Sesioni i ri parlamentar, Nikolla: Na presin reforma të rëndësishme! PS: 'Despiunizim' politikës, bashkëpunim me PD! Opozita: Kuvendi, jo aneks i qeverisë

5 Shtator 2022, 15:02| Përditesimi: 5 Shtator 2022, 19:21

  • Share

4 nismat e propozuara nga mazhoranca dhe opozita për hapjen e plotë të dosjeve ai si dhe ndalimin e kandidimit të personave që kanë qenë ish-bashkëpuntorë të sigurimit të shtetit, do të nisin zyrtarisht sesionin e ri parlamentar. Seanca filloi në orën 18:00 me respektimin e himnit kombëtar.  Në nisje të sesionit parlamentar, kryetarja e Kuvendit Lindita Nikolla ka lexuar mesazhin e dërguar nga presidenti i Republikës, Bajram Begaj.

Më pas Nikolla lexoi një tjetër fjalim, këtë herë të sajin. Në fjalën e saj ajo e vuri theksin te roli që i shtuar që e pret Kuvendin për procesin e negociatave si dhe reformat e rëndësishme që duhet të miratojë, si ajo zgjedhore dhe ajo administrative.

Pas një ‘incidenti’ me deputetin Tritan Shehu, i cili përsëriti të njëjtin qëndrim për ‘procedurë’  që mbajti seancën e fundit të legjislacionit të kaluar, atë për dënimin e gjenocidit serb në Kosovë, fjalën më pas e morën krerët e grupeve parlamentare. I pari ishte kryetari i grupit ‘Aleanca për Ndryshim’, Fatmir Mediu. Ai tha se Kuvendi duhet t’i rikthehet rolit kushtetues dhe jo të jetë apendiks i qeverisë. Lufta kundër korrupsionit dhe krimit duhet të jenë prioritet sipas Mediut. Për deputeten Mesila Doda, kryetare e grupit parlamentar ‘Demokraci dhe Integrim’, situata politike në vend ka kaluar çdo cak, i ka kaluar rregullat bazë të bashkëjetesës në demokraci pasi bashkimi i politikës me krimin, madje njësimi më të i ka dhënë fund gjuhës politike. Ajo apeloi që gjithçka t’i rikthehet normalitetit.

Kryetari i Grupit Parlamentar të PD-së, Enkelejd Aibeaj zgjodhi që në në seancën e parë të këtij sesionit të fliste me ironi. Ai tha se i uron këtij Parlamenti që sipas tij është produkt i zgjedhjeve të vjedhura “jetë të shkurtër”. I fundit që e mori fjalën dhe mbylli edhe këtë seancë të parë ishte kryetari i grupit parlamentar socialist, Taulant balla. Ai shprehur vendosmërinë e PS për atë që e quan si ‘despiunizim’ të politikës shqiptare. Balla tha se spiunët e ish Sigurimit të Shtetit arritën në nivelet më të larta të shtetit dhe vendi duhet të çlirohet prej tyre.

Ligjvënësit janë njohur me çështjet e depozituara në kuvend nga socialistët. Me anë të një projektligji, kërkohet dënimi i krimeve të së kaluarës duke vendosur në sitë të gjithë figurat publike pavarësisht nëse ata kanë një certifikatë të pastërtisë së figurës nga komisionet Mezini-Bezhani. Po ashtu kërkohet edhe ndërhyrja në Kodin Zgjedhor, në mënyrë që të gjithë ata politikanë që kanë pasur lidhje më ish-sigurimin e shtetit dhe strukturat e persekutimit komunist, të mos lejohen që të mbajnë apo të kandidojnë për poste publike.  Në kalendar janë përfshirë edhe nismat e PD për dekomunistizimin, deklasifikim të dosjeve të ish-sigurimit të shtetit si dhe kthimin e burgjeve famëkeqe të Spaçit dhe Tepelenës në muze. Gjithçka pritet të vijojë në komisione përgjegjëse si dhe më pas në seancën plenare për t’i kaluar me votë në sesionin e ri parlamentar dhe politik.

