Berisha dhe Rama kanë rënë, kurse partitë e reja vijnë në rritje. Adriatik Lapaj mori më shumë vota më 11 maj brenda koalicionit Nisma Shqipëria Bëhet, por vendimi nëse do e pranojë mandatin e deputetit i takon vetëm atij.
Kështu u shpreh kreu i Nismës Thurje, Endri Shabani, sot në studion e ‘5 Pyetjet nga Babaramo’, teksa pranoi edhe se vetë Lapaj është shprehur disa herë me deklaratë se nuk do e pranonte mandatin po të fitohej vetëm një deputet.
Por këtë vendim duhet ta merrte vetëm Lapaj sipas tij, teksa do e diskutonin edhe në koalicion.
“Njerëzit duan ndryshimin. Pyetja është se pse nuk shkuan të votonin mbi 100 mijë njerëz që votonin më 2021? Pse Sali Berisha është minus 250 mijë vota dhe besoj se ata mbi 500 mijë brenda vendit dhe mbi 60 mijë jashtë nuk do e ndjekin më pas Berishën. Rama ka rënë mbi 30 mijë vota. Këto janë çështjet, kurse në krahun tjetër partitë e reja janë rritur ndjeshëm, Nisma Thurje është rritur ndjeshëm në krahasim me vitin 2021 ku mori 10 mijë vota. Në numër votash ne do kishim 9 mandate nëse sistemi do ishte i drejtë”, tha Shabani për projektin politik të forcave të reja dhe koalicionit ku bën pjesë.
Nisma Shqipëria Bëhet mori vetëm një mandat deputeti edhe pse me mbi 65 mijë vota, për shkak të sistemit elektoral. Adriatik Lapaj është shprehur publikisht se nëse do fitonin vetëm një deputet nuk do hynte në parlament, por do ia linte të dytit.
Por si shprehet Endri Shabani për këtë deklaratë të Lapajt?
“Për sa i përket mandatit të Nismës Shqipëria Bëhet, fituesi është zoti Adriatik Lapaj, ai mori më shumë vota dhe atij i takon. Për pjesën tjetër duhet pyetur zoti Lapaj, nuk jam unë njeriu që duhet të përgjigjem. Lapaj ka bërë disa herë të njëjtën deklaratë se nuk do e pranojë mandatin si deputet, por vendimi i takon atij, duhet pyetur ai. Ne do diskutojmë në koalicion se çfarë do bëjmë dhe vendoset. Ne do presim zgjedhjet e tjera, mund të kemi edhe më herët zgjedhje lokale sepse kemi bashki pa kryetarë”, tha Shabani për Report Tv.
Lajmi kryesor:
Shabani në Report Tv: Berisha ra me mbi 200 mijë vota, kishte numërues dhe qahet për humbjen! Hitaj: OSBE-ODIHR kritikoi të dyja palët, PD bën lojë! Gaba: Pati probleme
A.Q/r.k./ReportTv.al
