Dragan Dzajic, presidenti i Federatës Serbe të Futbollit ka folur para ndeshjes mes Serbisë dhe Shqipërisë, e cila vlen për Grupin K kualifikues në Kupën e Botës 2026 dhe është planifikuar të luhet më 11 tetor në Leskovac, duke nisur nga ora 20:45.
Duke kujtuar sfidën e 14 tetorit 2014, kur huliganët serbë thyen barrierat mbrojtëse dhe u futën në fushë duke dhunuar futbollistët e kombëtares shqiptare në Beograd, Dragan Dzajic tha se nëse diçka e tillë përsëritet, për Serbinë e futbollit do ishte një katastrofë, duke marrë një dënim të rëndë dhe të gjatë nga FIFA.
"Nuk besoj se lojtarët nga Shqipëria do të provokojnë. Tanët kanë mjaftueshëm përvojë. Ata dinë shumë mirë si të sillen në situata të tilla dhe të ngjashme.
Tensionet në 2014? Ne kemi bërë gjithçka dhe po përpiqemi të sigurohemi që diçka e tillë të mos ndodhë përsëri. Po kujdesemi shumë për këtë. Do të ishte një katastrofë nëse do të ndodhte përsëri. Mendoj se do të përjashtoheshim nga futbolli evropian për një periudhë të gjatë. Pikërisht për këtë arsye zgjodhëm Leskovacin dhe u dënuam nga FIFA me zvogëlimin e kapacitetit të stadiumit. Kjo është një situatë e jashtëzakonshme për ne", vijoi ai.
Dzajic u pyet edhe mbi kombëtaren shqiptare, duke e quajtur një ekip shumë të mirë.
"Shqiptarët kanë një ekip të mirë, pavarësisht se çfarë mendon dikush për ta. Ata janë një ekip i fortë. Sa i përket sportit, askush nuk duhet t'i nënvlerësojë në asnjë kohë. Ata kanë pasur rezultate të mira vitet e fundit, lojtarë të mirë futbolli. Një gjë tjetër, ekipi i tyre kombëtar është shumë i drejtë, le të jemi të qartë", vijoi Dzajic për Kurir.
Kombëtarja serbe ka disa mungesa për këtë ndeshje. Nikola Milenkovic dhe Sasha Lukic nuk mund të luajnë për shkak të dy kartonave, ndërsa të lënduar janë Aleksandar Katai, Ivan Ilic, Kosta Nedeljkovic, Nemanja Gudelj dhe Vanja Milinkovic-Savic.
Në stadiumin e Leskovacit FIFA ka dërguar dy oficerë sigurie, duke e quajtur këtë sfidë të një rrezikshmërie shumë të lartë. Serbët janë të dënuar me 20 përqind reduktim të kapacitetit të stadiumit dhe në 'Duboçica' do ketë 6500 tifozë serbë të përzgjedhur, pasi Federata nuk nxorri në shitje asnjë biletë, për shkak të frikës nga huliganët, njëjtë si në 2014.
Veç saj, sipas një marrëveshjeje mes Federatës Serbe të Futbollit dhe asaj shqiptare, në ndeshjet mes tyre nuk do ketë tifozë miq, njëjtë siç ndodhi më 7 qershor në Tiranë, aty ku në barazimin 0-0 mes dy skuadrave, nuk pati tifozë serbë.
Pas pesë sfidave të luajtura në Grupin K kualifikues të Kupës së Botës 2026, Anglia me 15 pikë mban kreun duke lënë pas Shqipërinë me tetë pikë. Serbia me shtatë pikë ndodhet në pozitën e tretë, por ka një ndeshje më pak. Më pas vijnë Letonia (4 pikë) dhe Andorra me zero pikë.
Dragan Dzajic, presidenti i Federatës Serbe të Futbollit
Komente