Socialistët janë zotuar se në shtator do të bëhen përpjekje për të larguar nga parlamenti Sali Berishën, duke e cilësuar qëndrimin e këtij të fundit si  të papranueshëm, pasi një ish-sekretar partie nuk mund të jetë pjesë e këtij institucionin. Ndërkohë, për të dytin vit radhazi, ligjvënësit demokratë do t’i drejtohen të ndarë godinës së parlamentit,  në sesionin e ri parlamentar. Ndonëse përgjatë verës pati tentativa për negociata mes deputetëve që mbështesin Berishën dhe atyre që nuk i janë bashkuar, këta të fundit rikonfirmuan në krye të grupit parlamentar Enkelejd Albeajn.

Ora 19:07
FOTOGALERIA/ Politikanët mbërrijnë të buzëqeshur në Parlament! Spiropali dhe Xhaçka të kapura për dore, Basha përshëndet gazetarët

Në seancën e parë të sesionit të ri parlamentar, politikanët mbërritën në Kuvend pothuajse të gjithë të buzëqeshur, ku disa u panë duke hyrë në oborr të shoqëruar me njëri tjetrin, e disa vetëm.

Socialistët mbërritën 30 minuta para fillimit të seancës, ku bënë një mbledhje grupi. Kryeministri Edi Rama shihet në foto duke biseduar me zv.kryeministren e njëkohësisht Ministre e Energjisë dhe Infrastrukturës, Belinda Ballukun, ndërsa ministret Olta Xhaçka dhe Elisa Spiropali shfaqen në fotografi të kapura për dore.  

Lulzim Basha, nga ana tjetër, mbërriti në Kuvend i buzëqeshur, teksa përshëndeti edhe gazetarët. Sali Berisha mbërriti i shoqëruar nga dy deputetët demokratë, Albana Vokshi dhe Flamur Noka.

Ora 18:52
PS: Despiunizim politikës shqiptare, arritën në majën e piramidës së shtetit! Bashkëpunim me PD edhe për nismat e tyre

 

Partia Socialiste edhe një herë është shprehur e vendosur për atë që e quan si ‘despiunizim’ të politikës shqiptare. Kryetari i grupit parlamentar tha se spiunët e ish Sigurimit të Shtetit arritën në nivelet më të larta të shtetit.

“Hapja e negociatave është moment historik. Edhe Kuvendi i Shqipërisë nuk do të mbetet prapa sa i përket rolit që ka në këtë proces. Natryrisht që është Qeveria ajo që negocionin por Kuvendi ka rolin e tij. Ndaj kemi rënë dakord për një Komision të Posaçëm për ndryshimit e ligjit për rolin e Kuvendit gjatë procesit të negociatave. Do të jetë bipartizan dhe besoj të enjten do ta kalojmë. Ligji duhet ndryshuar me urgjencë për të përqasur rolin që ka Kuvendi në këtë fazë të re.

Tjetër çështje e rëndësishme është ajo e despiunizimti të politikës shqiptare. Ngritja e ish-bashkëpunëtorëve të Sigurimit të shtetit në të gjitha majat e piramidës shtetërore kërkon një reflektim nga ana e këtij kuvendit. Ne kemi depozituat 2 nisma ligjore dhe kërkojmë edhe mbështetjen e opozitës. E para ka të bëjë me një barrierë artificiale për verifikimin e atyre që janë verifikuar më parë në komisionet e mëparshme. Ne i mirëpresim propozimet e ardhura nga opozita por duhet të negociojmë. Unë mendoj që është në nderin a saj se çfarë përfaqëson PD që të na mbështesë, sigurisht që edhe në mbështesim projektligjet që kanë ardhur nga ju duke gjetur një frymë konsensuale”, tha Balla, i cili shprehur edhe një herë vendosmërinë e PS për të sjellë këtë sesion në Kuvend ligjin për amnistinë fiskale

“Është  një domosdoshmëri edhe në këtë kontekst të ri ekonomik të vendit”, tha ai.

