Politikë

Shabani në Report Tv: Berisha ra me mbi 200 mijë vota, kishte numërues dhe qahet për humbjen! Hitaj: OSBE-ODIHR kritikoi të dyja palët, PD bën lojë! Gaba: Pati probleme

2 Qershor, 22:00| Përditesimi: 2 Qershor, 23:01

  • Share

Opozita ndodhet në ditët e saj më të vështira pas 11 majit dhe veçanërisht gjendja e Partisë Demokratike, e cila mori edhe një humbje historike.

Por cila është e ardhmja e opozitës, a pati manipulim të votave gjatë zgjedhjeve dhe a mund të bashkohet faktori opozitar më tej, apo në fuqi mbetet marrëveshja e dyshuar Rama-Berisha?

Diskutimet rreth këtyre temave u bënë sot në ‘5 Pyetjet nga Babaramo” në Report Tv, ku të ftuar ishin Endri Shabani, kreu i Nismës Thurrje dhe aleat politik i koalicionit Nisma Shqipëria Bëhet, që do përfaqësohet me një deputet në parlamentin e ardhshëm. Gjithashtu në panel edhe gazetari Gentian Gaba, avokati Leonard Karaj e moderatori i Report Tv, Arbër Hitaj.

Shabani u shpreh se bashkëpunimi i tij me Adriatik Lapaj do vijojë më tej për shkak se para janë zgjedhjet lokale. Por ai kërkoi ndryshimin e sistemit elektoral, që i dëmton. Edhe pse vetëm me një mandat deputeti, Shabani theksoi se koalicioni opozitar i partive të reja mori 140 mijë vota, kurse Berisha dhe PD ra me mbi 200 mijë vota.

“Po shohim mundësinë për ta shtrirë bashkëpunimin edhe për 4 vitet e ardhshme, sepse kemi përpara edhe zgjedhjet lokale. Mendoj se jemi pak dhe duhet të zgjerohemi dhe forcohemi. Berisha thoshte para zgjedhjeve se me Ramën nuk bëhen zgjedhje, i vjedh, e tani del prapë e shprehet se u vodhën. Por problemi është edhe te opozita. Këtu ka dy fajtorë, ai për keqqeverisjen është Edi Rama, me skandalet qeveritare, situatën ekonomike etj. Dhe gjendja e opozitës, me mosmbrojtjen e votës dhe të tjerat, ku fajtor për mua është Berisha. Ndërsa Berisha po bie me 140 mijë vota, ne po rritemi me mijëra vota. A ka shpresë se Shqipëria ndryshon? Unë them po. Krahasimi është me 2021, ku numri i njerëzve që dalin për të votuar për ne është rritur. Rama nuk është rritur, ka rënë në vota, mbi 30 mijë vota më pak, Rama nuk është mazhorancë”, tha Shabani.

Kreu i “Nisma Thurje” u shpreh se sistemi elektoral është i padrejtë, por marrëveshja Berisha-Rama i pengon, edhe pse ata kanë ndjekur të gjithë rrugën ligjore.

“Analiza se kush i prish punë opozitës, ne PD apo PD neve, kjo është e dyanshme. Puna është se 200 mijë njerëz që besonin më 2021 te opozita nuk dolën të votonin, pra i kanë ikur Berishës dhe PD-së. Kurse për ne janë 140 mijë njerëz që na besojnë, janë rritur. Shqiptarët na dhanë neve 64 mijë vota. Për fat të keq PS mori 9 mandate me 64 mijë vota në Vlorë, kurse ne me kaq vota një mandat. Arsyeja është sistemi zgjedhor dhe shpërndarja e votës. Nuk kemi çfarë bëjmë më shumë se kaq, jemi ankuar, por është sistem i vendosur nga Rama e Berisha. Mund të bënim më shumë, bëmë sa mundeshim, ka vend edhe për kritikë. Po ankohet Berisha që kishte numërues në komisione dhe anëtarë, ka gjysmën e KAS-it dhe përsëri ankohet. Unë mendoj se zgjedhjet e ardhshme 65 mijë votat tona do bëhen 650 mijë dhe aty ku u afruam me mandate, do kemi deputetë zgjedhjet e ardhshme. E sigurt është që ata vodhën njëri-tjetrin gjatë procesit të numërimit”, u shpreh Shabani.

Kurse juristi Leonard Karaj u shpreh:

“Unë mendoj se ky ishte kodi më i keq elektoral që u bë. Ishte kod më i mirë ai i vitit 2021, nuk kishte dallime dhe hendeqe kaq të mëdha dhe me një sistem të padrejtë për pattitë e vogla. Edhe ai kod ishte i keq, por jo sa ky, ku rezultoi se pati edhe një prim të fshehtë që favorizoi PS me 9 mandate plus. Çështja është se edhe për 4 vite Rama do jetë ende në pushtet, por kodi duhet korrigjuar sepse penalizon partitë e vogla. Mua më duket se marrëveshja është bërë më 3 korrik, ku njëri i ka thënë të jap vulën e partisë dhe tjetri i ka dhënë zgjedhjet e 11 majit”.

Gentian Gaba tha se gjatë zgjedhjeve pati problematika dhe parregullsi, sikurse ato në vitin 2021.

