Lëvizjet në Portin e Vlorës kanë hyrë në një fazë intensiteti të lartë që në ditën e parë të korrikut, duke konfirmuar se sezoni turistik është në kulmin e tij. Vetëm në orët e para të mëngjesit të kësaj të marte, me tragetin e linjës Vlorë-Itali, kanë mbërritur 364 pasagjerë dhe 77 automjete.
Sipas të dhënave të siguruara nga autoritetet portuale, pritet që ky trend rritjeje të vijojë edhe në ditët në vijim, gjë që konfirmohet edhe nga prenotimet e shumta të regjistruara pranë agjencive në Vlorë dhe në Itali.
Për të përballuar fluksin në rritje, nga data 15 korrik në itinerarin Vlorë-Brindisi dhe anasjelltas do të operojnë dy tragete, duke lehtësuar kështu lëvizjet dhe shmangur radhët e gjata që mund të krijohen në port.
Ashtu si çdo vit, muajt korrik dhe gusht shënojnë pikun e lëvizjeve në këtë port, ndërsa autoritetet kanë paralajmëruar masa shtesë për mbarëvajtjen e situatës. Ndërhyrjet do të përfshijnë shtimin e personelit dhe sporteleve për pasagjerët dhe automjetet, me qëllim përshpejtimin e procedurave hyrëse dhe dalëse.
Me këto masa dhe organizim, Porti i Vlorës synon të përballojë fluksin e pritshëm të udhëtarëve, duke garantuar një shërbim sa më efikas dhe të sigurt për të gjithë.
Komente