 

Ora 18:43
Alibeaj gjatë fjalës në Kuvend: Punë e mbarë dhe jetë të shkurtër këtij Parlamenti

 

Gjatë fjalës së tij në Kuvend, kryetari i Grupit Parlamentar të PD-së, Enkelejd Aibeaj tha se në seancën e parë për këtë sesion, nuk mund t’i urojë Parlamentit punë të mbarë. Kjo, pasi ai thotë se ky Parlament është produkt i zgjedhjeve të vjedhura, madje i uroi edhe “jetë të shkurtër”.

“Thuhet puna e mbarë por çfarë punë e mbarë ti kujtosh këtij Parlamenti? Për ligjet e kaluara me shpejtësi, të bëra me porosi, bllokimin e opozitës? Në këtë sesion nuk mund të ketë punë të mbarë, 1 vit e ca më parë ky Parlament është produkt i zgjedhjeve të vjedhura dhe nuk ka si të ketë sjellje të mirë ndaj opozitës në shërbim të shqiptarëve. Asnjë shqiptar nuk e sheh këtë vend sikur interesohet për jetët e tyre”, u shpreh Alibeaj.

Ora 18:42
Mesila Doda: Opozitë e përçarë dhe politikë e bashkuar me krimin, ky është realiteti sot! T’i rikthehemi normalitetit

 

Deputetja Mesila Doda, duke folur në emër të grupit parlamentar që drejton tha se situata politike në vend është shumë e rëndë dhe gjithçka që vendi kërkon është t’i rikthehet normalitetit.

“Sot realiteti politik është i tillë: Ai që nuk duhet të ndodhte. Opozita është e përçarë, gjithsecili me hallet e veta. Kemi parë skenat me sharje dhe fyerje mes përfaqësuesve të opozitës. Qeveria nuk është normale, ajo që duhet të menaxhojë të mirat publike dhe jo të çojë buxhetin në duart e disa njerëzve. Shkurt e gjithë kjo situatë i ka kaluar rregullat bazë të bashkëjetesës në demokraci. Bashkimi i politikës me krimin, madje njësimi më të i ka dhënë fund gjuhës politike. Shqipëria çeli negociatat me BE-në ndërkohë që në këtë Kuvend nuk pati asnjë debat, asnjë seancë në lidhje me këtë. Opozita duhet të gjejë sinergjinë e saj të brendshme. Nga ana tjetër mazhoranca të zhdukë çdo gjuhë arrogance dhe armiqësore dhe gjuhën përçarëse. Koha duhet të ketë vetëm një kryefjalë, rikthimi i normalitetit në këtë vend. Të zhduken segmentet kriminale të bashkimit të politikës me krimin”, tha Mesila Doda.

Ora 18:38
Sesioni i ri parlamentar, Mediu: Kuvendi t’i kthehet rolit kushtetues, jo apendiks i qeverisë

 

Kryetari i Partisë Republikane, Fatmir Mediu ka nisur fjalën e tij në këtë sesion të ri të parlamentit duke radhitur detyrimet si parlamentarë e politikan, për të ‘shpëtuar’ vendin nga korrupsioni e krimi. Sipas Mediut, Kuvendi duhet të kthehet në rolin kushtetues, jo apendiks i qeverisë.

‘Duke pasur në konsideratë që sfidat e këtij parlamenti janë jashtëzakonisht të mëdha përballë gjithsecilit nga ne. Shqipëria po përjeton momente të vështira, jo vetëm ekonomike. Kemi detyrim urgjent, si parlamentarë, garantimin e një reforme zgjedhore ku deputetët nuk zgjidhen nga partitë politiken por nga qytetarët. Garantimet dhe mundësin për të zgjedhur të gjithë shqiptarëve kudo që jetojnë, një sfidë tjetër është reforma territoriale, që duhet të garantojë pushtetin në duar të popullit.

