Pas Botërorit të Rusia 2018, edhe ai vitit 2022 dihet që do të zhvillohet në Katar, ndërsa ende nuk është përcaktuar se ku do të organizohet Kupa e Botës në vitin 2026. Dy janë kandidaturat zyrtare, me Marokun i vetëm që është në garë me tre shtete të fuqishme, SHBA, Kanada dhe Meksikë, teksa kërkojnë së bashku të bëjnë atë që nuk është arritur kurrë më parë.
Presidenti amerikan Donal Tramp, pak ditë më parë shkruante në Twitter se, "do të ishte një turp, nëse vendet që gjithmonë i kemi mbështetur do të lobonin kundër këtij propozimi". "Pse duhet t’i mbështesim këto vende, kur nuk na mbështesin (duke përfshirë edhe në Kombet e Bashkuara)?” – shkruante Tramp.
(Reagimi i Trump në Twitter)
Një mesazh në formë kërcënimi, e hapur dhe pa asnjë lobim nga ana e presidentit amerikan. Ndërkohë, më 12 maj, një delegacion nga Maroku vizitoi Federatën Shqiptare të Futbollit për të siguruar mbështetjen e saj në qershor, kur do të bëhet edhe votimi për të shpallur fituesin në Kongresin e FIFA-s në Moskë dhe sipas marokenëve, presidenti Duka u ka premtuar votën e tij.
Portali maroken “Al Khabar”, një nga më të njohurit në Afrikën Veriore, shkruan se Presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit konfirmoi që vendi i tij do të votonte për Marokun më 13 qershor. Federata shqiptare e Futbollit nuk e ka bërë publike votën dhe nga burime pranë institucionit të futbollit mësohet se Duka nuk është shprehur as pro dhe as kundër Marokut, duke lënë gjithçka të hapur në votim.
(Artikulli i portalit maroken “Al Khabar”)