Sesioni i ri, Presidenti Begaj-deputetëve: Vendi ka nevojë për dialog politik, mbështesni reformat integruese! Kujdes me korrupsionin, duhet reformë zgjedhore

5 Shtator 2022, 17:42| Përditesimi: 5 Shtator 2022, 20:12

  • Share

Dialog politik dhe gjithëpërfshirje, mbështetje të pakursyer reformave jetike dhe negociatave me Bashkimin Evropian, luftë korrupsionit, reformë zgjedhore gjithëpërfshirëse dhe përgjegjshmëri ndaj detyrës në këtë kohë të vështirë edhe globale! Të gjithë këto ishin porositë e Presidentit të Republikës Bajram Begaj për 140 deputetët e Kuvendit, në një mesazh pak minuta para nisjes së sesionit të ri parlamentar, letër e cila u lexua nga kryeparlamentarja Nikolla. 

Në një letër shpërndarë edhe për mediat Presidenti i shkruan ligjvënësve se bashkëpunimi me institucionin që ai drejton është përmbushje e detyrave kushtetuese.

“Nisja e sesionit të ri të punimeve të Kuvendit, më krijon mundësinë, t’ju drejtohem të gjithë ju deputetëve, për t’ju uruar punë të mbarë, angazhim të frytshëm dhe maksimal në përmbushje të të gjitha detyrave dhe përgjegjësive tuaja të larta, si përfaqësues të vullnetit politik të popullit shqiptar. Për mua si President i Republikës, bashkëpunimi me Kuvendin është jo vetëm përgjegjësi e përmbushjes së detyrës kushtetuese, por më shumë se kaq është shprehje e bindjes dhe e besimit se bashkërisht mund të shpalosim një dimension tjetër qasjeje dhe sjelljeje politike, në përputhje me atë që pret shoqëria shqiptare nga klasa politike dhe nga përfaqësuesit e zgjedhur prej saj”, shprehet Begaj.

Presidenti më pas cek ccështjen e negociatave me Bashkimin Evropian dhe thotë se duhet përgjegjshmëri nga palët politike si dhe dialog.

“Marrja e vendimit të çeljes së negociatave me Bashkimin Evropian, domosdoshmërisht imponon për të gjithë ne, reflektim dhe më shumë përgjegjshmëri, seriozitet dhe më shumë përkushtim. Na duhet të jemi po aq evropianë për nga vizioni dhe standardet e sjelljes politike, e cila të reflektojë pikërisht këtë realitet të ri të marrëdhënieve të Shqipërisë me Bashkimin Europian. Dialogu politik, gjithëpërfshirja dhe konsensusi duhet të jenë lajtmotivi i punës parlamentare, sepse vendi nuk mund të paguajë koston e mungesës së tyre. Të gjithë ne kemi detyrimin dhe përgjegjësinë të ofrojmë bashkëpunim konstruktiv dhe dialog të qëndrueshëm. Historia na ka treguar se kur reformat janë konsensuale, ndikimi pozitiv është i drejtpërdrejtë në integrimin e vendit, në ekonomi, në demokratizimin e institucioneve dhe në përmirësimin e cilësisë dhe standardeve të jetesës së qytetarëve. Fryma e bashkëpunimit, vendosmëria dhe kohezioni, janë thelbësore për të qenë gjithmonë prezent në punën tonë, si mbrojtës të interesave të vendit dhe të qytetarëve. Reformat e mëdha dhe jetike për të ardhmen europiane të Shqipërisë, të inicuara me vullnetin e të gjitha forcave politike të përfaqësuara në Kuvend, kanë nevojë që të mbështeten edhe më shumë nga të gjithë ne, ndaj sfida e radhës do të jetë përafrimi i legjislacionit tonë sipas standardeve evropiane, që të mund të jemi  pararendës të përmbushjes së aspiratës kombëtare për Shqipërinë Evropiane”, shkruan në letër Presidenti Begaj.

Teksa shkruar se korrupsioni frenon zhvillimin ekonomik dhe vret shpresën për një të ardhme më të mirë, Begaj apelon se modeli i zyrtarit duhet të jetë ai i llogaridhënies, i respektimit të ndarjes së pushteteve, i respektimit të ligjit dhe përmbushjes së përgjegjësisë publike.