Korrupsioni dhe krimi janë kthyer në sistem dhe dominojnë jetën publike. Shqipëria po përballet me një krizë ekonomike të pandalshme që po varfëron dhe po varfëron shqiptarët. Kriza e besimit në shoqërinë shqiptare, që reflektohet në largimin masiv të të rinjve, intelektual dhe të rinj. Kjo krizë vetëm po varfëron dhe po e plak shoqërinë tonë. Kuvendi për fat të keq duhet t’i rikthehet rolit kushtetues dhe jo të shërbejë si apendiks i qeverisë.

Sot, për fatin e keq nuk ka dallim ndërmjet krimit dhe biznesit. Ne frymëzojmë për fat të keq këtë situatë. Është detyrë primare e qeverisë që në mënyrë të shpejtë të përcaktojë politikat ekonomike familjare dhe të bizneseve.

Hapëm pas shumë kohësh negociata me BE po s’po gjejmë dot kurajën si politikë, kuvend, si qeveri për të afruar anëtarësimin e integrimit.’- tha Mediu.  

Ora 18:31
Nis me tensione seanca në Kuvend, PD-ja e Berishës kërkon të diskutohet për rezolutën e genocidit serb

 

Seanca e parë e sesionit të ri Parlamentar ka nisur me tensione. Tritan Shehu nga PD-ja e Berishës u ankua duke thënë se në rend të ditës duhet të ishte edhe rezoluta e genocidit serb në Kosovë.

“Vazhdon të shkelet procedura dhe nuk ka përmirësim. Jo vetëm që nuk diskutuam për rezolutën për gjenocidin serb”, u shpreh ai, ku më pas u ndërpre nga kryetarja e Kuvendit Lindita Nikolla.

Ora 18:21
Nisja e sesionit, Nikolla: Kuvendi, rol të shtuar për procesin e negociatave me Bashkimin Evropian! Na presin reforma të rëndësishme

 

Kryetarja e Kuvendit, Lindita Nikolla, në fjalën e saj në nisje të sesionit të ri parlamentar tha se ky do të jetë një sesion i ngjeshur me reforma të rëndësishme. Ai ceku rolin që do të ketë Kuvendi në procesin e negociatave me Bashkimin Evropian.

“Nisim sesionit e tretë të legjislaturës dhe ju uroj të gjithë sesion produktiv në përmbushje të misionit dhe detyrave tona. Sesionin e kaluar Shqipëria mori suksesin e merituar të çeljes së negociatave. Kuvendi ka meritën e pazëvendësueshme për këtë/. Edhe veprimtaria legjislative ka qenë shumë produktive.  Gjatë sesionit ngritëm 2 komisione të posaçme për reformën zgjedhore dhe atë administrative territorial. Gjithashtu mbështetëm vijimin e mëtejshëm të reformës në drejtësi. Opozita gëzoi të gjithë aksesin e nevojshëm për kontrollin e qeverisë.  Detyrat kryesore të Kuvendit gjatë negociatave do të jenë përafrimi i legjislacionit shqiptar me atë të BE-së.

Ne do të zgjerojmë mbështetjen për procesin, duke bashkëpunuar me Parlamentin Evropian dhe parlamentet e tjera të vendeve anëtare. Detyrat kërkojnë thellimin e njohurive mbi legjislacionit. Roli i Kuvendit do të rritet gjatë procesit të negociatave”, tha Nikolla.

Fjala e plotë e Nikollës

Sot nisim sesionin e tretë të legjislaturës së dhjetë të Kuvendit të Shqipërisë. Ju uroj të gjithëve një sesion produktiv, në përmbushje të misionit tonë si parlamentarë, dhe detyrave në shërbim të Republikës, Kushtetutës dhe qytetarëve. Gjatë sesionit të kaluar, Shqipëria arriti një sukses të mirëpritur dhe të merituar: Bashkimi Evropian çeli zyrtarisht negociatat. Ky ishte një sukses që u takon të gjithë qytetarëve dhe institucioneve të vendit. Por Kuvendi ka rolin dhe kontributin e pazëvëndësueshëm si garantues i legjitimitetit demokratik të procesit të integrimit evropian. Veprimtaria legjislative ka qenë gjithashtu produktive: Shqyrtuam e miratuam shumicën e akteve ligjore të depozituara, përfshirë nismat e mbartura nga sesionet e kaluara. Miratuam 62 ligje, nga të cilat 58 nisma të Këshillit të Ministrave, 3 të deputetëve dhe 1 nismë e përbashkët e deputetit dhe e zgjedhësve.