“Kemi shembullin e vitit 2021, SPAK rrëzoi listën e deputetëve të Durrësit, Ergys Çyrbjen dhe Lefter Kokën, që morën numër të madh votash atje. Janë letrat e prokurorisë, ndaj mendoj se ka pasur përsëri, pasi Rama është recidivist. Kemi shembullin e bonusit të pensionit para zgjedhjeve psh. Ka rrethim të zgjedhjeve. Ka ankesa nga faktorë të ndryshëm për manipulimin e votës dhe parregullsitë”, tha ish-anëtari i Kryesisë së PD-së.

Arbër Hitaj vuri theksin te raporti i ODIHR-OSBE, ku sipas tij janë kritikuar të dyja palët, si për orientimin e votës brenda partisë dhe deri te forca financiare e tyre.

“Mua më bëri përshtypje raporti i OSBE-ODIHR që shprehej se dita e votimit ishte transperente dhe e qetë, nuk pati probleme. Sa i përket fletëve të votimit në peqin ato ishin fotokopje dhe gënjyen, sepse që në fillim u pa se fletët ishin pa vulë. PD ka vjedhur votat e kandidatëve të saj, nga një kandidat te tjetri, ku ka ankimime. Ata pretendojnë se u është tjetërsuar vota. Nga krahu tjetër nuk ka ankimime, edhe pse ka ndodhur nga të dyja anët. Po të lëxosh raportin, 60% kritika ka PS dhe 40% i ka PD, sepse vjedhje votash ka pasur edhe te PD. Jam i sigurt se patitë e vogla janë masakruar, u janë vjedhur votat, u janë tjetërsuar dhe ky është mendimi im. Por ka probleme jo vetëm në Shqipëri përsa i përket fushatës dhe financimeve të saj, ka edhe në vendet e tjera. Raporti është kritik me të dyja partitë”, tha Hitaj.

Madje ai sheh edhe me shqetësim raportin për financimet në fushatë.

“Edhe PD ka lobimin me 6 mld dollarë psh. Pra raporti i ka të dyja palët. Dyshohet madje se fushata elektorale e PS dhe PD u ka shkuar deri në 3 ml euro për secilën parti, pra ka vend për të dyja palët sipas raportit. PD po bën lojë politike për të gënjyer militantët e për t’i mbajtur varur. Ata do shkojnë në Parlament, por ata po e bëjnë për lojë duke ngritur alibi që nuk qëndrojnë”, u shpreh moderatori.

Ora 22:58
Shabani: Lapaj ka bërë disa herë të njëjtën deklaratë, se nuk do e pranojë mandatin si deputet! Vendimi i takon atij

Berisha dhe Rama kanë rënë, kurse partitë e reja vijnë në rritje. Adriatik Lapaj mori më shumë vota më 11 maj brenda koalicionit Nisma Shqipëria Bëhet, por vendimi nëse do e pranojë mandatin e deputetit i takon vetëm atij.

Kështu u shpreh kreu i Nismës Thurje, Endri Shabani, sot në studion e ‘5 Pyetjet nga Babaramo’, teksa pranoi edhe se vetë Lapaj është shprehur disa herë me deklaratë se nuk do e pranonte mandatin po të fitohej vetëm një deputet.

Por këtë vendim duhet ta merrte vetëm Lapaj sipas tij, teksa do e diskutonin edhe në koalicion.

“Njerëzit duan ndryshimin. Pyetja është se pse nuk shkuan të votonin mbi 100 mijë njerëz që votonin më 2021? Pse Sali Berisha është minus 250 mijë vota dhe besoj se ata mbi 500 mijë brenda vendit dhe mbi 60 mijë jashtë nuk do e ndjekin më pas Berishën. Rama ka rënë mbi 30 mijë vota. Këto janë çështjet, kurse në krahun tjetër partitë e reja janë rritur ndjeshëm, Nisma Thurje është rritur ndjeshëm në krahasim me vitin 2021 ku mori 10 mijë vota. Në numër votash ne do kishim 9 mandate nëse sistemi do ishte i drejtë”, tha Shabani për projektin politik të forcave të reja dhe koalicionit ku bën pjesë.

Nisma Shqipëria Bëhet mori vetëm një mandat deputeti edhe pse me mbi 65 mijë vota, për shkak të sistemit elektoral. Adriatik Lapaj është shprehur publikisht se nëse do fitonin vetëm një deputet nuk do hynte në parlament, por do ia linte të dytit.

Por si shprehet Endri Shabani për këtë deklaratë të Lapajt?

“Për sa i përket mandatit të Nismës Shqipëria Bëhet, fituesi është zoti Adriatik Lapaj, ai mori më shumë vota dhe atij i takon. Për pjesën tjetër duhet pyetur zoti Lapaj, nuk jam unë njeriu që duhet të përgjigjem. Lapaj ka bërë disa herë të njëjtën deklaratë se nuk do e pranojë mandatin si deputet, por vendimi i takon atij, duhet pyetur ai. Ne do diskutojmë në koalicion se çfarë do bëjmë dhe vendoset. Ne do presim zgjedhjet e tjera, mund të kemi edhe më herët zgjedhje lokale sepse kemi bashki pa kryetarë”, tha Shabani për Report Tv.

A.Q/ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Bëri mirë Berisha që akuzoi Shqipërinë si narkoshtet në samitin e PPE?