“Ne kemi detyrimin të mbështesim zbatimin e reformës në drejtësi, punën dhe rolin e çdo aktori institucional në ushtrimin e detyrave të tyre në luftën kundër korrupsionit për forcimin e besimit qytetar tek institucionet e drejtësisë”, vijon letra.

Ndërkohë që vendi përgatitet për zgjedhjet e ardhshme vendore pranverën tjetër, Presidenti thotë se këto duhet të jenë një e mirë për të dëshmuar pjekurinë dhe përgjegjshmërinë politike, seriozitetin dhe përkushtimin e të gjithë aktorëve politikë për të realizuar zgjedhje sipas standardeve europiane edhe në Shqipëri.

“Reforma zgjedhore kërkon bashkëpunim, transparencë, gjithëpërfshirje, seriozitet dhe përputhshmëri të plotë me parimet e sugjeruara nga Komisioni i Venecias si dhe zbatimin e rekomandimeve të OSBE/ODIHR-it.  Qeverisja ka nevojë për këndvështrim kritik dhe oponencë, sepse mendimi kritik sjell debat konstruktiv dhe debati konstruktiv sjell përmirësim. Në këtë frymë, është e rëndësishme gjithëpërfshirja në ligjbërje sidomos për çështjet e mëdha si mbrojtja  e të drejtave dhe lirive themelore te njeriut, çështjet e sigurisë kombëtare e të integrimit evropian, si edhe për çështje të luftës kundër korrupsionit dhe krimit te organizuar etj”.

Një mesazh Presidenti i Republikës e kishte edhe për situatën globale.

“Të nderuar zonja dhe zotërinj deputetë! Situatat globale, koniunkturat politike dhe kërcënimet gjithnjë në rritje, siç u dëshmuan edhe nga agresioni rus në Ukrainë, e kanë vënë botën përballë sfidave shumë delikate. Vendi dhe rajoni ynë vazhdojnë të jenë nën kërcënimin e vazhdueshëm të faktorëve të ndryshëm të riskut, ndikimeve të reja e të vjetra, që përkeqësohen edhe më tej nga kriza ekonomike, rritja e çmimeve, pasiguria ushqimore dhe energjetike, kërcënimet kibernetike, pandemitë dhe epidemitë. Ne duhet të jemi të kujdesshëm dhe të ndjekim me vëmendje zhvillimet në të gjitha vendet e rajonit e sidomos në Kosovë. T’iu ofrojmë institucioneve të Kosovës mbështetje në të gjitha nivelet, dhe veçanërisht për rritjen e numrit të njohjeve, për liberalizimin e vizave dhe anëtarësimin në organizmat ndërkombëtarë. Në këto kushte, ju takon juve të nderuar deputetë, i takon Kuvendit të Shqipërisë të jetë modeli i sjelljes dhe veprimit si patriotë, ku interesat e grupit apo të partisë, nuk mund të qëndrojnë më lart se interesat e popullit dhe ato kombëtare. Në prag të festimeve të 110 vjetorit të themelimit të Shtetit Shqiptar ju uroj punë të mbarë në të mirë të qytetarëve dhe të Shqipërisë sonë të dashur”, përfundon letra mesazh e Presidentit të Republikës, Bajram Begaj për deputetët në nisje të sesionit të ri parlamentar.

Kujtojmë se sesioni i ri parlamentar nis me seancën plenare të 5 gushtit në orën 18:00! 4 nismat e propozuara nga mazhoranca dhe opozita për hapjen e plotë të dosjeve ai si dhe ndalimin e kandidimit të personave që kanë qenë ish-bashkëpuntorë të sigurimit të shtetit janë ështjet e para ligjore që do të diskutohen.

K.T.//ReportTv.al
Komento

Komente

  • Ariu: 06/09/2022 08:12

    Foli dhe ky qoftja pa mish. Ik ore ha ndonjë pjatë supë mbush barkun, vemje.

    Përgjigju
  • Guy: 05/09/2022 19:22

    Doli mumja. Man dilush ti spjegoje se eshte marionete e ramushit

    Përgjigju
  • Sorra: 05/09/2022 19:21

    Sekretari i Pare i byrose me kostum tepke si Enveri. Te gjithe me te zeza dhe te zena vetem Ay me te bardha.

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?