Sipas tipologjisë, miratuam 12 ligje bazë, 12 akte ligjore me fuqinë e ligjit, 11 ndryshime dhe shtesa në ligj dhe 27 ratifikime konventash e marrëveshjesh ndërkombëtare. Gjatë sesionit të kaluar ngritëm dy komisione të posaçme, për Reformën Zgjedhore dhe Reformën Administrativo-Territoriale, veprimtaria e të cilave do të përfundojë gjatë këtij sesioni. Avancuam dhe mbështetëm reformën në drejtësi dhe procesin e vetting-ut, si një nga korsitë kryesore të kësaj reforme. Këshilli i Legjislacionit mori në shqyrtim vendimet e Gjykatës Kushtetuese mbi shfuqizimin e disa dispozitave në ligjet që janë nisma të deputetëve, vlerësoi nevojën e plotësimit në legjislacion sipas arsyetimit në vendimet e Gjykatës Kushtetuese dhe ua referoi këto ndryshime Komisionit të Posaçëm Parlamentar për realizimin e Reformës Zgjedhore.

Kuvendi ka funksionuar si një institucion pluralist e demokratik, në të cilin opozita gëzoi të gjithë aksesin e nevojshëm për kontrollin e veprimtarisë së Qeverisë. Deputetët e opozitës zhvilluan 502 diskutime, të cilat morrën rreth 76 orë të seancave, kundrejt 532 diskutimeve dhe rreth 88 orë të deputetëve të maxhorancës. Realizimi I 9 interpelancave, 25 raportime të institucioneve të pavarura si dhe Efektiviteti i Komisionit hetimor të ngritur me nismën e opozitës dhe transparenca e veprimtarisë së tij forcoi kontrollin parlamentar të kuvendit. Dimensioni gjinor i veprimtarisë parlamentare u pasqyrua  edhe në diskutimet në seancat plenare. Gratë deputete edhe pse përbëjnë 36 % të deputetëve zhvilluan 450 diskutime ose 44% të totalit të diskutimeve, kundrejt 584 diskutime nga deputetët burra ose 56 % të diskutimeve edhe pse janë 64 % e totalit të deputetëve. Kuvendi rriti transparencën parlamentare, përmes krijimit të kushteve për ndërveprimin me qytetarët, ndërtimin e marrëdhënieve funksionale me publikun dhe intensifikimin e punës për një parlament të hapur për qytetarët. Pavarësisht kufizimeve të pandemisë, Kuvendi u vizitua fizikisht dhe virtualisht nga rreth 6 mijë qytetarë.  Sistemi i ri audio-video i implementuar në të gjitha sallat e komisioneve, ka rritur transparencën parlamentare dhe ka përmirësuar cilësinë e aksesit të medias dhe publikut. Kuvendi ka krijuar “dhomën e medias”, e cila është një hapësirë në dispozicion të gazetarëve, të mirëpajisur prej nga gazetarët ndjekin në kohë reale punimet e tij.

II. Duke qenë se vendi ka hyrë në një stad të ri të procesit të integrimit evropian, edhe roli i Kuvendit do të ketë një dinamikë të re. Zhvillimi i negociatave është përgjegjësi e Qeverisë, por kjo përgjegjësi duhet mbështetet e kontrollohet nga Kuvendi. Në këtë kontekst, detyrat kryesore të Kuvendit gjatë negociatave të anëtarësimit do të jenë:

•             Intensifikimi i përafrimit të legjislacionit kombëtar me legjislacionin e BE.

