Foto ilustruese

Bota

SHBA ndërpreu shkëmbimin e informacionit sekret me Ukrainën, ofrohet Franca! Moska: Macron si Hitleri e Napoleoni, nëse BE dërgon trupat, NATO futet në luftë

6 Mars, 11:11| Përditesimi: 6 Mars, 14:38

  • Share

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky deklaroi se “Falë Evropës, nuk ndihemi vetëm”, gjatë fjalës së tij në Këshillin e Jashtëzakonshëm të BE-së, të thirrur në Bruksel nga Ursula von der Leyen për të paraqitur planin e ri të riarmatimit evropian.

Ndërkohë, Moska ka reaguar ndaj fjalimit të Emmanuel Macron, i cili dje në një dalje televizive njoftoi se do të propozojë një "ombrellë bërthamore" për Evropën. 

Lavrov krahasoi presidentin francez, Emmanuel Macron, me Napoleonin dhe Hitlerin, duke pohuar se “ata e shprehën hapur” synimin për të “pushtuar” dhe “mposhtur” Rusinë.

Sipas deklaratave të Lavrovit, të cituara nga agjencia TASS, "Macron duket se dëshiron të njëjtën gjë, por ai thotë se duhet luftuar kundër Rusisë, që Rusia të mos mposhtë Francën”, duke theksuar gjithashtu se "Rusia përbën një rrezik për Francën dhe Evropën.

 "Nëse trupat evropiane vendosen në Ukrainë, NATO do të përfshihet në konflikt" paralajmëroi Lavrov.

Parisi njoftoi se po i ofron Ukrainës informacion ushtarak, deklaroi mëngjesin e sotëm ministri francez i Mbrojtjes, Sébastien Lecornu, një ditë pasi Uashingtoni njoftoi ndërprerjen e shkëmbimit të informacioneve të zbulimit me Ukrainën, një element thelbësor në përballjen me ushtrinë ruse.

"Shërbimi ynë i inteligjencës është sovran, me kapacitetet e tij të pavarura," tha Lecornu për France Inter. "Dhe ne po ua vëmë në dispozicion ukrainasve."

Ai nuk specifikoi se prej sa kohësh vazhdon ky bashkëpunim mes Parisit dhe Kievit, por shtoi: "Sot nuk ka asnjë agjent të DGSE-së (shërbimit sekret) apo oficer të shtabit të përgjithshëm në Francë që të mos e konsiderojë Rusinë si një kërcënim."

Ndërkohë Kremlini akuzoi sot presidentin francez, Emmanuel Macronin se po kërkon “vazhdimin e luftës”, pas fjalimit të djeshëm ku presidenti francez paralajmëroi për një kërcënim rus ndaj gjithë Evropës dhe propozoi zgjerimin e ombrellës bërthamore franceze mbi kontinentin.

"Kjo tashmë është një retorikë bërthamore, një pretendim për lidership bërthamor në Evropë, që është shumë, shumë agresiv," deklaroi zëdhënësi Dmitry Peskov, sipas agjencisë Ria Novosti.

Edhe ministri i Jashtëm rus, Sergei Lavrov deklaroi se "retorika bërthamore e presidentit francez Emmanuel Macron është një kërcënim për Rusinë.

"Sigurisht, kjo është një kërcënim për Rusinë. Nëse ai na konsideron një kërcënim, thërret një takim me shefat e shtabeve të vendeve evropiane dhe Britanisë së Madhe, thotë se është e nevojshme të përdoren armë bërthamore dhe përgatitet t'i përdorë ato kundër Rusisë, atëherë kjo është qartësisht një kërcënim," u shpreh Lavrov, duke iu përgjigjur pyetjeve të gazetarëve.

S.G/I.M/ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Grupi i PS në listë të hapur, përveç drejtuesve politikë, si iu duket?