Foto: Memli Krasniqi
Edhe dy partitë më të mëdha parlamentare në Kosovë pas Vetëvendosjes së Kurtit, Partia Demokratike e Kosovës (PDK) dhe Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), thanë se ndihen të “shqetësuara” me pezullimin e dialogut të planifikuar strategjik Kosovë-SHBA.
PDK-ja tha se mbajti mbledhje për të diskutuar zhvillimet e fundit politike në vend, me theks të veçantë vendimin e Shteteve të Bashkuara.
“Partia Demokratike e Kosovës ka marrë me shqetësim të madh vendimin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës për të pezulluar pa afat Dialogun Strategjik me Kosovën, një proces i cili ishte menduar të forconte marrëdhëniet tona ekonomike, politike, diplomatike dhe të mbrojtjes”, tha PDK në një njoftim për media.
Ajo theksoi se ky zhvillim i “rëndë është pasojë e drejtpërdrejtë e veprimeve të pamatura dhe të papërgjegjshme të Qeverisë në largim dhe kryeministrit në largim, Albin Kurti”.
Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, shkroi në Facebook se suspendimi i dialogut të planifikuar strategjik paraqet “pikën më të ulët të relacioneve të Kosovës me aleatin tonë strategjik dhe ekzistencial; si shtet i pavarur e sovran”.
“Shkatërruesit e shtetit, bllokuesit historik, shkelësit e Kushtetutës, ligjeve e normave morale njerëzore, kanë zgjedhur të ndërtojnë rrugëtimin e tyre mbi krizën e përhershme, mbi frikën e pashtershme dhe mbi fatkeqësinë e Republikës”, tha Abdixhiku.
Ai bëri thirrje për tu “bashkuar të gjithë; t’i japim fund kësaj çmendurie politike dhe të ndërtojmë shtetin që e kemi merituar gjithmonë - para se të bëhet vonë për të gjithë”.
Në anën tjetër, lideri i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, theksoi në Facebook në lidhje me këtë vendim se Kosova “po i kalon ditët më të errëta në historinë e vet”.
“Ka një kohë të gjatë që unë dhe Aleanca kemi tërhequr vërejtjet tona për sjelljet e papërgjegjshme dhe destruktive të Kurtit dhe qeverisë së tij. Ndërsa sot gjendemi në një situatë që nuk ka mundur të paramendohet për Kosovën”, shkroi ai.
Haradinaj tha se i fton “të gjitha forcat politike dhe gjithë shoqërinë kosovare që urgjentisht të reflektojmë për situatën në të cilën gjendemi”.
Lajmi kryesor:
SHBA pezullon pa afat dialogun strategjik me Kosovën, akuza ndaj qeverisë në detyrë ‘Kurti’: Po sfidon progresin e bërë
Xh.K/ReportTv.al
