A qëndrojnë pretendimet e PD-së për manipulimin e votës së 11 majit nga mazhoranca apo për ‘trenin bullgar’?
Pas humbjes së thellë, kreu i saj Sali Berisha po i cilëson ‘farsë elektorale’, por deri tani nuk është dhënë asnjë provë konkrete e manipulimit të zgjedhjeve apo fletëve të votimit të vjedhura.
Kështu u shpreh juristi Kreshnik Spahiu gjatë analizës së tij për këtë ‘rebus’ dhe alibi politike të opozitës, sot në emisionin ‘5 Pyetjet nga Babaramo’, në Report Tv.
Juristi nuk i beson tezës së PD-së dhe Berishës në diskursin politik, duke ngritur si kundërpyetje faktin se si mbi 15 mijë komisionerë të opozitës nuk arritën dot të kapnin një fletë votimi të vjedhur, teksa edhe ato që po pretendon në Peqin rezultojnë fotokopjo apo lustra.
“Duhet ezauruar e gjithë faza e ankimimit të subjekteve, përfshi edhe atë të kandidatëve për votat preferenciale. Është mirë që para se të nisë Parlamenti i ardhshëm, kjo fazë konstituimi dhe ankimimi të ketë përfunduar, për t’u sqaruar plotësisht çdo pretendim. Unë një gjë kam të qartë, 5200 qendra votimi, çdo qendër 5 komisionerë, gjysma të opozitës, pra 15600 mijë komisionerë apo numërues në të gjithë vendin, e nuk kam parë prej javësh një numërues a komisioner që të dali në televizion dhe të nxjerri një provë për manipulim votash. E para nuk e kanë bërë në flagrancë, ku flitet shumë për trenin bullgar, e detyrimin nuk e ka as SPAK as media, por komisionerët që janë mbrojtësit e votës së lirë. Ata duhet ta kishin bërë këtë. Ato të Peqinit nuk ishin fletë votimi, por fletë reklame për llustër. Unë them për komisioner që të kapte në flagrancë këtë manipulim dhe ta denonconte. Nëse është siç thoni ju do ishte pozitive që një komisioner ka kapur prova e fakte, por siç thotë Policia apo SPAK është ndryshe”, tha Spahiu.
Ai e cilësoi më shumë debat politik pa prova dhe i pambështetur në fakte që duhet të denoncoheshin nga ata që ishin “rojet” e votave në komisione apo qendra.
Madje Spahiu solli edhe shembullin se si PD nuk donte numërimin elektronik, sepse i besonte komisionerëve, por këta të fundit nuk arritën të kapnin asnjë rast manipulimi vote në flagrancë, siç pretendohet publikisht.
“Por dalin deputetë, kandidatë, politikanë, parti etj., e flasin, por jo rojet, komisionerët apo numëruesit dhe që të thonë se ku i konstatuan vjedhjet apo shkeljet. Unë uroj të jetë kështu, por po bëhet debat pa prova, konspirativ. Po të ishte ashtu, bënim numërim elektronik. Opozita refuzoi votimin elektronik sepse kishte besim te muskujt e komisionerëve”, vijoi juristi analisën e tij për Report Tv.
Madje ai shkoi më tej, duke sfiduar opozitën që në 320 mijë vota diferencë që ka me PS, të nxjerrë të paktën 32 fletë votimi ku provohet manipulimi i votës.
Ai i qëndroi anës juridike dhe ligjore, ku nënvizoi se janë organet ligjzbatuese ato që duhet të kishin folur, si Policia dhe Prokuroria, por këto të fundit deri tani nuk kanë deklaruar asgjë për shkelje penale.
“Janë 320 mijë vota diferencë. Le të dalin të paktën për 0,01 për qind apo 32 vota e të thonë ja ku janë të vjedhura, por kjo histori është gjithmonë, nuk kemi kapje në flagrancë, ankesa për vjedhje votash. Jemi futur në debat teorik. Ata që kanë detyrimin, Policia, prokuroria dhe komisionerët, nuk janë gjëkundi për ta debatuar këtë”, u shpreh Spahiu.