•             Jemi të vetëdijshëm se do na duhet të përafrojmë në një periudhë të shkurtër kohore legjislacionin shqiptar me sistemin ligjor të BE-së, i cili është zhvilluar për mbi gjashtë dekada. Pas çeljes së negociatave të anëtarësimit, numri i ligjeve me përafrim do të rritet në mënyrë të konsiderueshme dhe po kështu edhe kërkesat për miratimin e tyre me procedurë të përshpejtuar.

•             Shqyrtimi dhe dhënia e opinioneve mbi pozicionet negociuese të hartuara nga qeveria në të cilat përcaktohet situata aktuale, plani për përafrimin e plotë të legjislacionit dhe periudhat tranzitore për secilin nga kapitujt e negociatave;

•             Bashkëpunimi me shoqërinë civile dhe aktorët e tjerë të shoqërisë me qëllim sigurimin e gjithëpërfshirjes së procesit;

•             Fuqizimi i diplomacisë parlamentare në funksion të perceptimit realist, konstruktiv dhe pozitiv të arritjeve integruese të Shqipërisë dhe  intensifikimi i bashkëpunimit  me Parlamentin Evropian dhe me Parlamentet Kombëtare të Vendeve Anëtare/ Kandidate të BE-së.  

Informimi i qartë i institucioneve dhe parlamentarëve evropianë, vendeve anëtare dhe partnerëve t të BE-së mbi reformat e ndërmarra dhe përgatitjen e Shqipërisë për anëtarësim, do të zgjerojnë mbështetjen në këtë proces.

Për këtë po  analizojmë praktikat e disa vendeve të rajonit, me përvoja të suksesshme parlamentare në procesin integrues, duke pasur parasysh harmonizimin e tyre me sistemin tonë politik,  kulturën administrative dhe kapacitetet institucionale.

Këto detyra kërkojnë thellimin e njohurive mbi legjislacionin, politikat e BE-së dhe procesin e negociatave të anëtarësimit, struktura të qëndrueshme, burime njerëzore shumë të kualifikuara dhe kapacitete më të larta institucionale e administrative, për të mbështetur rolin e Kuvendit gjatë negociatave të anëtarësimit. Kuvendi do të ndalet posaçërisht gjatë këtij sesioni për mjaft çështje të integrimit, por paraprakisht dëshiroj të nënvizoj se disa nga masat afatshkurtëra duhet të jenë: 

•             Rishkimi i kuadrit rregullator (Ligjit nr.15/2015 “Për rolin e Kuvendit të Shqipërisë në procesin e integrimit të Republikës së Shqipërisë në Bashkimin Europian” dhe Rregullores se Kuvendit) me qëllim përmirësimin e tyre në funksion të forcimit të rolit ligjvënës dhe kontrollues të Kuvendit gjatë procesit të negociatave të anëtarësimit..

•             Forcimi i kapaciteteve administrative të strukturave ekzistuese që mbulojnë çështjet e integrimit evropian (Shërbimi i Përafrimit të Legjislacionit dhe Sekretariati Teknik i KKIE) si dhe ridimensionimi i strukturës aktuale në mbështetje të zbatimit të detyrimeve të anëtarësimit.

•             Kjo do të kërkojë që organizimi dhe programimi i veprimtarive të komisioneve parlamentare të bëhet në bazë të kapitujve të negocimit.

•             Gjithashtu, komisionet parlamentare do të fokusohen në shqyrtimin ex-post të legjislacionit, duke analizuar dhe vlerësuar efektet dhe pasojat e ligjeve  në fuqi. Për këtë është e nevojshme të përgatitet  një udhëzues mbi shqyrtimin ex-post të legjislacionit, dokument i cili  do të rrisë informacionin për deputetët  dhe  efektivitetin e punës së Komisioneve parlamentare, kundrejt detyrimeve në procesin e integrimit evropian.

