Foto ilustruese

Opinion

Sezon turistik apo luftë banditësh?

29 Qershor 2021, 11:23| Përditesimi: 29 Qershor 2021, 11:28

  • Share

Ç’bëhet kështu? Sherre, krisma e gjak… Sikur kemi hyrë në luftë dhe jo në palcën e sezonit turistik!

Kështu më thoshte komshiu i çadrës përbri dje mbas dite. Frynte një puhi e lehtë që pas zhegut të mesditës ngjante edhe më ledhatare. Deti i shtrirë rrafsh dukej sikur përgjumësh të pëshpëriste ‘eja’.

Nisëm të kujtonim incidetet e ndodhura plazheve në harkun e  dhjetë ditve. Mbi 20 të shtëna në një lokal në Sarandë, ndaj të gdhirë kur edhe dy të shtëna të ngjajnë si betejë. S’mjaftuan dy të plagosur, njeri prej të cilëve turist që kalonte andej rastësisht, por të nesërmen dikush tenton t’i kallë flakën lokalit ku ndodhi shkëmbimi i zjarrit.

Pak ditë më vonë katër të vrarë dhe shumë të shtëna në Velipojë, pas një sherri banal mes pronarëve të dy hoteleve se kujt i takonte një hapsirë shezlongjesh. Mes të vrarëve edhe një djalë 20 vjeçar, kamarier që sa kishte mbyllur ditën e parë të punës, i vobegtë sa s’thuhet.

Një ditë më pas, përsëri natën, në Drimadhe u vihet flaka 60 shezlongëve. ‘Konkurencë’ ala shqiptare. Dhjetra shezlongë që digjen nëpër natë dhe me tymin dhe flakët nanurisin turistët.  Goxha reklamë grishëse për të tjerë.

Bashkë me komshiun e çadrës përbri përpiqemi të gjejmë pse ndodhën gjithë këto të pabëra në harkun e 10 ditëve dhe jo dokudo por në plazhe, vende ku qetësia dhe siguria janë parësore.

Mbase është stres i pergjithshëm i grumbulluar nga ndalimet e pandemisë së zgjatur. Tek pronarët e hoteleve dhe të plazheve ky stres me sa duket vjen më rrëmbyeshëm se bashkohet me padurimin për të bërë para, padurim që rritet nga humbjet e verës së kaluar, kreditë që duhen shlyer e të tjera shqetësime të këtij lloji.

Në media të ndryshme perflitet se autoritet sivjet kanë vonuar lejet për shfrytëzimin e plazheve. Punë burokratësh a, ku ta dish, trysni për rryshfet. Po qe se këto leje do ishin dhenë me kohë, dy palët e pronarëve në Velipojë mbase s’do ishin gjakosur e vrarë.

Mundet që edhe vapa afrikane e këtyre ditëve të ketë dhenë ndihmesën e vet sado modeste, ashtu siç kanë dhënë ndihmesë substanciale edhe mentalitetet ‘tokë e xanun’, ‘ligjin e bën i forti’ e të tjera mentalitete të këtij tranzicioni lesh e li.

Po mund të jetë edhe problem perceptime. Mijëra e mijëra gjëra të mira e të bukura, që kanë ndodhur në plazhet tona gjatë harkut të 10 ditëve, zbehen e zhbëhen nga rrjedha e harbuar e lajmeve për sherre, krisma e gjak.

Unë dhe komshiu im mund të hamendësojmë këto dhe shkaqe të tjera nga shezlongët ku jemi shtrirë, por ata që marrin përsipër t’i analizojnë për publikun, s’besoj se mund ta bëjnë këtë punë nga tryeza në ajër të kondicionuar duke venë në punë vetëm logjikën e tyre, sado e ndritur të jetë.

SI.E./ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?