Ka nisur me fyerje, debat dhe akuza mbledhja e Komisionit të Ekonomisë për projektligjin e pastrimit të parave. Kryetari i Komisionit Eduard Shalsi dhe deputeti i opozitës Edmond Spaho i kaluan vijat e kuqe të etikës në replikat mes tyre.
Bumi i ndërtimeve në kryeqytet është sektori që po pastron paratë ishte shqetësimi i ngritur nga deputeti i PD, Arbi Agalliu.
'Brenda Unazës së Tiranës, zor se gjenë ndërtim të ri nën 2 mijë euro metri katror. Madje shkon edhe në 3 apo 4 mijë euro. A ka nga ana juaj një sipërmarrje edhe në bashkëpunim me institucionet e tjera të hetimit, sepse nga ajo që perceptohet, sektori i ndërtimit është sektori ku pastrohet paraja', deklaroi Agalliu.
Drejtori i Drejtorisë së Përgjithshme të Parandalimit të Pastrimit të Parave, Elvis Koçi, pranoi se sektori i ndërtimit po kryen transaksione në vlera marramendëse dhe për ta frenuar ka propozuar licensimin e ndërmjetësve të pasurive.
'Sektori i ndërtimit ka transaksione në vlera të larta dhe është vulnerabël për t’u përdorur për pastrim parash. Ne kemi propozuar licensimin e ndërmjetësve të pasurive të paluajtshme për ta përmirësuar', deklaroi Koçi.
Si është ndarë torta e pastrimit të parave mes politikanëve, ministrave dhe apo zyrtarëve të tjerë ishte insistimi i deputeti Erion Braçe ndaj drejtorit të pastrimit të parave..
“Personat e ekspozuar politikisht, kryeministra, zv/kryeministra, ministra, deputet, e më gjerë, në një analizë që ju keni, si është ndarë torta e pastrimit të parave midis këtyre tipologjive dhe a keni një analizë risku për të goditur fenomenin?”, u interesua Braçe.
'Analizë kombëtare të riskut është iniciuar në 2019 dhe përveç kësaj janë bërë dhe vlerësime risku sektoriale. Tipologjitë i kemi të publikuara, tipologji nga më të ndryshmet. Vepra bazë që prodhon para të pista janë trafiqet e narkotikëve dhe e dyta korrupsioni', përfundoi Koçi.
Projektligji i ri për parandalimin e pastrimit të parave u miratua në Komisionin e Ekonomisë, ndërsa qëllimi i tij kërkon të frenojë këtë fenomen.