Një element i rëndësishëm i detyrimeve të Kuvendit në procesin e integrimit evropian do të jetë koordinimi i  raportimit të Kuvendit në kuadër të Raportit vjetor të Komisionit Evropian dhe të institucioneve dypalëshe BE-Shqipëri si dhe ndjekja e hartimi dhe monitorimi i Planit të Veprimit për adresimin e Rekomandimeve të Komisionit Evropian.  Sesioni i ri parlamentar do të jetë sesioni i dy reformave të rëndësishme: Reformës Zgjedhore dhe Reformës Administrativo-Territoriale. Shpreh besimin se komisionet e ngritura për përgatitjen e ndryshimeve ligjore të këtyre reformave të rëndësishme do të vazhdojnë punën efektive të nisur sesionin e kaluar.

Të nderuar kolegë, Siç jeni në dijeni, kohët e fundit, opinioni publik, media, Kuvendi dhe institucionet e tjera të vendit janë përfshirë në një debat mbi nevojën e spastrimit të politikës dhe institucioneve prej ish bashkëpunëtorëve dhe të favorizuarve nga sigurimi i shtetit si edhe mbi ndërgjegjësimin, kujtesën kolektive dhe ndëshkimin publik të krimeve të rregjimit komunist. Kjo ndjeshmëri e shoqërisë është konkretizuar në Kuvend në formën e projekt-akteve ligjore, të cilat janë përfshirë tashmë në programin e punës dhe kalendarin e Kuvendit.

Pesë shërbimeve të Kuvendit u është shtuar tashmë një shërbim i ri: Instituti Parlamentar. Krijimi i Institutit është bazuar në praktikat më të mira nga Shërbimi i Kërkimit në Kongresin e SHBA, Parlamentin Europian, si edhe në Institutet Parlamentare të disa vendeve të rajonit. Gjej rastin të falenderoj Qeverinë Zvicerane për mbështetjen financiare dhe Institutin Kombëtar Demokrat Amerikan për asistencën teknike për krijimin dhe funksionimin e Institutit. Struktura vendim-marrëse e Institutit, Këshilli Drejtues, i përbërë nga përfaqësues të gjitha grupeve parlamentare, është tashmë funksional dhe ka përcaktuar drejtimet kryesore të punës së Institutit Si një institucion që udhëhiqet nga parimet e objektivitetit, paanësisë, koherencës, besueshmërisë, dhe transparencës, Instituti, do të ofrojë analiza kërkimore dhe studime që do tí paraprijnë e shërbejnë procesit legjislativ, botime, informacione dhe referenca në shërbim të funksioneve të Kuvendit dhe deputetëve. Shërbimi i Edukimit Qytetar dhe Qendra e Vizitorëve, e cila po ngrihet si pjesë e Institutit, do të zbatojë programe për informimin dhe edukimin e qytetarëve mbi demokracinë dhe qeverisjen dhe do të nxisë e zgjerjojë pjesëmarrjen e qytetarëve, sidomos të rinisë, në veprimtarinë parlamentare.

Transparenca do të karakterizojë veprimtarinë parlamentare edhe gjatë këtij sesioni. Pas një procesi të gjatë të bashkëpunimit dhe konsultimit me median dhe shoqërinë civile, këtë sesion do të fillojmë zbatimin e standardeve të reja të transparencës sipas parimeve të Parlamentit të Hapur. Përfitoj gjithashtu nga rasti të falenderoj misionin e OSBE-së në Tiranë për bashkëpunimin me shërbimet e Kuvendit për rritjen e transparencës parlamentare. Teknologjia dhe mjetet alternative të komunikimit po kontribuojnë për të venë në dispozicion të publikut, në kohë, me përgjegjshmëri e cilësi të gjithë informacionin, mbështetur në të drejtën e publikut per informim. Gjithashtu, këtë sesion do të vihet në funksion të plotë faqja e re zyrtare ËEB e Kuvendit. Nëpërmjet përmirësimeve teknike të Platformës së Konsultimit Publik, Platformës Ndërinstitucionale dhe promovimit  të sistemit e-parlament do të mundësojmë fuqizimin e funksionit mbikqyrës dhe do të lehtësojmë komunikimin e Kuvendit me institucionet e pavarura dhe qytetarët.

