Zv.Presidentja e Partisë së Lirisë, Erisa Xhixho ka ngritur alarmin e rënies së numrit të nxënësve në shkollat e të gjithë vendit.
Në një deklaratë për mediat këtë të hënë që u shënua edhe nisja e sezonit të ri shkollor, Xhixho tha se shumë shkolla janë mbyllur për shkak të rënies së numrit të nxënësve, që sipas saj, lidhet me shpopullimin.
Zv/Presidentja e PL thotë se problemet e vjetra nuk janë zgjidhur as këtë sezon të ri.
Projekti ‘dreka në shkolla’ mbeti një premtim, thotë Erisa Xhixho, sikundër nuk ka marrë zgjidhje as problemi i turneve të dyta. Ndërsa në Sauk, Fresk dhe Astir, thekson Xhixho, nuk ka një shkollë për fëmijët e këtyre zonave.
Deklarata e Zv. Presidentes së Partisë së Lirisë, Znj. Erisa Xhixho:
Përshëndetje!
Dua ta nis këtë komunikim me ju me një urim për të gjithë nxënësit dhe mësuesit që nisin sot vitin e ri shkollor. Një urim të veçantë për të gjithë vogëlushët që ulen për herë të parë në bankat e shkollës dhe një mirënjohje të veçantë për qindra mësues që punojnë në kushte aspak të lehta.
Fatkeqësisht, edhe ky vit shkollor nis me probleme të cilat janë mbartur nga viti i kaluar, madje edhe janë thelluar. Dua ta filloj me alarmin e rënies së numrit të nxënësve në të gjithë Shqipërinë dhe si pasojë edhe mbylljen e shkollave.
Shpopullimi vijon me ritme të larta dhe më qartë se kudo tjetër e shohim sot te 17 mijë nxënës më pak në arsimin parauniversitar. Zbrazja e shkollave është e frikshme. Kemi humbur mbi 115 mijë nxënës në 5 vjet. 22 shkolla të tjera kanë mbyllur dyert këtë vit për shkak të rënies drastike të numrit të nxënësve. Qindra mësues e nisin këtë vit shkollor me ankthin se vitin tjetër mund të mbeten pa punë, se nuk do të kenë nxënës.
Shkollat e reja i shohim të shkëlqejnë në rrjetet sociale të ministrisë dhe pastaj me detyrim në çdo profil mësuese, por nuk kanë zgjidhur emergjencës që kanë lagje të tëra të Tiranës.
Fëmijët e Saukut, Freskut e Astirit janë ende pa shkollë edhe në këtë vit të ri, ndërkohë që miliona euro hidhen për fasada dhe rikonstruksione. Në Astir, 70 mijë banorë të lagjes, nuk kanë as shkollë as kopësht për fëmijët. Problemi i dy turneve në Tiranë nuk ka marrë ende zgjidhje, ndërkohë që në rrethe klasat e bashkuara për shkak të rënies së numrit të nxënësve cenojnë rëndë cilësinë e procesit mësimor.
Edhe këtë vit, me mijëra prindër janë të detyruar t’u drejtohen after-school dhe qendrave të kurseve, sepse shkolla mbaron në orën 11:00. Kjo e bën koston e arsimimit në shkolla publike njësoj sa ajo në shkolla private. Një prindi në Tiranë, i cili ka zgjedhur shkollën publike, i duhen rreth 3 milionë lekë të vjetra në vit, për t’i përballuar ato. Projekti “Bëjmë detyrat e shtëpisë” nuk arriti kurrë të bëhet alternativë që ofron zgjidhje reale. Premtimi për drekën në shkollat që duhej të hapeshin këtë shtator mori fund me fushatën elektorale.
Këtyre kostove u shtohen librat, të cilat prindërit i blejnë çdo vit të reja, pasi tekstet falas që propagandon qeveria janë mashtrimi më i madh që u është bërë ndonjëherë atyre dhe fëmijëve të tyre. Kurrikulat kanë nevojë urgjente për reformim, pasi kanë mangësi të theksuara dhe nuk nxisin mendimin kritik, për të cilin nxënësit shqiptarë renditen të fundit në botë, sipas PIZA-s. Mbi 60% e nxënësve janë analfabetë funksionalë dhe kjo është alarmante.
Shkolla si qendër komunitare ka dështuar. Mjafton të kujtojmë rastet e dhimbshme të vitit shkollor që lamë pas për të kuptuar shqetësimin e çdo prindi për pasigurinë në shkolla. Dhuna dhe bullizmi janë të pranishme në çdo shkollë. 60% e shkollave nuk kanë oficerë sigurie. Ky është tregues i mungesës së theksuar të seriozitetit me të cilin Ministria e Arsimit e sheh këtë shqetësim kaq të madh.
Përveçse përpiqet të fshehë dështimin me të gjitha mënyrat, Ministria e Arsimit nuk ka hartuar asnjë strategji të qartë. Nuk ka asnjë studim dhe asnjë plan afatgjatë! Nuk ka politika nxitëse për degët e mësuesisë, ndërkohë që në pak vite vendi rrezikon të mbetet pa mësues.
Arsimi vijon të mbetet i nënfinancuar, me më pak se 2.29% të PBB-së. Mësuesit janë më të keqpaguarit në rajon, shkollat në rrethe janë në gjendje të mjeruar. Ndërkohë që Ministria flet për digjitalizim e laboratorë smart, ka shkolla në Tiranë ku nuk ka as ujë apo ngrohje në dimër. Imagjinoni ç’ndodh në shkollat e rretheve.
Të dashur nxënës, prindër e mësues. Për Partinë e Lirisë, arsimi mbetet mjeti më efektiv përmes të cilit mund të rindërtojmë Shqipërinë. Ne do të luftojmë krah jush për një arsim më cilësor dhe me standarde, sepse arsimi dhe fëmijët tanë janë kryepriopritet për ne!
Faleminderit!
Lajmi kryesor:
Viti i ri shkollor/ ‘Përplasje’ e vjetër qeveri-opozitë! Manastirliu: Arsim modern! PD: Zbrazen klasat
V.GJ /ReportTv.al
