Vota e emigrantëve në të ardhmen do i prishi punë dy forcave të mëdha politike dhe do sjellë rrotacionin, teksa mbështetja e saj u pa qartë edhe ndaj forcave të reja politike.
Por vota e diasporës në mënyrën se si u realizua për 11 majin ishte me probleme të theksuara, deri edhe e orientuar, ndaj duhet ndryshuar modeli, nga votë me zarfe, në atë elektronike, pasi Shqipëria ka gjysmën e popullsisë në emigracion.
Kështu shprehet juristi Kreshnik Spahiu në lidhje me këtë temë, teksa propozon që diaspora të bëhet qark më vete, i 13-i i vendit.
“Për shumë vite e majta dhe e djathta e kanë shmangur votën e emigrantëve. Ky ishte zhvillim pozitiv. Ata i trembeshin forcës së votës së emigrantëve. Unë mendoj se nëse një ditë do ndodhi rrotacioni në Shqipëri, do bëhet me votën e emigrantëve, që këtë herë ishte 10%, por herën tjetër mund të sjellë rrotacion të sigurt. Këtë herë nuk pati shumë efekt tek numrat, ku dha vetëm një mandat të nëntë për PS në Vlorë, por ama ishte pozitive se pati votë të lartë të diasporës për partitë të reja. Disa parti madje morën më shumë vota në diasporë sesa në Shqipëri. Fakti që partitë e reja kanë marrë 8% në diasporë dhe 3% në Shqipëri, tregon se në vend kontrollohet më mirë vota. Por a ka pasur parregullsi në diasporë? Sigurisht që ka pasur. Madje unë mendoj se vota e diasporës këtë herë ishte rrumpallë. Mendoj se një pjesë e mirë e saj janë patronazhuar nga aktivistët politikë të PS kryesisht, por edhe nga opozita. Ka pasur edhe shkelje me votë kolektive, jo e fshehtë, apo që u shmang vota nga ambasada apo konsullata me kuti votimi”, analizoi juristi për Report Tv.
Dhe si zgjidhet kjo çështje dhe problematikë zgjedhore në distancë? Sipas Spahiut, nëpërmjet një qarku të 13-të të diasporës, ku emigrantët të kenë një numër të caktuar deputetësh, praktikë që e ndjek edhe Italia. Kurse votimi të bëhet elektronik-biometrik për diasporën, për të mos lejuar forcat e mëdha të kenë kontroll mbi procesin.
“E para duhet të shpenzohet më shumë për numërim elektronike, jo vetëm brenda, por edhe në diasporë. Pra jo me zarfa, e ka dy shtete në botë që e realizojnë, me shenjë gishti apo syri, me të dhëna biometrike. Kështu i paraprihet edhe në kohë. Të gjitha vendet e njohin votën e emigrantëve. Mendoj se është antikushtetuese në këto kushte, ne jemi vend që ndryshe nga të tjerët, kemi gjysmën e shqiptarëve jashtë vendit. Jemi pak a shumë si Turqia. Ka shtete që diasporën e kanë qark më vete, nëse kemi 12 qarqe i bëjmë 13. E supozojmë të nxjerrë 4 apo 7 deputetë, si Gjirokastra dhe Berati, pra të kenë deputetët e tyre”, shprehet juristi.
Lajmi kryesor:
Spahiu për Report Tv: Në 5200 qendra votimi, asnjë nga 15600 komisionerë të PD s’kanë kapur 1 votë të vjedhur
A.Q/r.k./ReportTv.al
