçi t'i dorëzohet Dejanit sa nuk është vonë! A E SHIKON ndokush NË EVROPË PËRVOJEN E KËSAJ EKSPERIENCE TË KURTIT APO SHIHEN VETËM BARIKADAT? – ka shkruar Petkoviq.

Ora 12:09
KFOR-i: E vetmja rrugë drejt paqes është që Beogradi e Prishtina t’i zgjidhin çështjet me dialog, s'ka vend dhuna në rajon

1670929821_w56928922.jpg

Misioni i NATO-s në Kosovë, KFOR, sot deklaroi se e vetmja rrugë drejt paqes së qëndrueshme është që Beogradi dhe Prishtina t’i zgjidhin çështjet e tyre përmes dialogut dhe të arrijnë një zgjidhje që respekton të drejtat e të gjitha komuniteteve.

KFOR-i shtoi se është e rëndësishme të shmanget çdo përshkallëzim i ri dhe kjo çështje të zgjidhet në mënyrë paqësore, sepse sipas KFOR-it, dhuna nuk ka vend në rajon.

“KFOR- i mbetet jashtëzakonisht vigjilent dhe plotësisht i aftë për të përmbushur mandatin e tij të OKB-së.”, bëri të ditur KFOR-i.

Ndryshe, situata e përgjithshme në veri të vendit mbetet e njëjtë. Rrugët në drejtim të kufijve Jarinje dhe Bërnjak vazhdojnë të mbeten të bllokuara, ndërsa dyqanet dhe shkollat në veri të vendit po qëndrojnë të mbyllura.

Ora 11:22
Tensionet në veri të Kosovës, Stoltenberg: NATO është gati, po punojmë ngushtë edhe me BE-në

1670927020_dndnd.GIF

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Stoltenberg në një intervistë shprehu mbështetjen ndaj Kosovës lidhur me tensionet që po përballet së fundmi me Serbinë për veriun. Stoltenberg shprehet se BE dhe NATO po punojnë ngushtësisht për të ulur tensionet.

“NATO është shumë e fokusuar në Kosovë, në Ballkanin Perëndimor. Ne kemi një histori të gjatë, kemi ndihmuar në ndalimin e dy luftërave etnike. Fillimisht në Bosnje dhe Hercegovinë dhe më vonë në Kosovë. Natyrisht, ne jemi ende të pranishëm atje, forcat e KFOR-it numërojnë më shumë se 4000 ushtarë dhe ata luajnë një rol kyç në stabilizimin e situatës. Mesazhi im për të dyja palët është që të përmbahen nga përshkallëzimi shtesë dhe retorika provokuese”, tha Stoltenberg.

Ora 10:43
Takimi i Escobar me opozitën, Hajradinaj: Angazhim serioz nga SHBA për të ulur tensionet

1670924634_99b8b84e436329c69a8d504636aaae5eXL.jpg

Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj ka folur pas takimit me Emisarin special të SHBA-ve për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar dhe me ambasadorin amerikan në Kosovë, Jeff Hovenier.

Haradinaj ka thënë se Escobar dhe Hovenier janë të mjaft të fokusuar për zhvillimet në vend dhe se kërkesa e tyre është që të largohen barrikadat dhe të ulen tensionet.

"Të dashur qytetarë,

Sapo përfundova takimin me z. Escobar dhe ambasadorin Hovenier. Mund t’ju them se janë mjaft të fokusuar në zhvillimet në vend, posaçërisht në Veri, me kërkesën eksplicite që të ulen tensionet, të hiqen barrikadat dhe të kthehet normaliteti në atë pjesë të vendit.

Besoj se ky angazhim serioz do ta shpëtojë situatën dhe do të na kthejë te marrëveshja finale për njohje Kosovë- Serbi.

Në emër të AAK-së, shpreha falënderimin për ndihmën jetike që po jep."- shkruan ai.

Ora 10:33
Kurti: Këtë javë aplikojmë për anëtarësimin në BE

1670924030_640065u1670923663.jpg

Kryeministri i Kosovës Albin Kurti ka deklaruar sot se këtë javë do të aplikojnë për anëtarësimin e Kosovës në BE. Kreu i qeverisë foli pas mbledhjes së qeverisë të zhvilluar ditën e sotme.

“Siç e dini, ne jemi vendi i fundit në Ballkanin Perëndimor që po aplikojmë për Bashkimin Evropian edhe pse jemi vendi i parë në këtë rajon për sundimin e ligjit, lirisë dhe demokracisë”, tha Kurti gjatë mbledhjes së Qeverisë të mbajtur më 13 dhjetor.

Sipas tij, ka ardhur koha që statusi potencial kandidat, “që na është njohur shumë kohë më parë, ta kthejmë zyrtarisht në status kandidat, duke kaluar në një fazë të re të marrëdhënieve me Bashkimin Evropian”.

Më herët gjatë këtij viti, Kosova ka treguar se po përgatitet të aplikojë për anëtarësim në BE.

"BE-ja është vend i paqes, sigurisë, barazisë dhe prosperitetit, andaj edhe Kosova e ka vendin natyrshëm në këtë shtëpi të përbashkët si një vend paqedashës e demokratik", tha Kurti.

Kosova deri më tani ka vetëm një marrëveshje kontraktuale me BE-në, përkatësisht Marrëveshjen e Stabilizim Asocimit.

Ora 10:19
Tensionet në veri të Kosovës, Esobar takon sot përfaqësuesit e opozitës

1670923293_w57339112.jpg

I dërguari i posaçëm i SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, takon sot në Prishtinë përfaqësues të partive opozitare.

Një ditë më herët, Esobar takoi presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani dhe kryeministri Albin Kurti. Pas takimit, ai nuk foli për mediat, por në një njoftim nga Zyra e Kryeministrit u tha se ata kanë diskutuar "për situatën aktuale dhe zhvillimet e fundit, veçanërisht në pjesën veriore të Republikë së Kosovës".

Ora 09:28
Tensionet në veri të Kosovës, barrikadat mbeten në vendet e njëjta

1670920136_shhshs.GIF

Situata e sigurisë në veri të Kosovës vazhdon të jetë e brishtë sikurse edhe në ditët e kaluara, thanë të martën nga Policia e Kosovës. Ata konfirmuan për Radion Evropa e Lirë se "barrikadat mbeten në vendet e njëjta", por nuk dhanë më shumë detaje.

Disa serbë lokalë, që nga 10 dhjetori, kanë ngritur barrikada dhe kanë bllokuar rrugët që çojnë drejt pikave kufitare me Serbinë, Jarinjë dhe Bërnjak.

Barrikadat janë ngritur pasi Policia e Kosovës ka arrestuar ish-policin serb, Dejan Pantiq, nën dyshimet se ka qenë i përfshirë në një sulm kundër zyrtarëve të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve.

Gjykata Themelore në Prishtinë ka njoftuar më 12 dhjetor se Pantiqit i është caktuar masa e paraburgimit prej një muaji.

G.MO//ReportTv.al
Komento

Komente

  • Alb: 13/12/2022 18:07

    Go US GO

    Përgjigju
  • Ndoci: 13/12/2022 14:00

    Ku e din ti se asht tyrk

    Përgjigju
  • Alushi: 13/12/2022 09:41

    Kur Serbet te zhduken Nga kan ardhe e te marrin me vete Serbet e kamofluar si Shqiptar me vete, dhe Ruset nga Greqia, atehere gjen Paqe Gadishulli Ilirik

    Përgjigju
    • Ben10: 13/12/2022 10:59

      Fjale te vyera, nga nje turk i kulluar!!!

  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?