Në lidhje me akuzat politike për bandat kriminale që ndikojnë pushtetin politik, Spahiu ndau mendim ndryshe, duke nënvizuar se politika dhe pushteti janë më e fuqishme se krimi, teksa në studio u hodh debati për grupin e Durrësit që akuzon Berisha si banda e Troplinëve dhe operacioni i SPAK pas 11 majit.
“Koha e një procedimi penal është shumë e rëndësishme dhe me të drejtë janë ngritur shqetësime për raste. Sa i përket operacionit të fundit të Durrësit, për grupin që u akuzua edhe për lidhje me zgjedhjet, nuk mund ta paragjykojmë sepse nuk i dimë rrethanat për operacionin e SPAK, të fundit. Duhet thënë se ai ishte aksion që ishte i koordinuar dhe drejtuar nga Antimafia Italiane. Pala që është kritik me SPAK kanë ngritur hipotezën se grupi i Shkozetit apo Troplinëve në Durrës janë aq të fuqishëm sa drejtojnë Ramën, politikën, kandidatët etj. Po nëse janë kaq të fuqishëm, pse nuk e zgjidhin dot çështjen e vetë këta kur ishin kaq të pushtetshëm?", përfundoi ai komentin e tij.
Kutitë për rinumërim të votave të kandidatëve brenda partive nuk do të hapen, teksa ka akuza publike për tjetërsim dhe devijim të votave nga një kandidat tek tjetri.
Kutitë nuk do hapen sepse ka marrëveshje mes Ramës dhe Berishës, që dëmtohen të dy po të hapen. Madje Berisha i ka dhënë edhe besën Ramës në këtë çështje, teksa bashkuan votat në KAS për të rrëzuar kandidatët që kërkuan rinumërim.
Kjo është analiza që bën juristi Kreshnik Spahiu në lidhje me ankimimet e bëra nga kandidatët e PD-së që pretendojnë se u janë vjedhur votat brenda partisë.
“Sapo lexova një dëshmi të Lisandër Hoxhës, kandidatit të PD-së, një nga më seriozët dhe aktivët. Ai ka parë një video dhe pretendon se nëse rinumërohen votat, ndryshon renditja. Ai thotë se edhe në PS ndryshon kjo renditje, por po fokusohemi te problemi brenda partisë së tij. Në të dyja partitë ka ndodhur, votat brenda janë devijuar. Te PD dallon më shumë sesa te PS sepse PS e blen heshtjen dhe ka mundësi për t’i shpërblyer. Kurse te Berisha nëse nuk je deputet, del rrugëve. Ndaj duke parë situatën këta rebelohen dhe pretendojnë. Puna është se pa vulën e partisë, nuk legjitimohesh. Ndaj bëhet lufta për vulat e listat, se pushteti këtu është, te firma dhe vula”, solli shembull juristi në lidhje me ankesat e kandidatëve brenda partive të mëdha për tjetërsim vote.
Por a do hapen kutitë?
“Unë jam i bindur që kutitë nuk do hapen. Sepse si Rama edhe Berisha janë bashkë në këtë histori. Berisha i ka dhënë besën Ramës, ndaj bashkoi edhe votat me PS, edhe për rastin e KAS. Po të hapen kutitë dëmtohen të dyja palët, dëmtohet edhe Berisha në krye të partisë, por edhe pushteti nga ana tjetër. Bie edhe farsa e listave të hapura, ku edhe ajo përqindje e vogël e listave të hapura nuk qëndron më, sepse është bërë me direktivë politike. Pra edhe ata pak të listës së hapur që fituan paskan qenë të caktuar. Pra ka pasur edhe banda, e për mua dy bandat më të mëdha janë PS dhe PD”, shpjegoi Spahiu.
