Michael Waltz dhe Donald Trump

Bota

SHBA/ Shkarkimi i Waltz, çfarë ndodhi dhe kush është tjetër në rrezik pas skandalit Chatgate

2 Maj, 07:26| Përditesimi: 2 Maj, 08:40

  • Share

Presidenti Donald Trump ka emëruar Sekretarin e Shtetit, Marco Rubio, si këshilltar të përkohshëm për sigurinë kombëtare, pas shkarkimit të Michael Waltz. Por shumë figura në galaktikën e Trump kanë frikë se ky veprim mund të çojë në një “tërmet” pozicionesh, përfshirë edhe postin e kreut të Pentagonit, ku aktualisht ndodhet Pete Hegseth.

Sipas Wall Street Journal, Zyra e Inspektorit të Përgjithshëm të Mbrojtjes ka zgjeruar hetimin e saj mbi rrjedhjen e informacionit të klasifikuar, duke hapur një dosje për rastin e një bisede të krijuar nga Hegseth, ku ai kishte përfshirë gruan e tij, Jennifer Rauchet, vëllain e tij, Phil Hegseth, dhe avokatin Tim Parlatore, duke ndarë informacione mbi një plan ushtarak për të sulmuar Huthitët në Jemen. “Qëllimi i hetimit,” tha Pentagoni, “është të përcaktohet nëse Sekretari i Mbrojtjes dhe personeli tjetër kanë ndjekur procedurat për përdorimin qeveritar të aplikacioneve të mesazheve komerciale.” Nuk është e qartë se kur do të përfundojë hetimi, por kjo përfaqëson një shenjë shqetësuese për Hegseth, në dritën e ngjarjeve të fundit.

Vendimi për të larguar Waltz erdhi pas zbulimeve të turpshme në mars, kur këshilltari kishte përfshirë gabimisht redaktorin e The Atlantic në një grup bisedash qeveritare në platformën Signal. Në javët e fundit, Waltz ishte i pranishëm në të gjitha programet televizive, në një përpjekje për të forcuar pozicionin e tij dhe për të reduktuar thashethemet për një rënie të besimit në rrethin e ngushtë të presidentit. Por kjo doli të ishte një përpjekje e kotë.

Precedenti i mandatit të parë

Shkarkimi është një sinjal për të gjithë stafin, nga të cilët Trump kërkon besnikëri maksimale. Por, siç u përmend, është e mundur që të ketë filluar një spastrim më i përgjithshëm – një praktikë jo e re për stilin e manjatit, i cili gjatë mandatit të tij të parë largoi, brenda tetë muajve të parë të presidencës, një sërë këshilltarësh: nga strategu kryesor Steve Bannon, te shefi i stafit Reince Priebus, dhe sidomos një tjetër këshilltar për sigurinë kombëtare – Michael Flynn – i detyruar të jepte dorëheqjen pasi kishte gënjyer për kontaktet e tij me diplomatët rusë. Flynn qëndroi më pak se Waltz: vetëm tre javë.

Presionet e MAGA-s

Sipas Washington Post, fillimisht Trump kishte ngurruar për të shkarkuar Waltz, i cili konsiderohej si një nga bashkëpunëtorët më besnikë të tij, por ishte vetë ekipi presidencial ai që e bindi për pasigurinë e tij në një rol kaq delikat. Shtysa përfundimtare erdhi nga zbulimet e reja se Waltz kishte përdorur llogarinë e tij personale në Gmail për të ndarë materiale të klasifikuara të qeverisë – një rast që shkaktoi protesta nga demokratët në Kongres dhe heshtje të turpshme nga republikanët.

I konsideruar si një kundërshtar i administratës nga elementë kyç, ish-këshilltari nuk kishte arritur të bindte plotësisht stafin presidencial: ai ishte akuzuar se kishte mbështetur ndihmat për Ukrainën dhe se ishte kundërshtuar ndaj tërheqjes së trupave amerikane nga Afganistani. Është e mundur që shtytja përfundimtare për largimin e Waltz-it të jetë ndikuar edhe nga qëndrimi i Laura Loomer, aktivistja dhe blogerja e njohur e së djathtës, shumë e dëgjuar nga vetë Trump, e cila ka kritikuar hapur një sërë bashkëpunëtorësh të presidentit, përfshirë edhe Waltz-in.

Edhe Hegseth në rrezik

Loomer ka kritikuar edhe zëvendësin e Waltz, Alex Wong, i cili tashmë thuhet se është pranë largimit nga detyra. Por as Sekretari i Mbrojtjes, Pete Hegseth, nuk po kalon ditë të lehta, pasi është përfshirë nga një skandal në tjetrin. Hegseth jo vetëm që kishte shpërndarë informacione konfidenciale në bisedë me pjesëmarrjen e një gazetari, por kishte krijuar edhe një grup tjetër në Signal, ku ndante të dhëna të klasifikuara me gruan, vëllain dhe avokatin e tij personal. Në mbledhjen e fundit të kabinetit, Trump i dha fjalën duke e prezantuar me ironi si “personin më pak të diskutueshëm në qeveri”, duke shkaktuar të qeshura në sallë. Më pas, e lavdëroi, duke thënë: “Njerëzit nuk e dinë sa i mirë është ai.” Por kjo nuk mjafton për ta qetësuar Sekretarin e Mbrojtjes. Vetëm disa ditë më parë, Trump kishte thënë për Waltz-in: “Ai është një djalë i mirë.”/La Repubblica
 

Xh.D/ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Zgjedhjet e 11 majit, a e keni vendosur për cilën parti do votoni?