Analisti Melazim Koci e konsideron si goditjen më të fortë që prej shpalljes së pavarësisë pezullimin e dialogut strategjik që SHBA bëri me Kosovën, për të shprehur qëndrimin kundër veprimeve të qeverisë Kurti.
Në një lidhje live për emisionin “Studio Live” në Report Tv me gazetarin Ermal Qorri, Koci tha se ky vendim e rreshton Kosovën bashkë me Rusinë, Kinën e Gjeorgjinë, vende të cilat e kanë të ndërprerë dialogun strategjik me SHBA-në.
“Kjo është goditja më e fuqishme ndaj Kosovës, nga shpallja e pavarësisë, nga viti 2008, sepse vjen nga sponsorizuesi, themeluesi, mbrojtësi i sovranitetit të Kosovës, shpalljes së Pavarësisë së Kosovës, vjen nga Shtetet e Bashkuara që kanë investuar 100 miliardë dollarë për të bombarduar Serbinë dhe për të çliruar Kosovën. Nuk jam shumë i befasuar nga ky zhvillim sepse prej disa kohësh Kosova është futur në baltën e politikës populiste dhe ajo politikë rezultoi me sanksione, fillimisht të BE, pastaj me ftohje të raporteve Prishtinë-Tiranë dhe tani përfundimisht nga ana e SHBA duke ndërprerë dialogun strategjik. Ndërprerje të dialogut strategjik, SHBA ka bërë vetëm me 4 vende, me Rusinë, Kinën, Gjeorgjinë dhe tani me Kosovën”, tha ndër të tjera analisti Melazim Koci.
Lajmi kryesor:
SHBA pezullon pa afat dialogun strategjik me Kosovën, akuza ndaj qeverisë në detyrë ‘Kurti’: Po sfidon progresin e bërë
V.GJ /I.M/ReportTv.al