Kurse në lidhje me ndikimin e bandave kriminale, juristi tha se nuk mendonte që bandat e vogla ndikojnë te politika e madhe, sepse mafia politike është më e fortë se ato.
“Mafia politike në Shqipëri është më e rrezikshme se disa banda alabakësh të vegjël. Emërimet nuk bëhen nga bandat, por nga politika. Gjatë periudhës së këtyre dyve, Berishës e Ramës, në kaq vite, kanë ardhur e ikur shumë banda. Këta po të duan ia fikin llambën bandës dhe po të duan ia ndezin. Këta janë më të fuqishëm se bandat, po të duan këta të eliminojnë”, përfundoi ai.
Vota e emigrantëve në të ardhmen do i prishi punë dy forcave të mëdha politike dhe do sjellë rrotacionin, teksa mbështetja e saj u pa qartë edhe ndaj forcave të reja politike.
Por vota e diasporës në mënyrën se si u realizua për 11 majin ishte me probleme të theksuara, deri edhe e orientuar, ndaj duhet ndryshuar modeli, nga votë me zarfe, në atë elektronike, pasi Shqipëria ka gjysmën e popullsisë në emigracion.
Kështu shprehet juristi Kreshnik Spahiu në lidhje me këtë temë, teksa propozon që diaspora të bëhet qark më vete, i 13-i i vendit.
“Për shumë vite e majta dhe e djathta e kanë shmangur votën e emigrantëve. Ky ishte zhvillim pozitiv. Ata i trembeshin forcës së votës së emigrantëve. Unë mendoj se nëse një ditë do ndodhi rrotacioni në Shqipëri, do bëhet me votën e emigrantëve, që këtë herë ishte 10%, por herën tjetër mund të sjellë rrotacion të sigurt. Këtë herë nuk pati shumë efekt tek numrat, ku dha vetëm një mandat të nëntë për PS në Vlorë, por ama ishte pozitive se pati votë të lartë të diasporës për partitë të reja. Disa parti madje morën më shumë vota në diasporë sesa në Shqipëri. Fakti që partitë e reja kanë marrë 8% në diasporë dhe 3% në Shqipëri, tregon se në vend kontrollohet më mirë vota. Por a ka pasur parregullsi në diasporë? Sigurisht që ka pasur. Madje unë mendoj se vota e diasporës këtë herë ishte rrumpallë. Mendoj se një pjesë e mirë e saj janë patronazhuar nga aktivistët politikë të PS kryesisht, por edhe nga opozita. Ka pasur edhe shkelje me votë kolektive, jo e fshehtë, apo që u shmang vota nga ambasada apo konsullata me kuti votimi”, analizoi juristi për Report Tv.
Dhe si zgjidhet kjo çështje dhe problematikë zgjedhore në distancë? Sipas Spahiut, nëpërmjet një qarku të 13-të të diasporës, ku emigrantët të kenë një numër të caktuar deputetësh, praktikë që e ndjek edhe Italia. Kurse votimi të bëhet elektronik-biometrik për diasporën, për të mos lejuar forcat e mëdha të kenë kontroll mbi procesin.
“E para duhet të shpenzohet më shumë për numërim elektronike, jo vetëm brenda, por edhe në diasporë. Pra jo me zarfa, e ka dy shtete në botë që e realizojnë, me shenjë gishti apo syri, me të dhëna biometrike. Kështu i paraprihet edhe në kohë. Të gjitha vendet e njohin votën e emigrantëve. Mendoj se është antikushtetuese në këto kushte, ne jemi vend që ndryshe nga të tjerët, kemi gjysmën e shqiptarëve jashtë vendit. Jemi pak a shumë si Turqia. Ka shtete që diasporën e kanë qark më vete, nëse kemi 12 qarqe i bëjmë 13. E supozojmë të nxjerrë 4 apo 7 deputetë, si Gjirokastra dhe Berati, pra të kenë deputetët e tyre”, shprehet juristi.
Komente
