Bota

SHBA e sulmoi me bomba 14-tonëshe dhe raketa, por a ka ndjekur vërtetë Irani një program të fshehtë bërthamor? Çfarë dimë deri tani

22 Qershor, 07:45| Përditesimi: 22 Qershor, 08:07

  • Share

Gjatë natës së kaluar, Shtetet e Bashkuara u përfshinë zyrtarisht në luftën e nisur nga Izraeli kundër Iranit, me synimin për të shkatërruar programin bërthamor të Republikës Islamike.

Presidenti amerikan, Donald Trump, njoftoi ndërhyrjen ushtarake pasi bombarduesit amerikanë goditën impiantin bërthamor të Fordow-t, ndërsa nëndetëset amerikane lëshuan 30 raketa cruise Tomahawk kundër dy objekteve të tjera bërthamore: Natanz dhe Isfahan.

Irani do të kishte zhvendosur sasi të uraniumit të pasuruar për ta mbrojtur nga sulmi izraelit dhe për të garantuar vijimin e programit bërthamor – kjo u deklarua nga ish-komandanti i Gardës Revolucionare, Mohsen Rezai. Kjo deklaratë mund të jetë një akt sfidues, një lëvizje e qëllimshme për luftë psikologjike, por gjithashtu i jep Izraelit një argument shtesë për të pretenduar se ekziston një plan sekret iranian për zhvillimin e armëve bërthamore.

Dalja publike

Rezai, i njohur për qëndrimet e tij radikale, u shfaq në televizion i veshur me uniformën jeshile të Gardës Revolucionare. Deklarata e tij ndezi menjëherë debatet mbi kapacitetin real të regjimit iranian në fushën bërthamore. Opinione të ndryshme u përplasën: pak ditë më parë, The Economist, duke cituar burime izraelite, kishte ringjallur hipotezën e një "rruge të fshehtë" drejt ndërtimit të bombës atomike.

Sipas këtij skenari (të njëanshëm), Irani i kishte ngarkuar që para gjashtë vitesh një grupi të vogël shkencëtarësh, të ndihmuar nga ushtria, detyrën për të zhvilluar armën. Në krye të këtij grupi ishte Mohsen Fakhrizadeh, figura më e njohur në këtë sektor, i vrarë nga Mossadi në nëntor të vitit 2020. Programi vazhdoi nën drejtimin e organizatës SPND – Organizata për Inovacionin Mbrojtës – që mendohet të ketë kryer hulumtime të fshehura pas projekteve civile.

Për mbikëqyrjen e projektit ishte ngarkuar Shefi i Shtabit të Përgjithshëm, gjenerali Bagheri, i cili u vra në ditët e para të operacionit izraelito-amerikan “Rising Lion” (Luanit të ngritur), së bashku me një numër të madh zyrtarësh dhe shkencëtarësh.

Shkurtimi i rrugës

Prej kohësh, si Izraeli ashtu edhe ekspertë ndërkombëtarë dyshojnë se Irani ka përshpejtuar përpjekjet e tij bërthamore në mënyrë të fshehtë, për t’u përgatitur në rast se udhëheqësi suprem Ali Khamenei jep urdhrin përfundimtar. Në mars 2023, AIEA dhe vendet evropiane paralajmëruan për shkelje nga Irani, ndërsa Izraeli vazhdonte të këmbëngulte se klerikët iranianë po e ndjekin një plan të mirëorganizuar.

Në qershor të vitit të kaluar, New York Times raportonte për një debat strategjik brenda regjimit iranian për të vendosur se çfarë duhej bërë. Lideri suprem nuk ishte shprehur publikisht, por raportet – përfshirë edhe ato amerikane – linin të kuptohej se Irani ishte shumë afër objektivit përfundimtar. Sipas disa zyrtarëve, mjaftonin pak ditë apo javë për të ndërtuar bombën e parë. Të tjerë ishin më të kujdesshëm, duke paralajmëruar se nuk kishte kuptim të prodhohej vetëm një armë, por që synimi do të ishte ndërtimi i një arsenali më të gjerë. Megjithatë, kjo nuk do të thotë domosdoshmërisht që armët bërthamore janë në prag ndërtimi.

Veprime dhe informacione të reja

Në të njëjtën kohë, janë përhapur informacione për vendosjen e centrifugave të reja në bunkerët e Fordow-t, simbolit të këtij përplasjeje, si dhe për aktivitete në qendrën ushtarake të Parchin. Janë raportuar shpesh rritje të masave mbrojtëse rreth objekteve strategjike. Edhe AIEA ka përmendur disa herë në raportet e saj vendndodhje si Lavizan-Shian, Varamin dhe Turqozabad, ku Irani dyshohet se ka zhvilluar punime “të pa deklaruara”.

Një tjetër përballje ka përfshirë edhe inteligjencën amerikane. Një analizë e dhënë për CNN kundërshtoi parashikimet e Netanyahut, duke pohuar se do të duheshin të paktën tre vjet që Irani të ishte në gjendje të prodhonte një armë bërthamore. Artikulli përmendi qëndrimin e drejtoreshës së 19 agjencive amerikane të inteligjencës, Tulsi Gabbard, e cila në thelb përjashtonte që Khamenei të kishte dhënë ndonjëherë urdhër për zhvillimin e një bombe.

Sipas burimeve, izraelitët dhe amerikanët disponojnë të njëjtat të dhëna, por i interpretojnë ndryshe. Kjo ndodh shpesh.

Pjesë të një tabloje më të madhe

Shërbimet sekrete ofrojnë “pjesë të mozaikut”, por duhet kohë për të ndërtuar pamjen e plotë. Si në çdo hetim, shpesh punojnë me vlerësime të ndikueshme nga politika dhe rrethana të momentit. Nuk është e rrallë që raportet përfundimtare të mos japin përgjigje të qarta. Për t’u mbrojtur, agjentët zakonisht paraqesin disa skenarë: A, B ose C.

Pentagoni, nga ana e tij, paraqet mundësi ndërhyrjeje, por në fund vendimin e merr presidenti. Dhe këtë herë, Donald Trump ka mbështetur plotësisht linjën e Benjamin Netanyahut – një ndryshim i qartë që pasqyron largimin nga përpjekjet për një zgjidhje diplomatike që ai dikur e kishte përmendur, madje duke paralajmëruar Netanyahun të mos ndërmerrte sulme. Këto pozicione, të shprehura publikisht ose përmes burimeve, janë pjesë e "Loja së Madhe" që po luhet në Lindjen e Mesme.

K.M/ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Si e vlerësoni sulmin e SHBA-së ndaj impianteve bërthamore të Iranit?