Gjatë sesionit të kaluar kemi pasur një bashkëpunim intensiv dhe produktiv me Kuvendin e Kosovës. Vetëm nga janari deri ne korrik janë realizuar gjithsej 13 vizita ose thene ndryshe dy vizata në muaj nga të dy palët, nga të cilat 6 të delegacioneve të Kuvendit të Kosovës në Tiranë dhe 7 vizita të delegacioneve të Kuvendit të Shqipërisë në Prishtinë. Këto shkëmbime vizita dhe organizimi i tryezave do të vazhdojë edhe gjatë këtij sesioni. Shumë shpejt do të nënshkruhet edhe Memorandumi i Mirëkuptimit midis Kuvendit të Shqipërisë dhe Kuvendit të Kosovës si dhe po punojmë për organizimin e mbledhjes së përbashkët të dy kuvendeve në muajin nëntor në kuadër të 110 vjetorit të pavarësisë.

Ora 18:08
Sesioni i ri, Lindita Nikolla lexon letrën e Presidentit Begaj

 

Në nisje të sesionit parlamentar, kryetarja e Kuvendit Lindita Nikolla ka lexuar mesazhin e dërguar nga presidenti i Republikës, Bajram Begaj.

Ora 18:07
FOTOLAJM/ I buzëqeshur dhe me nxitim, Lulzim Basha shfaqet në parlament! Hyn njëkohësisht me Ramën

1662393862_basha.jpg

Ish kryetari i PD-së, Lulzim basha është rikthyer për të nisur së bashku me qeverinë dhe opozitën sesionin e ri të punimeve të Kuvendit. Siç duket edhe nga pamjet e siguruara nga Report Tv, Basha shfaqet mjaft i qeshur.

Ora 17:30
Sesioni i ri Parlamentar, socialistët bëjnë mbledhje grupi 30 minuta para nisjes

1662392282_Screenshot1.jpg

Tridhjetë minuta përpara seancës së parë të sesionit të ri Parlamentar, socialistët janë mbledhur për të bërë mbledhje grupi.

//ReportTv.al
Komento

Komente

  • Zylyf Kamberi: 06/09/2022 11:32

    Te gjithe agjentet e sigurimit te shtetit madje te gjithe qe Kane punuar ne sigurim duhet te Denohen.Derri ne kushuri te dyte te internohen.Te dekorohen per perjashtim te gjithe ATA agjente spiunazhi te agjensie Mike qe Kane punuar kunder Shqiperise.Ndaj Jane miq.Te tilla mikesha Jane Cia,UDB,Asfalia,Intelegent servizi,francezit ,gjermani (si para dhe pas lufte,polake,bullgare etj Me ligj te ndalohet propoganda komuniste enveriste marksiste leninista.Te ndalohet cdo veprimtari e Partive komuniste .Jane te demshme ,te rrezikeshme per demokracine tone te shenjte pluraliste,ndryshe 'demokraci e kulluar"

    Përgjigju
  • Mandi: 05/09/2022 20:04

    Tre kritere do ishin te mjaftueshme per te zhdukur kete kaste kanceroze politike. 1. Kushdo antar i ish PPSH dhe femijet e tyre deri ne brez te dyte. 2. Kushdo antar i ish organeve te sigurise, mbrojtjes, policise, hetuesise, prokurorise dhe gjykates dhe femijet e tyre deri me brez te dyte. 3. Kushdo pa arsim te larte, ne nje shkolle diten dhe jo naten, dhe me mesatare jo me oak se 8. Dhe beso qerohen gjithe qelbesirat e korruptuara nga Berisha, Nano, Meta dhe Rama me gjithe rrembythjet e tyre.

    Përgjigju
  • UKU MOMLIT: 05/09/2022 19:20

    E ka thene bukur populli: Keta deputete,pa perjashtim, nuk jane per ne odën e kuvendit por,për në koliben e qenit. Pa perjashtim ngjyre e fytyre.

    Përgjigju
  • Reshit: 05/09/2022 18:52

    A e shifni o Popull debil se kta kan 100 vjet qe tallen me ju o dele qe hajn bar si lopa,30 vjet dhe prap lope se lope o popull I trash.

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?