Kronikë

Sezoni turistik dhe prishja e ndërtimeve pa leje në bregdet, Gurma: Në Sarandë janë sporadike, s'do ndikojnë te turistët! Ademi:Velipoja, ndër brigjet më të pastra

4 Qershor 2021, 22:34| Përditesimi: 4 Qershor 2021, 22:52

  • Share

Largimi i të gjitha ndërtimeve pa leje në zonat bregdetare në nisje të sezonit turistik ishte paralajmërimi i fortë i kryeministrit Edi Rama, duke kërkuar nga strukturat përkatëse të vepronin me dorë të hekurt. Por duket se të pakën në Sarandë dhe Shkodër, këto ndërtime pa laje nuk përbëjnë problem madhor dhe se nuk do të ndikojnë në sezoni turistik, pasi duket se ’ligjshmëria mbizotëron mbi paligjshmërinë’. Në një intervistë në emisionin “Pa Protokoll”, kryetari i bashkisë Sarandë, Adrian Gurma tha se ndërtimet pa leje janë sporadike dhe kryesisht ndërtesa të vjetra. Largimi i ndërtimeve pa leje tha Gurma nuk do të ndikojë te turistët, ndërsa tha se Saranda është gati për t’i pritur ato.  

“Në Sarandë është çelur sezoni turistik prej një jave. Jemi përgatitur maksimalisht për të pritur një sezon ndryshe këtë vit dhe janë mbarë të gjitha masat për mbajtjen e sezonit dhe do të ofrojmë një sezon të mirë. Saranda ka pastruar të gjithë territorin dhe ne kemi impiant duke mos lejuar derdhjet e ujërave të zeza në det. E përgjithshmja është pozitive, dhe këtë vit Saranda ofron një shëtitore që është e margaritari i qyteti. Ndërtime pa leje ka pasur por janë sporadike dhe ndërtesa të vjetra. Mund të theksojmë se në Sarandë mbizotëron më shumë ligjshmëria dhe jo paligjshmëria. Ndërhyrjet që do të bëhen në ndërtimet pa leje nuk do të ndikojnë në sezonin turistik”, tha Gurma.

Ndërsa kryetarja e bashkisë Shkodër, Voltana Ademi tha në “Pa protokoll” se Velipoja mund të konsiderohet një nga brigjet më të pasta në lidhje me ndërtimet pa leje. Ademi tha se vija bregdetare është e pastruar dhe se operatorët turist kanë paraqitur kërkesat e tyre për leje për stacionet e plazhit.

 “Sezoni turistik në Velipojë fillon nesër dhe do të organizohen aktivitete dhe prej më se 2 javësh kemi filluar promovimin e Velipojës. Kemi kryer ato punët e fundit që lidhen me përgatitjet e infrastrukturës së shërbimeve publike. Kemi pasur një verifikim nga IKMT dhe bregu i Velipojës është ndër brigjet më të pastra për sa i përket ndërtimeve pa leje. Shumica e tyre janë hequr edhe gjatë dimrit dhe i gjithë plazhi është i pastruar dhe operatorët turistik po marrin lejet përkatëse për stacionet e plazhit”, tha Ademi.

//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?